A do të arrijmë ta presim më në fund demokracinë?

Duke pasur parasysh të gjitha ngjarjet problematike të cilat ndodhën gjatë vitit të kaluar në pikëpamjen e demokracisë, fitohet përshtypja se edhe konstatimi i përmirësimeve minore të cilat nuk e ndryshojnë kategorizimin e Maqedonisë si vend pjesërisht i lirë dhe regjim hibrid, që do të thotë dhënie e vlerësimit më pak favorizues.

A ka demokraci në Maqedoni sot? Dhe a ka pasur ndonjëherë? Përgjigjet në këto pyetje në masë të madhe varen nga definicioni i pranueshëm i demokracisë, si dhe nga afinitetet partiake të atij i cili i jep ato. Raportet të cilat e vlerësojnë gjendjen e demokracisë në shtetet e botës ofrojnë një ndihmë të caktuar gjatë formulimit të vlerësimit. Kuptohet, edhe ato, madje edhe kur përpiqen të sigurojnë objektivitet maksimal, nuk duhet të konsiderohen si apsolute, pasi që përpilimi i tyre niset nga një kuptim i caktuar i demokracisë, i cili nuk është as i vetmi, dhe poashtu nuk është e domosdoshme të konsiderohet si më i pranueshmi.

Përkundër kësaj rezerve, vlen tu kushtohet vëmendje vlerësimeve të gjendjes së demokracisë në Maqedoni, me qëllim që diskutimi për këtë temë të bëhet paksa më i argumentuar. Zakonisht, kur paraqitet lajmi për raportet më të reja, në të cilat Maqedonia në shumicën e rasteve është krah për krah me disa shtete afrikane dhe aziatike, kjo nxit revolt tek qytetarët, ndërsa qeveria (cila do qoftë ajo) gjen elemente të raportit nëpërmjet të cilave e shfaq gotën jo si gjysëm të zbrazët, por si gjysëm të mbushur dhe… ditën e ardhshme gjithçka vazhdon me të vjetrën.

Vlerësimi mbi nivelin e demokracisë në vend është i rëndësishëm edhe gjatë përcaktimit të qëndrimit se sa garnitura aktuale qeverisëse ia arriti ta përmbushë njërin nga premtimet kyç të saj, se do ta rikthejë demokracinë në Maqedoni. Dhe kur bëhet fjalë për këtë, duhet të mbahet parasysh se tek parametrat politike, për dallim prej atyre ekonomike, mund të arrihet një ndryshim domethënës për një periudhë shumë më të shkurtër kohore. Kështu, nëse gjatë një-dy viteve të ardhshme ndoshta nuk mund të arrihet të anulohet problemi me papunësinë apo varfërinë, atëherë mundet që për periudhën e njëjtë kohore, të bëhet hap i rëndësishëm përpara në nivelin e demokracisë, të drejtat njerëzore dhe sundimin e ligjit. Kuptohet, kur ekziston vullneti.

Fridom Haus: Maqedonia mbetet vend pjesërisht i lirë

Raporti i Fridom Haus mbi lirinë globale është më i njohuri në botë. Për përpilimin e raporteve të saj, kjo organizatë përdor sistem të përbërë prej tre kategorive, i cili përmban pikë, rejting dhe status. Në sajë të pikëve të vendosura për një vend të caktuar (të cilat fillojnë nga 0 për vendet më pak të lira deri më 100 për ato më të lirat) për vendin përcaktojnë edhe rejting dhe status. Vendet të cilat janë të vlerësuara si të lira kanë rejting prej 1,0 deri më 2,5, rejtingu i vendeve pjesërisht të lira është prej 3,0 deri 5,0, ndërsa i jo të lirave nga 5,5 deri më 7,0.

Në raportin për vitin 2018, Maqedonia u vlerësua me 59 pikë, një pikë më shumë se vitin e kaluar, me rejting të pandryshuar prej 3,5 pikësh dhe me status të pandryshuar të vendit pjesërisht të lirë. Me karakteristika të këtilla, Maqedonia renditet në vendin e 110-të prej gjithsej 209 shtete dhe territore. Në Evropë, ajo është në një të pestën e fundit nga të gjitha shtetet. Prej rreth 50 shtete evropiane, vetëm tetë janë më keq të rradhitura se ajo (Moldavia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Armenia, Turqia, Rusia, Bellorusia dhe Azerbejxhani).

Megjithëse lajmet „pozitive“ për Maqedoninë në këtë raport kanë të bëjnë me rritjen e pikëve për një të qindtën, (nga 58 në 59), dhe që, ja, nuk jemi të fundit as në Ballkan e as në Evropë, qeveria shikoi – përparim. Ashtu, zëdhënësi Boshnjakovski e gjeti të arsyeshme të deklarojë: „Edhe raporti i fundit i Fridom Haus tregon në faktin se politikat të cilat i zbaton kjo qeveri kontribuojnë ndaj përmirësimit të gjendjes dhe ngritjes së lirisë së të shprehurit dhe të folurit.“ Ndërsa ministrja Carovska shkoi edhe më larg dhe në vlerësimin e Maqedonisë si pjesërisht të lirë ajo pa „hapërim të madh përpara të shtetit tonë“.

Në qoftë se krahasohet rejtingu i Maqedonisë për vitin 2018 me rejtingjet e viteve të kaluara, midis tjerash mund të shihet edhe se sa i keq është rejtingu për vitin 2018 dhe se sa qeveria aktuale dështoi në aspektin e „rikthimit të demokracisë“. Fillimisht, rreth „rikthimit të demokracisë“, duhet të theksohet se Maqedonia në vazhdimësi, që nga vlerësimi i parë i Fridom Haus për vitin 1992 e deri në atë të fundit për vitin 2018, ka status të vendit pjesërisht të lirë. Respektivisht, se ajo asnjëherë nuk ka qenë e vlerësuar si shtet i lirë. Gjë e cila nga një anë e problematizon pohimin se demokracia duhet të rikthehet në Maqedoni. Së paku sipas evaluimit të Fridom Haus, konkluza është se demokracia në Maqedoni nuk mund të kthehet, për arsyen e thjeshtë se ajo as që ka ekzistuar ndonjëherë. Si vijim i kësaj, demokracia në Maqedoni duhet të aplikohet në të ardhmen.

Së dyti, është brengosës fakti që rejtingu prej 3,0 pikë të indeksit të cilat Maqedonia i kishte për 12 vite të tëra (nga viti 2002 deri në vitin 2013) në vitin 2014 ra në 3,5 dhe që atëherë nuk e ka arritur as nivelin e ulët të demokracisë të cilin e kishte midis viteve 2002 dhe 2013. Ndërsa analiza e pikëve për Maqedoninë në periudhën 2002-2018 (shih Grafikun 1) tregon e sa thellë është bllokuar demokracia gjatë viteve të fundit dhe se sa qeveria e re e LSDM-së dhe BDI-së gjatë dy viteve në pushtet nuk arriti ta ngritë demokracinë as në nivelin në të cilin ishte gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së deri në vitin 2014. Duke i pasur parasysh vlerësimet negative për qeverisjen e tyre edhe për periudhën deri në vitin 2014, si nga opozita e atëhershme ashtu edhe nga opinioni i përgjithshëm dhe ai i ekspertëve, bëhet e qartë se çfarë konkluze duhet të sillet për atë se sa është e përkushtuar qeveria aktuale ndaj vlerave demokratike.

Grafiku 1: Numri i përgjithshëm i indeks pikëve për demokracinë në Maqedoni nga viti 2002 deri më 2018. Burimi: Freedom House

„Ekonomist“: Maqedonia mbetet regjim hibrid

Do të ndalemi më shumë edhe tek vlerësimi mbi nivelin e demokracisë në Maqedoni i korporatës britaneze mediatike „Ekonomist“. Ajo që nga viti 2006 e publikon Indeksin e demokracisë, i cili sistemet e qeverisjes nëpër botë i klasifikon në katër grupe: demokraci të plota (prej 8 deri 10 pikë), demokraci të pamjaftueshme (prej 6 deri 8 pikë), regjime hibride (prej 4 deri 6 pikë) dhe regjime autoritare (prej 0 deri 4 pikë).

Në raportin më të ri për vitin 2018, Maqedonia renditet në vendin e 78 prej gjithsej 167 shtete dhe territore, për 10 pozita më lartë në krahasim me vitin e kaluar. Rezultati i pikëve të saj është 5,87 pikë, me çka vendi mbeti në grupin e regjimeve hibride. Megjithatë, për Maqedoninë potencohet se është midis shteteve me përmirësime të dukshme në krahasim me vitin e kaluar, së bashku me Armeninë, Ekuadorin, Haitin dhe Tunisin.

Mund të duket pozitiv fakti që Maqedonia ka përparuar edhe në rezultatin edhe në vendndodhjen në tabelën në krahasim me vitin e kaluar. Edhe fakti që është e veçuar midis vendeve me përmirësime të dukshme mund të duket pozitiv. Mirëpo krahasimi me pikët dhe statusin të cilin e kishte gjatë viteve të kaluara seriozisht e vë në pyetje atë vlerësim pozitiv. Siç shihet në Grafikun 2, Maqedonia ka qenë e vlerësuar në mënyrën më pozitive në vitin 2006, kur i ishte përcaktuar statusi i demokracisë së pamjaftueshme. Pastaj, deri në vitin 2014, ajo e mbante po të njëjtin nivel që më pas në vitin 2016 të fundoset dhe të kalojë në regjim hibrid. Gjatë viteve të fundit shënohet avancim në krahasim me pozitën e ulët të vitit 2016, por ai përparim nuk është vlerësuar si i mjaftueshëm që Maqedonia të dalë nga grupi i regjimeve hibride. Gjithashtu ai përparim nuk e bëri Maqedoninë shtet më demokratik në vitin 2018 nga ajo që ishte në vitin 2015 dhe paraprakisht. Është e rëndësishme të theksohet, posaçërisht në kontekst të partizimit të debatit publik, se regjimi hibrid në Maqedoni, sipas „Ekonomist“, ekziston gjatë vitit të fundit të qeverisjes së VMRO-DMPNE-së dhe BDI-së (viti 2016) dhe gjatë dy viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së (vitet 2017-2018).

Grafiku 2: Numri i përgjithshëm i pikëve për demokracinë në Maqedoni prej vitit 2006 deri në vitin 2018. Burimi: Radio Mof

Edhe tek indekset tjera për demokracinë vërehet trendi i njëjtë i përmirësimeve me hapa të breshkës gjatë dy viteve të fundit të cilat janë aq të imëta sa e „avancojnë“ sistemin e qeverisjes në Maqedoni verëm deri në atë nivel të ulët i cili ishte karakteristik për vitet 2014-2015. Kjo vlen, për shembull, edhe për raportin mbi korrupsionin të Transparensi Interneshënëll sipas së cilit Maqedonia në vitin 2018, edhe pse shënoi rritje për 2 indeks pikë dhe 14 pozita, ka nivel dukshëm më të lartë të korrupsionit se sa në vitin 2015 dhe në krahasim me vitet paraprake.

A ka në të vërtetë edhe avancim sado pak të vogël?

Duke marrë parasysh të gjitha ngjarjet problematike të cilat nga pikëpamja e demokracisë ndodhën në vitin e kaluar, fitohet përshtypja se konstatimi i përmirësimeve minore të cilat nuk e ndryshojnë kategorizimin e Maqedonisë si vend pjesërisht i lirë dhe regjim hibrid, do të thotë dhënie të vlerësimit më pak të favorshëm. Do të thotë, gjatë konstatimit edhe të përmirësimeve më të vogla, kjo duhet të argumentohet në sajë të përgjigjes të shkeljeve vijuese të perceptuara të standardeve demokratike (të gjitha vetëm për një vit):

– në lidhje me ndryshimet kushtetuese: shkelje e Kushtetutës gjatë formulimit të pyetjes së referendumit, kushte jo të barabarta për udhëheqjen e fushatës për referendumin, mbushje e kutive votuese dhe mosreagimi i prokurorisë ndaj padive penale në lidhje me këtë çështje, mosrespektimi i rezultateve të referendumit, instrumentalizimi i pushtetit gjyqësor, sigurimi i votave të deputetëve përmes ryshfetit, shantazhimit, amnestimeve dhe ndryshimeve të Kodit penal, „lëshimit“ të qëllimshëm të një sëre institucionesh gjatë ikjes së Gruevskit apo lëshimit të tyre të paqëllimshëm pa i dhënë llogari askujt;

– në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve: shkelje dhe shfrytëzim i boshllëqeve të Kushtetutës, si nga ana e Kuvendit ashtu edhe nga Kryetari (ku praktika e anashkalimit të Kushtetutës vazhdoi edhe në vitin 2019 me publikimin e këtij ligji pa nënshkrimin e Kryetarit);

– në lidhje me qeverisjen e përgjithshme: plotësimi i pozitave të funksionarëve në mënyrë partiake në vend se në sajë të ekspertizës, shpikja e pozitave për të rehatuar persona partiakë dhe raste të vazhdueshme të punësimeve klientelistike dhe në sajë të nepotizmit në sektorin publik, ndryshimi i dispozitave ligjore për rritjen e rrogave të funksionarëve “të lënë pa të drejta” etj.

Rruga përpara apo rruga teposhtë?

A mund të thuhet në kontekst të tërë kësaj se në vitin 2018 Maqedonia ka shënuar çfarë do përmirësimi, qoftë edhe atë më të vogël sa i përket demokracisë? Apo konkluza më adekuate është se, përkundrazi, Maqedonia ka përjetuar rrënie plotësuese, edhe më të thellë në statusin e saj të vendit jo të lirë dhe regjimit hibrid?

Është e dukshme edhe sjellja e paskrupullt e strukturës qeverisëse në vazhdimin e agjendës së saj deri në fund, pa marrë parasysh çmimin. Ndërsa kjo pasqyrohet negativisht në besimin e qytetarëve në vlerat demokratike. A vlen të respektohen standardet demokratike kur kjo është në kundërshtim me interesin tënd personal? Nëse të tjerët i shkelin vlerat demokratike, a nuk të jep kjo të drejtë që edhe ti të veprosh ashtu?

Aktet e thyerjes së demokracisë gjithmonë kanë efekt të vazhdueshëm negativ në të ardhmen. Pasi vetë garnitura qeverisëse gjithmonë mund ti shfrytëzojë si arsyetim, pasi që edhe vetë ajo ka pasur të drejtë të zbatojë praktika jodemokratike të qeverisjes. Që të mos na çojë kjo spiralë me kahje teposhtë, edhe më poshtë se pika ku ndodhemi tani, duhet të bëhet prerje e qartë në praktikimin e qeverisjes.

Struktura aktuale qeverisëse nga dita në ditë dëshmon se nuk është e aftë ta bëjë atë prerje. Dhe tregon se thyerjet e demokracisë nga ana e qeverisë paraprake më shumë dëshiron ti trajtojë si pretekst që edhe ajo të veprojë në mënyrë të ngjashme, të njëjtë apo edhe më të keqe, se sa si shembull për prakstika të cilat nuk guxon ti riprodhojë. Në Maqedoni nevojitet politikë e re. Politikë e re, për të cilën partitë të cilat kanë qeverisur deri më tani në Maqedoni, me strukturën e tyre klienteliste dhe praktikat jodemokratike, janë të paafta që ta praktikojnë. A ka shoqëria kapacitet ta imponojë atë politikë, mbetet të shihet në të ardhmen.

Shkrimi është marrë nga Respublica.edu.mk. Autor: Zdravko Saveski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button