15 vjet nga vdekja e Boris Trajkovskit: Shumë lëshime për tragjedinë në Mostar

Sot do shënohet  15 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Rotmile në afërsi të Mostarit. Në Shkup, në Alenë e Kolosëve të Varrezat e Qytetit në Butel  lule në varrin e Trajkovskit do të vendosin anëtarët e familjes së presidentit, delegacione dhe qytetarë, njofton Portalb.mk.

Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 humbi jetën presidenti i Republikës së Maqedonisë Boris Trajkovski dhe delegacioni tetë-anëtarësh i Maqedonisë, i cili ka udhëtuar për në konferencë ndërkombëtare në Mostar.

Për fatkeqësinë e cila ndodhi në atarin e fshatit Huskoviq, në afërsi të Mostarit, për shkaqet e rënies së “Kingerit”, për atë nëse ka ndodhur fatkeqësi aeroplani apo ka qenë “terrorizëm”, prej atëherë e deri më tani janë kryer dy hetime dhe janë publikuar dy raporte, të dy komisioneve me të cilët kryesuan Sallko Begiq dhe Omer Kuliq, e në të cilët morën pjesë edhe ekspertë nga Maqedonia.

Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e “Kingerit” ceken gabimet e pilotit dhe lëshime të tjera indirekte të sistemit.

Me kërkesë të Maqedonisë, me mbështetje nga eurodeputeti Andreas Gros, pas grumbullimit të dëshmive shtesë nga ana e MPB-së së Maqedonisë është hapur hetim i ri në janar të vitit 2013, të cilën e ka udhëhequr Kuliq.

Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e “Kingerit” janë theksuar “gabime procedurale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar, në fluturim të kontrolluar”. Në raportin e dytë janë theksuar edhe lëshime sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit.

Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe në BeH janë shkaqet për rrëzimin e “Kingerit”, qëndron në raportin e ri që e prezantoi Kuliq.

Pala maqedonase në tërësi i pranon konstatimet me propozimet shtesë, të cilat kanë të bëjnë me sistemin VOR, vetë procedura, kërkesa dhe shpëtimi pas rrëzimit të Kingerit dhe formulimi për lundrimin e fluturakes. Por, për palën maqedonase është e paqartë se pse është riorientuar lokacioni se ku të kërkohet aeroplani, edhe pse Kuliq thotë se kontrollori i fluturimit e ka ditur se ku është rrëzuar aeroplani.

Në fatkeqësinë ajrore krahas presidentit Boris Trajkovski, jetët i kanë humbur edhe zëdhënësja Dimka Ilkova-Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Kërstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Dëgjoni minutat e fundit të xhiruara në kutinë e zezë:

Al Xhezira ka publikuar një dokumentar kushtuar momentit tragjik ku humbi  jetën ish kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, përcjellë Portalb.

Dokumentari mban titullin “Lartësia e kobshme 524” dhe ka për qëllim që të bëhet përmbledhja më e plotë e tragjedisë ku humbi jetën presidenti Trajkovski dhe nëntë pasagjerë tjerë, thonë nga produksioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button