Lideri Ahmeti: S’ka përplasje mes partnerëve, qeverisja pa BDI-në është gabim

“Unë mund të ju siguroj të gjithë juve, se nuk ka përplasje mes partnerëve të koalicionit, mund të ketë dallime që nuk e cenojnë as moralin dhe integritetin si të BDI-së, po ashtu edhe të LSDM-së. Tash vendi ka nevojë për më shumë qetësi, komunikim dhe bashkëpunim të forcave politike në pushtet, por edhe të opozitës, sepse jemi në momente të rëndësishme”, kështu ka deklaruar lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti pas takimit me ministrin e Shqipërisë, Gent Cakajn, transmeton Portalb.mk.

Sa i takon deklaratës së deputetit dhe nënkryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zekiri ku thotë se “qeveria mundet edhe pa BDI-në”, Ahmeti vlerësoi se nëse ndodh kjo, është gabim.

“Nëse mbahet qeveria edhe pa BDI, atëherë mund të them se bëhet shumë gabim. Por do të thoja se kjo është deklaratë e një anëtari të LSDM-së, dhe se nuk mbart përgjegjësinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Maqedonia e Veriut ka prioritete shumë më të mëdha, që lidhen me investimet dhe zhvillimin ekonomik.

Në lidhje me gjithçka çfarë ndodhi në Kuvend, natën kur duhej t’i merrej imuniteti deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, ai udhëzoi gazetarët që sqarimet t’i kërkojnë te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kandidati konsesual presidencial, nesër do të mbahet takimi Zaev – Ahmeti

Paraprakisht, partitë e koalicionit qeverisës së Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë sjellë vendim që të dalin me kandidat të përbashkët për zgjedhjet presidenciale të 21-prillit. Ky proces sipas Ahmetit nesër do të marrë epilog, pasi që do të takohet me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.

“Jam i mendimit se kjo çështje do të marrë epilog. Nesër kam takim me Zoran Zaev për t’i dhënë përfundim këtij procesi”, tha Ahmeti.

LEXO: “Imuniteti i Veljanoskit”: Zekiri thotë se qeveria mundet edhe pa BDI-në, Xhaferi s’është pishman

Siç deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, nga LSDM-ja pritet të shqyrtohet edhe mundësia e udhëheqjes së qeverisë pa partinë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Uroj që nesër ose ditëve në vijim do të mbahet mbledhja e partisë, në të cilën do të duhej të bisedohej për këtë temë. Numrat e bëjnë qeverinë. Sigurisht, derisa i kemi numrat për formimin e Qeverisë pa BDI-në, dhe kjo është opsion, pse jo”, tha Zekiri.

Mollë sherri i partive të koalicionit u bë hedhja në votim e heqjes së imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoskit pas mesnatës, kur edhe kaloi afati sipas Rregullores së Kuvendit. Për këtë nuk është bërë pishman kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button