Dimitrov – Cakaj: Shkupi dhe Tirana janë partnerë strategjik dhe aleatë në NATO dhe BE

Shqipëria ishte vendi i tretë në NATO që e ka nënshkruar Protokollin për hyrje të Republikës së Maqedonisë së veriut në Aleancë, ndërkaq të dy vendet do të këmbejnë edhe përvoja në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

Këtë e tha ushtruesi i detyrës ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në konferencën e sotme me kolegun e tij nikoqir, shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, njofton Portalb.mk.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vend fqinj si rastësi e rrethanave gjeografike, por edhe mik dhe partner strategjik me të cilën marrëdhëniet i ndërtojmë nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit efektiv. Hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rruga e përbashkët drejt BE-së është vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe veçmas për kujdesin e paqes dhe stabilitetit”, tha Cakaj.


Ministri Dimitrov nga ana e tij e falënderoi Shqipërinë për ratifikimin e Protokollin për hyrje në NATO. Ai u ndal në vizionet e përbashkëta evropiane të dy vendeve.

‘Suksesi i një shteti nga rajoni është sukses për tërë rajonin. Shumë do të kisha pasur dëshirë që të kemi rast për festim të përbashkët”, tha Dimitrov.

Të dy vendet presin që në qershor në Samitin e BE-së të konfirmohet vendimi për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Në takim është folur, mes tjerash, edhe për Korridorin 8 dhe për mundësinë që sa më shpejtë të nënshkruhet iniciativa për vendosjen e qendrave kulturore të dy vendeve, por edhe për rëndësinë e komunitetit shqiptar në vendin tonë dhe për komunitetin maqedonas në Shqipëri, të cilët janë urë për bashkëpunim. Është diskutuar edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhës, i cili është përshëndetur nga pala e Shqipërisë.

Në pyetje gazetareske, Cakaj tha se dje ka pasur takim me të gjithë liderët e partive shqiptare në Maqedoni, me të cilët ashtu siç theksoi ka këmbyer ide për shumë çështje.

“Kemi këmbyer ide dhe kemi pasur biseda të sinqerta. E kemi konfirmuar bashkëpunimin tonë të domosdoshëm që të koordinohen aktivitetet dhe të kemi rol konstruktiv”, tha Cakaj.

Cakaj sot pritet të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button