Komiteti i Përbashkët Maqedoni – Greqi do të takohet në mars, i paqartë fati i historisë shqiptare

Në mars do të takohet Komiteti i përbashkët interdisiplinar Maqedoni e Veriut – Greqi, në të cilin do të shqyrtohen testet shkollore të historisë dhe gjeografisë, por mbetet e paqartë se nëse pas epilogut të këtij Komitetit, bashkë me historinë e Maqedonisë, do të revidohet edhe pjesa e historisë shqiptare për të cilën u konstatua se është fyese dhe e pavërtetë, transmeton Portalb.mk.

Kreu i ekipit të Maqedonisë së Veriut, Viktor Gaber, në një intervistë për “MIA”-n ka sqaruar se në takimin që do të mbahet gjatë muajit mars në Dojran, ekipet e punës së Komitetit të Përbashkët do t’i shqyrtojnë librat e historisë dhe gjeografisë.

“Përparësi i japim shqyrtimit të hartave dhe simboleve, në këto tekste shkollore që formojnë opinione te të rinjtë, e me këtë duam që të rinjtë të kenë realitet të pranueshëm për fqiun. Kjo do të thotë se do të shikohet të ndryshohen ato elemente për të mos ndikuar në ndjenjën e unitetit në kuptim pozitiv, prandaj kemi vendosur t’i shqyrtojmë këto tekste, tha Gaber, i cili sqaroi se nuk ka synime të fshihen të dhënat, por të përshtaten ato në bazë të interesit të përafrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Përveç të dhënave brenda librave, paralelisht do të analizohen edhe kurrikula për këtë materie, gjegjësisht ana ideologjike dhe filozofike e asaj që do të studiohet si histori dhe gjeografi.

Tre kërkesat e palës greke

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Markos Bolaris
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Markos Bolaris

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Markos Bolaris, i cili kryeson ekipin grek në vigjilje të takimit në Dojran, në një intervistë me agjencinë e lajmeve greke, ka paraqitur tre kërkesat të cilat ia ka parashtruar palës maqedonase në takimin e parë në Selanik: mësimdhënësit dhe profesorët të shmangin materiale të cilat përmbajnë irredentizëm dhe revizionizëm, nga tekstet shkollore të hiqen simbolet e lashta greke dhe të mënjanohen hartat e Maqedonisë së madhe.

Epilogi i Komitetit do të shqyrtohet brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Foto: Borçe Popovski, Kolektif.mk

Pas shqyrtimit të teksteve shkollore dhe kurrikulave, Komiteti i Përbashkët do të sjell edhe përfundime, për të cilat do të njoftojë institucionet shtetërore për ndryshimet që rekomandohen nga ata.

Sipas asaj që deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi kohë më parë për Portalb.mk, epilogu Komitetit do të shqyrtohet edhe brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut, dhe më pas do të sillet vendim se a do të ndryshohet dhe ku do të ndryshohen librat.

“Duhet të zhvillohen disa procese me fqinjët tanë, kur do të kemi rezultat final atje, edhe këtu do të shqyrtohet kjo çështje dhe më pas do të veprohet me zgjidhjen më adekuate. Nuk mund ta parashikojmë rezultatin. Kur do të kemi rezultat final me fqinjët tanë, më pas ne do të shohim si do të veprojmë”, tha Ademi në takimin joformal me gazetarët.

I paqartë fati për historinë shqiptare në testet shkollore të historisë dhe gjeografisë në Maqedoni të Veriut

Pjesë nga libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar”

Në librat e historisë dhe gjeografisë, përveç pjesës së historisë së Maqedonisë, kontestuese, siç publikoi kohë më parë Portalb.mk është edhe pjesa e historisë shqiptare. Ajo ka shtatë momente kontestuese, të cilat sipas profesorëve dhe sipas Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, nxisin nevojën e korrigjimit të mbi 30 për qind të materialit shkollor.

Se do të ndodh kjo, ministri Ademi nuk dha premtim, pasi që sipas tij “nuk është koha e duhur që të nxisim tensione etnike“.

Takimet e Komitetit të Përbashkët pretet të intensifikohen për të arritur afatet e përcaktuara nga Marrëveshja e Prespës dhe që nga viti i ardhshëm shkollor pikat kontestuese, hartat dhe ilustrimet të largohen nga plan programet dhe tekstet shkollore.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka Komitet të Përbashkët edhe me Bullgarinë. Kjo e fundit gjatë muajit tetor të 2018-s ka dërguar 30 faqe me të cilat propozon ndryshime në tekstet shkollore, për pjesën e historisë dhe gjeografisë që lidhet me kombësinë dhe shtetin e Bullgarisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button