Shqipëri, ekonomia e rrezikuar nga borxhet

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka deklaruar se zinxhiri i borxheve të këqija, që është krijuar në ekonomi rrezikon të përkeqësohet. Ai ka thënë se ky është një shqetësim real dhe do të vijë duke u rritur.

“Kjo vjen edhe nga analiza që është bërë për borxhet e këqija në vende të tjera. Shqipëria jo vetëm që ka një borxh publik të lartë, por njëkohësisht është rritur borxhi i keq i buxhetit të shtetit për kompanitë private, i kompanive publike, apo enteve buxhetore në kompanitë private. Shqiptarët e ndjejnë dhe nuk e fshehin që është rritur edhe borxhi i vet midis tyre, qoftë kur bëjnë biznes, qoftë kur kanë marrëdhënie me njëri-tjetrin”, tha Malaj, raporton TCH.
Malaj paralajmëron se nëse ky fenomen nuk do të ndalet, kostot për ekonominë do të jenë të larta, deri në skenarët më ekstremë. Ai tha se zgjidhja duhet të kalojë nga buxheti dhe më pas kërkon edhe përfshirjen e bankave.

“Po të shihni vendet që sot janë në krizë, një pjesë e tyre kanë ardhur për shkak se është nënvlerësuar kriza e borxheve të këqija. Jo vetëm e borxhit publik, por edhe e borxhit që privatët kanë krijuar me njëri-tjetrin, apo që privatët dhe kompanitë kanë krijuar me sistemin bankar të vendit të tyre. Aty ku rritja ekonomike është mbështetur te rritja e borxhit të qytetarëve të saj apo kompanive të saj, falimentimi ka qenë i pashmangshëm”, tha Malaj./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button