Problemi me informatat dhe nivelin e lartë të përdorimit të tyre

Burimi: KriThink

Prodhimi gjithnjë e më i madh i informatave dhe shpërndarja e tyre përmes kanaleve gjithnjë e më të shumta të mediave, si dhe numri i madh i mediave që i përdorin këto kanale, na bëjnë që të jemi të ngopur me informata. Me këtë rast  “zgjedhja e mirë” është përgjigja e vërtetë në pyetjen se si të mbrohemi

Shkruan: Dejan Donev

Bollëku i informatave, që në kulturën tonë na imponohet në mënyrë agresive përmes mediave, nuk mund të shmanget fizikisht. Në fakt, sipas analizës së fundit të Ransfordit, rreth 30% të kohës sonë, derisa jemi të zgjuar, e kalojmë në përdorimin e mediave, ndërsa edhe 39% të tjera në përdorimin e mediave për ndonjë aktivitet tjetër. Dhe këtu avancon televizioni. Pasoja nga dominimi i tij më së miri shprehet përmes faktit se vetëm në SHBA sot ka më shumë aparate televizive sesa njerëz! Në krahasim me mediat e tjera, gjithsesi, këtu është edhe kompjuteri si një medie e mundshme. Nga aspekti i përdorimit të tij, vetëm për lidhje në internet, në mbarë botën numërohen 3.999.348.213 përdorues të internetit.

Nëse para mijëra vitesh problem ishte prodhimi i informatave dhe vënia e tyre në dispozicion sa më të madh, me zhvillimin e masmedias, problem është mbrojtja e njeriut nga sasia shumë e madhe e informatave. Për shembull, nëse në fillim të shekullit të 14-të në bibliotekën e “Sorbonës” kishte vetëm 1.338 libra, e me këtë rast është konsideruar biblioteka më e madhe në Evropë, sot ka shumë biblioteka në të cilat ka më shumë se tetë milionë libra, të cilat u huazohen miliona përdoruesve për çdo vit. Pyeteni veten se çfarë do të ndodhte nëse do të dëshironit t’i lexoni librat e botuar këtë vit për të qenë në hap me titujt e sapo publikuar!? Ndërsa numri i tyre nuk është i vogël: 1.660.557 libra në nivel botëror.

Prodhimi gjithnjë e më i madh i informatave dhe shpërndarja e tyre përmes kanaleve gjithnjë e më të shumta të mediave, si dhe numri i madh i mediave që i përdorin këto kanale, na bëjnë që të jemi të ngopur me informata. Me këtë rast  “zgjedhja e mirë” është përgjigja e vërtetë në pyetjen se si të mbrohemi. Ajo e përfshin armën psikologjike – automatizimin. Bëhet fjalë për veprim rutinor, të cilën vetëdija jonë e përvetëson për të mundësuar realizim të shpejtë dhe efikas të procesit të filtrimit, sipas parimit të realizimit rutinor dhe efikas të aktiviteteve të shumta të përditshme. Për shembull, askush më nuk pyet se si mësuam të shkruajmë në tastierë, të mendojmë për shkronjat që gjenden në çdo fjalë të shkruar, cili gisht duhet ta shtypë cilën shkronjë në tastierë… Në fakt, përderisa mësojmë se si ta bëjmë diçka, ne fusim udhëzime të ngjashme me kodet kompjuterike në vetëdijen tonë. Kur kodet janë futur në vetëdije, ato pastaj mund të aktivizohen automatikisht, pa menduar.

Derisa ne e programojmë kodin që udhëheq me veprimet tona të automatizuara, rutinore, këtë e bëjnë edhe mediat masive dhe reklamuesit. Ata i përdorin shprehitë tona për qëllimet e tyre, për të na tërhequr me mesazhe të bëra për ne, por të cilat nuk janë domosdoshmërisht të dobishme për ne! Këtë e bëjnë nëpërmjet insistimit të vazhdueshëm për forma të caktuara të sjelljes, derisa ato të bëhen shprehi të automatizuara. Për shembull, ndezja e rregullt e radios sapo të hyjmë në veturë ose ndezja e televizorit sapo të kthehemi në shtëpi ose e kompjuter ose telefont sapo të zgjohemi…

Mediat na programojnë që të jemi të hapur dhe të pranueshëm për mendimet që ata dëshirojnë të na i  përcjellin nëpërmjet mesazheve. Me këtë rritet rreziku nga pranimi i mendimeve të gabuara. Gjithashtu rritet edhe rreziku nga lëshimi i mesazheve të shumta  nga të cilat do të kishim dobi më të madhe. Prandaj nganjëherë është e nevojshme t’i rishikojmë kodet e programuara në vetëdijen tonë, e rëndësi më të madhe për këtë kanë njohuritë elementare mediatike.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button