Dëbora ka “pushtuar” Stambollin, janë anuluar dhjetëra fluturime

66 fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare pësuan vonesa në aeroportin “Ataturk” në Stamboll, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që e zbardhën krejtësisht qytetin më të madh të Turqisë, njofton Top Channel.

Bora dhe erërat e forta bënë që të anulohen edhe disa udhëtime me traget. Pas paralajmërimeve të shërbimit meteorologjik shtetëror turk për kushte të ashpra atmosferike, në rrugët e qytetit është hedhur kripë, për të shmangur krijimin e akullit.

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, shkroi në Twitter se ekipet e qendrës së koordinimit të emergjencave, AKOM, janë mobilizuar me qëllimin të sigurohen se trafiku rrugor nuk do të ketë probleme.

“Ne presim sidoqoftë që dhe drejtuesit e mjeteve e kalimtarët vetë të tregohen të kujdesshëm”, vazhdon mesazhi i guvernatorit. Një deklaratë e lëshuar nga AKOM-I, sqaron se temperaturat gjatë fundjavës ranë 8 deri në 10 gradë Celsius në provincat veriperëndimore të Turqisë.

Erërat e fuqishme dhe reshjet e dendura të dëborës janë bërë gjithashtu shkas për rrëzimin e disa pemëve në Stamboll, ndërsa rrugët që çojnë në gati 27 fshatra të vogla të provincës Kırklareli, janë bllokuar.

Por pavarësisht këtyre pasojave negative, dëbora ka krijuar edhe skena piktoreske, duke kënaqur ata që pëlqejnë dimrat e bardhë, e duke nxjerrë në rrugë fëmijë e të rritur për të luajtur me të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button