Miliona gjermane për infrastrukturën maqedonase

I dërguari i Merkelit, Ualter Defa, sjell këshilla të vlefshme, por e hap edhe derën për financim të projekteve të mëdha. Lista është e gjatë dhe “peshon” afër 5 miliardë euro, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.

Zhvillimi ekonomik pa e “fryrë” borxhin publik. Kjo është strategjia e autoriteteve në Shkup, e cila do të realizohet me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë. Energjetika, infrastruktura, ekologjia, arsimi janë fushat e fokusit të bashkëpunimit të ngushtë, që do të operacionalizohen nëpërmjet një komiteti të përbashkët drejtues. Angazhimi i këshilltarit special, i dërguari i qeverisë në Berlin, Ualter Defa edhe zyrtarisht e hapë rrugën për konkretizimin dhe promovimin e bashkëpunimit. Qeveria është optimiste:

“Tashmë e mbajtëm takimin e parë me z-ri Defa dhe biseduam për reformat e nevojshme, për atë se si Maqedonia Veriore të bëhet vend i përshtatshëm për zhvillim ekonomik për të gjithë investitorët, për ata vendas dhe të huaj, si të organizojnë prezantimin para afaristëve gjermanë, por edhe para afaristëve tjerë nga BE-ja. Si të përmirësohet bashkëpunimi, jo vetëm në aspektin e tërheqjes së investitorëve gjermanë, por që edhe më shumë produkte tona të eksportohen në Gjermani, si dhe në tregjet tjera të BE-së”, shpjegon për Dojçe Vele zëvendëskryeministri Koço Angjushev.

LEXO: Maqedonia e Veriut ka edhe një këshilltar ekonomik nga Gjermania, i dërguar nga Angela Merkel

Këshillat dhe përvojat e Defa duhet të ndihmojnë për përdorimin më efikas të fondeve evropiane. Bashkëpunimi me Berlinin, nëpërmjet komitetit drejtues të përbashkët, duhet të na çojë deri te burime të favorshme për financim të projektet kapitale kryesore. Lista është e gjatë dhe shumë e shtrenjtë:

“Nëse duam të realizojmë të gjitha projektet, që janë në listën tonë, na nevojiten 4 deri në 5 miliardë euro. Prandaj është shumë e rëndësishme që të sigurohet një model për realizimin e tyre, njëkohësisht pa e detyruar shtetin të merr hua plotësuese. Duke pasur parasysh borxhin e lartë, që e kemi trashëguar nga periudha e mëparshme, ndërsa të gjitha llogaritjet tregojnë se borxhi ynë nuk guxon të shkojnë mbi 60% të BPV-së, është e qartë se shteti vetë nuk ka mundësi të realizojë të gjitha projektet. Jemi duke e mbajtur borxhin rreth 50% të BPV-së, ose rreth 5 miliardë euro, që praktikisht do të thotë se kemi hapësirë ​​për huamarrje shtesë prej afër një miliard euro që mjafton, për shembull, vetëm për hekurudhën në drejtim të Bullgarisë dhe për qendrën e re klinike”, shpjegon Angjushev.

Në rrethana të tilla, ideja është që të sigurohet mbështetje përmes iniciativës private, partneritetit publik-privat, por edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë me kredi që, sipas paralajmërimeve, duhet të jenë me kushte jashtëzakonisht të volitshme:

“Në kuadër të komitetit drejtues do të orientohemi drejt disa projekteve që janë me interes për shtetin, e njëkohësisht do të mund të presim financim më të lirë përmes KFV-së, Banka gjermane për zhvillim, dhe atje mund të shpresojmë jo vetëm në kredi të lira, por edhe në kredi pa interes. Por jo vetëm si para gjermane, por edhe si model i partneritetit publiko-privat që do të krijohet në ekonomi. Çdo gjë që mund të bëhet në këtë mënyrë, me qëllim që projektet të mund realizohen më shpejtë. Përndryshe, nëse shteti vendos vetë t’i realizojë, jo vetëm që do të rritet borxhi, por edhe do të kalojnë shumë vite që kreditë të kthehen, e kështu do të vonohen projektet”, vlerëson Angjushev.

Fillimisht në horizontin tonë janë projekte të energjetikës, por edhe realizimi i ëndrrës prej disa dekadash, për tramvaj në Shkup. Këtu janë edhe lidhjet me autostradë me Kosovën, tubacioni i gazit drejt Greqisë dhe shumë projekte të tjera kapitale për të cilat pritet të diskutohet së shpejti dhe të përcaktohet dinamika e realizimit të tyre. Gjithsesi do të përdoren edhe fondet evropiane që janë në dispozicion, në periudhën e negociatave para anëtarësimit me BE-në. Rëndësi vendimtare në këtë proces ka arsimi që, përmes modelit të arsimit të dyfishtë, do të duhet të sigurojë kuadro të përshtatshme, të kualifikuara për industrinë vendase, por edhe për fabrikat e investitorëve të huaj të cilët priten të shtohen si rezultat i zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe hyrjen e vendit në NATO.

Mbështetja gjermane për zhvillim ekonomik të Maqedonisë Veriore është iniciativë e Kancelares federale Angela Merkel, e cila u paralajmërua gjatë vizitës së saj në Shkup, në shtator të vitit të kaluar. Para arritjes së Ualter Defa, u formua një komitet i përbashkët drejtues, i cili ka zhvilluar dy takime. I pari u mbajt në Shkup, ndërsa i dyti para pak kohë në Berlin. Ualter Defa është doktor i shkencave ekonomike, ka punuar në Komisionin Evropian nga viti 1983 deri në vitin 2016. Ndër të tjera, ai ka qenë edhe drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për politikë rajonale, ndërsa e ka drejtuar edhe Drejtorinë e përgjithshme të taksave dhe doganave të Komisionit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button