Është anuluar takimi i radhës në suazat e procesit “Zhan Mone”

Rundi i ardhshëm i bisedave në dialogun “Zhan Mone”, që duhej të mbahet në 28 shkurt dhe 1 mars në Shkup, është anuluar për shkak të pamundësisë të arrihet kompromis ndërpartiak, lajmëroi MIA prej Brukseli duke iu referuar deklaratave të eurodeputetëve të cilët janë ndërmjetësues të këtij procesi, njofton Portalb.mk.

Eurodeputetët Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, kanë qenë të informuar se nuk ka mundësi për mbajtjen e rundit të ri të paraparë.

“Thelbi i “Zhan Mone” është të krijohet atmosferë për bashkëpunim, marrëveshje, kërkim të kompromisit, nëse kjo nuk është e mundur atëherë e gjithë kjo s’ka kuptim”, deklaroi për MIA Ivo Vajgëll, pa u prononcuar për atë se cila anë është përgjegjëse për anulimin e procesit.

VMRO-DPMNE opozitare para disa ditëve njoftoi se e kanë ngrirë pjesëmarrjen në proces për shkak të hetimeve dhe paraburgimeve më të reja të anëtarëve të shquar të tyre. Megjithatë, nga Parlamenti Evropian sigurojnë se procesi nuk është i vdekur.

“Besoj se do të merremi vesh të mbahet procesi në ndonjë kohë të afërt, siguron Vajgëll. Rruga drejt kompromisit është gjithmonë e vështirë, veçanërisht në Maqedoni, ku ka shumë emocione dhe tregime të vjetra dhe jam i sigurt se nevojitet pak kohë që njerëzit të vazhdojnë të punojnë në dobi të shtetit, thotë ai.

Prej Kabinetit të Eduard Kukan, gjithashtu, konfirmojnë se nuk do të mbahet rundi i ri, por eurodeputeti bashkë me kolegun e tij Knut Flekenshtajn do të udhëtojnë në Shkup të premten për t’u takuar me të gjitha palët, jashtë formatit të “Zhan Mone”, diçka në të cilën Vajgëll nuk dëshiron të merr pjesë.

Për ditën e enjte dhe të premte, është paraparë që delegacioni i Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, në të cilin bën pjesë Flekenshtajn, të vizitojë Tiranën dhe Shkupin për ta vlerësuar përparimin në dy vendet në pritje të vendimit të BE-së për datë për negociata.

Shtatë eurodeputetë, të udhëhequr nga Tune Kelam i Partisë Evropiane Popullore, EPP, do të takohen me përfaqësues të qeverive dhe opozitës në dy vendet.

Në Shqipëri, opozita ka vendosur ta bojkotojë punën e Parlamentit, që mund të rrezikojë datën e negociatave për vendin. Eurodeputetët do t’i ftojnë të dy palët të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Bojkoti është bërë praktikë shumë jo konstruktive në Evropën juglindore”, ka thënë Vajgëll për AIM dhe ka shtuar se konsideron që nuk është në dobi të askujt, ndërsa është në dëm të shtetit dhe i ka thirrur të gjithë “të mendohen mirë para se të vendosin për obstruksion të tillë”.

“Mungesa e dialogut është puna më e keqe që mund të ndodh kur ka probleme të hapura”, ka shtuar eurodeputeti nga Sllovenia.

Procesi “Zhan Mone” konsiderohet si realizim i një pjese të reformave në vend duke pasur parasysh se çështjet për konstituim të Parlamentit dhe për pyetje deputetësh janë pjesë e planit “3-6-9”, kurse bisedat pritet përgjithësisht të kontribuojnë edhe për përmirësimin e dialogut politik.

Temat kryesore për të cilat do të diskutohet në suaza të procesit janë Rregullorja për punë të Kuvendit, Kodi Etik, pavarësia buxhetore e Kuvendit të Maqedonisë, si dhe çështje tjera të fokusuara në drejtim të fuqizimit të Kuvendit si institucion me rol qendror në agjendën e reformave për integrim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button