Rama: Opozita ngriti mure. Basha nuk përballon dot një humbje tjetër
“Nuk është mirë që ata u larguan, por Shqipërinë nuk do e kthejnë dot prapa”.
“Të kujdesemi për miqtë demokratë që u tradhtuan nga përfaqësuesit e tyre. Ata nuk janë popull, por tradhtuan popullin që i zgjodhi për t’i përfaqësuar”, theksoi kreu i qeverisë.
Nga Gjirokastra, në takimin “Bashkia Që Duam”, Edi Rama sfidoi përsëri opozitën kur tha: “Ata e dinë shumë mirë që nuk kanë asnjë shans me ne për të na mundur. Lulzimi nuk e përballon dot dhe një humbje tjetër. Janë në panik pasi nuk kanë asnjë mundësi të pengojnë drejtësinë. Shqiptarët e dinë që drejtësia e re ka disa punë me ta”.
Rrugën e Shqipërisë për të shkuar përpara nuk e hedhin dot në erë, theksoi Rama.
“Politika e përçarjes për të goditur interesat e vendit nuk është gjë e mirë. Shumë të tjerë ia dhanë votën opozitës dhe sot janë jetimë. Këta duan të përdorin si mish për top ata që i tradhtuan”, u shpreh kryeministri.
E ndërsa opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme, duket se Edi Rama është i vendosur ta çojë mandatin e dytë deri në fund: “T’i thërrasin mendjes dhe kur të vijnë zgjedhjet e tjera të riparaqiten”.