BOTA E FRIKËS

Libri “Filozofia e frikës”, nga filozofi Lash H. Svensen, flet për “botën e frikës”. Rezymeja e librit është kjo: bota e njeriut të sigurt është e ndryshme nga bota e njeriut të frikësuar. Njeriu që jeton në botë të pasigurt, ka frikë se bota mund të kthehet kundër tij, prandaj ai më shumë ikë se sa synon. Frika është karakteristikë e kulturës sonë. Frika është mall përfitues i medias. Është epidemi që e infekton shumicën. Është temë në arkitekturë, sepse ndërtohen ndërtesa të sigurta, për të na mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme. Është mjeti kryesor i diskurseve politike, pas rrënimit të ideologjive të mëdha. Frika ngjallet prej politikës, me qëllim që të mashtrohet qytetari dhe të orientohet në drejtim të gabuar. Përhapja e frikës na shqetëson për rrezikun që na kanoset. Kështu, aktorët e politikës, në bashkëpunim me mediat, shumëfishojnë lajme të frikshme, sepse kanë leverdi. Mediat kanë leverdi nga shitja e lajmeve të frikshme, sepse frika e shet informacionin. Politika ka leverdi, sepse rreziqet potenciale i paraqet si rreziqe aktuale dhe e mban qytetarin të mobilizuar. Frika shprehet edhe nëpërmjet artit. Dominojnë filmat mbi katastrofat, sepse tërheqin audiencë të madhe dhe sjellin përfitime marramendëse, kurse arti i mirëfilltë e ka humbur publikun. Gjykuar sipas asaj që na thotë Svenseni, shumëkush ka leverdi prej frikës së njerëzve, prandaj “prodhohet” në vazhdimësi.

Në çdo epokë kanë ekzistuar forma të ndryshme frike, që kanë ndikuar edhe në lindjen e miteve eskatologjike. Brezat paraardhës kishin frikë nga fuqitë e panjohura të natyrës, më vonë nga lufta atomike, lufta e ftohtë. Kjo frikë është zëvendësuar me forma të tjera frike. Bota e sotme bombardohet me lajme që ndikojnë në krijimin e miteve të reja: lajme mbi ngrohjen globale, armët biologjike, viruset etj. Njerëzimi, si kurrë më parë, nuk ka qenë kaq shumë i frikësuar. Filozofë të shumtë thonë se shoqëria perëndimore dominohet nga kultura e frikës. Në shoqërinë e frikës rrojmë me ndjenjën se çdo çast do të përballemi me forcat shkatërruese, që e rrezikojnë ekzistencën tonë. Kjo ndodh për shkak të mediave manipuluese. Ata që shikojnë TV janë gjithnjë më të frikësuar.

Cila është zgjidhja? Në këtë botë plot frikë, dyshime shtypëse e torturuese, na mbetet që ta mposhtim frikën brenda nesh. Mposhtja e frikës, sipas Bertrand Raselit, është fillimi i urtësisë dhe kërkimi i të vërtetës për një jetë dinjitoze. Këtë thënie Svenseni e përdor si kryefjalë.

A mund ta mposhtim frikën? Mbase asnjëherë. Megjithatë, kemi mundësi ta shpërfillim. Duhet të ngrihemi kundër frikës, sepse, sikurse thoshte Ruzvelti: “Të vetmes gjë që duhet t’i frikësohemi është vetë frika”. Ai dha këtë mesazh kur kombi gjendej në pozitë pa shtegdalje. Ky formulim, sipas Svensenit, nuk ishte origjinal, sepse mund të ishte formuluar, me gjasë, nga Montenji ose Toro, por qëllimi ishte i mirë. Përse? Sepse kultura e frikës është kulturë pesimiste. Kur ka ndjenjë frike dhe viktimizimi, atëherë pamundësohet mendimi mbi përparimin. Nëse njeriu nuk e ka ndjesinë e të drejtuarit të ekzistencës së tij dhe nuk beson se bota mund të jetë më e bukur, atëherë atë nuk e josh e ardhmja. Problemet mund të shmangen jo duke u frikësuar, por duke filluar t’i zgjidhim ato, duke nxjerrë mësim prej gabimeve. Për të synuar një botë më të bukur duhet optimizëm humanist.

Nëse e lokalizojmë qasjen e Svensenit, mund të themi se edhe ne jetojmë në botën e frikës. Për ta ndryshuar këtë gjendje, duhet të veprojmë për të ndërtuar një botë më të mirë. Të marrim përgjegjësi qytetare. Këtë duhet ta bëjmë për hir të fëmijëve tanë, që do të akuzojnë se patën prindër që folën për trimërinë dhe ishin frikacakë të mëdhenj, që paraqiteshin si heronj epikë, por ishin qyqarë të zakonshëm përpara keqbërësve. Njëkohësisht, duhet të heqim dorë nga ndjenja e viktimës. Për gjithçka që ndodh nuk janë fajtorë të tjerët. Ta drejtosh gishtin drejt fajtorëve dhe të mos e vësh dorën në zemër, do të thotë të kesh frikë t’i dëgjosh rrahjet e shpeshtuara të po asaj zemre.

Jetojmë në një vend të palumtur dhe për këtë edhe unë kam pjesën time të fajit. Pranimi i kësaj fajësie personale është shkallë qytetarie. Nuk është ndjenjë vetëfajësimi, që na humb ndjenjën për realitetin. Është ndjenjë për të kaluar në gjendje aktive. Në shoqëritë ku ka qytetarë aktivë, që nuk besojnë se liria dhe demokracia janë të pavarura prej nesh, aty vështirë instalohet pushteti i robërisë. Nuk është e rëndë robëria, sepse ajo është gjendje pasive. E rëndë është liria, sepse kërkon të jemi aktiv në mbrojtjen e saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button