Analizë: Revizion në komunën e Kisella Vodës – nën thjerrë shpenzimet e parave komunale (Infografik)

Përmes Agjencisë për punësime të përkohshme për çdo muaj janë angazhuar prej 32 deri në 34 persona në komunën e Kisella Vodës, për të cilët në vitin 2017 janë shpenzuar 173.000 euro. Nën thjerrën e Revizorit shtetëror – arka e buxhetit komunal, e cila në vitin u rrit për më shumë se 120% në vitin 2017 në krahasim me vitin 2016 – por në fund të vitit kalendarik është regjistruar një mosrealizim i konsiderueshëm.  Raportet financiare të përfshira me revizionin, siç thuhet, janë përgjegjësi e udhëheqjes, gjegjësisht e kryetarëve të komunave, Biljana Beliçanec-Aleksiq, kryetare e komunës prej prillit të vitit 2012 deri në fund të tetorit të vitit 2017 dhe Filip Temellkovski, kryetar i komunës prej 1 nëntorit të vitit 2017, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Punësime të përkohshme, financimi i organizatave joqeveritare, llogari në restorante…

Me persona të angazhuar përkohësisht përmes Agjencisë për punësime të përkohshme janë plotësuar vende pune në administratën komunale, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për punonjësit në sektorin publik dhe Ligjin për agjencitë për punësime të përkohshme. Në vitin 2017, për pagesën e punonjësve të përkohshëm, komuna e Kisella Vodës ka paguar 173.000 euro – thuhet në raportin e revizionit ku potencohet për çdo muaj në këtë mënyrë janë angazhuar prej 32 deri në 34 persona.

“Punësimet e përkohshme në administratën komunale që nuk janë në përputhje me kornizën e paraparë ligjore për punësime tregojnë se ka transparencë të zvogëluar gjatë punësimeve, subjektivitet gjatë përzgjedhjes së personave dhe pozitë e privilegjuar për ta në procedurën për angazhimin e tyre” – shkruan në raportin e revizionit.

Ata rekomandojnë që punësimet e këtilla të përkohshme të kryhen në përputhje me dispozitat ligjore – vetëm në rastet kur përkohësisht mungon ndonjë punëtor, në rast të ngarkesës së shtuar të përkohshme të punës, punës sezonale, punës në ndonjë projekt dhe në raste të tjera të parapara nga legjislacioni.

Gjatë vitit 2017, organizatave joqeveritare u janë transferuar 1.500 euro, edhe atë  një shoqërie kulturore-artistike, një shoqatë qytetare dhe një klubi sportiv për financimin e projekteve në fushën e kulturës, sportit dhe mbrojtjes sociale, për të cilat revizorët nuk kanë mundur të binden se mjetet janë harxhuar për qëllimin e dedikuar dhe në mënyrë ligjore, për më shumë arsye, duke përfshirë mosekzistimin e aktit mbi mënyrën, procedurën dhe kriteret për financimin e programeve të tilla, mjetet janë paguar në bazë të kërkesave individuale, pa shpalljen e thirrjes, ndërsa organizatat që i kanë marrë mjetet nuk kanë dorëzuar raport për projektet dhe programet e realizuara.

“Kjo mënyrë e ndarjes së mjeteve nga buxhetet komunale dhe mospasja e qasjes së plotë në shpenzimin e tyre nga shoqatat dhe klubet sportive krijon rrezik nga subjektiviteti në vendimmarrje, zvogëlim të transparencës dhe përdorim joadekuat të parave”- vë në dukje revizori.

Në fund të vitit 2017, komuna e Kisella Vodës ka miratuar Rregullore për rregullimin e kushteve dhe kritereve për këtë segment të ndarjes së mjeteve buxhetore, ndërsa në fillim të vitit 2018 janë shpallur edhe thirrje për ndarjen e mejteve materiale për klubet sportive, shoqatat, institucionet sportive, siç kanë rekomanduar revizorët shtetërorë. Në lidhje me këtë ka reaguar komuna e Kisella Vodës, e cila ka informuar se Rregullorja është miratuar nga Këshilli komunal, dhe pas kësaj kjo vërejtje u pranua pjesërisht nga revizori.

E ngjashme është edhe situata me ndarjen e parave për nxënësit e talentuar, për të cilët në vitin 2017 janë shpenzuar gati 19.000 euro.

“Revizioni nuk mund të sigurojë bindje për përdorimin e mjeteve sipas qëllimit të dedikuar dhe ligjit” – shkruan në raport, pas së cilit ka qenë kryetari i komunës e jo Këshilli komunal që në vitin 2018, ka miratuar Procedurë për kushtet dhe kriteret për ndarjen e shpërblimeve nxënësit e talentuar. Revizorët rekomandojnë që dokumentet të miratohen edhe nga ana e Këshillit komunal. Edhe ndaj këtyre gjetje pati përgjigje nga komuna, e cila ka informuar se janë formuar grupe punuese për hartimin e rregulloreve, që do t’i zëvendësojnë procedurat dhe do të vihen në votim në Këshillin komunal.

Revizioni zbuloi se në vitin 2017 janë paraqitur shpenzime për reprezentim për shërbime hoteliere në vlerë prej 2.400 eurosh, për të cilat nuk është dhënë asnjë shpjegim për bazën e reprezentimit, gjegjësisht a jenë shpenzuar këto mjete për qëllime zyrtare.

“Shpenzimet për reprezentim në bazë të shërbimeve hoteliere duhet të bazohen në dokumente të besueshme ku do të shënohet arsyeja dhe qëllimi për të cilin është ofruar shërbimi” – thekson revizori shtetëror, transmeton Portalb.mk.

Projeksione të mëdha buxhetore – realizime të dobëta…

Nën thjerrën e revizionit ishte edhe procesi i buxhetimit, me ç’rast revizorët kanë konstatuar dobësi edhe përkundër kontrolleve të brendshme të vendosura në komunë.

“Nuk është siguruar transparencë dhe publicitet në procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit sepse nuk janë organizuar debate publike, tribuna” – theksojnë, ndër të tjera, revizorët dhe potencojnë se në vitin 2017 të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, krahasuar me vitin 2016 janë rritur për 120.94%, ndërsa në fund të vitit, të ardhurat janë realizuar me 40% kurse shpenzimet me 36.80%.

“Për vitin 2017, edhe përkundër faktit se të ardhurat dhe shpenzimet nuk u realizuan në masën e planifikuar nga kryetari i komunës Këshillit komunal nuk iu propozua rebalanc i buxhetit, por është bërë rishpërndarje e mjeteve buxhetore me vendime të ndara”, thonë revizorët.

Komuna e Kisella Vodës ka dërguar vërejtje ndaj raportit, duke informuar se rebalanci i buxhetit nuk është bërë për shkak të aktiviteteve zgjedhore në lidhje me zgjedhjet lokale në vitin 2017 dhe afateve për konstituimin e këshillit të ri komunal. Këtë përgjigje revizorët e vlerësojnë si njoftim që tregon se revizioni e ka për detyrë t’i nxjerrë në pah dobësitë në planifikimin e buxheteve komunale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button