Urtoje pak fisin tonë të madh, o Zot!

Para disa ditësh, në moshën 102 vjeçare, iku në përjetësi Akademik Idriz Ajeti, njëri ndër albanologët, pedagogët dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, vepra e të cilit përbën njërën prej shtyllave të qëndrueshme të kulturës sonë.

Veprimtaria e tij e gjerë shkencore ka nisur që në vitin 1958, kur doktoroi me temën: “Zhvillimi historik i të folmes gege të shqiptarëve të Zarës dhe Dalmacisë”, për të vazhduar më tej me studimet: “Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XX” (1960), “Hymje në historinë e gjuhës shqipe” (1963), “Ortografia e gjuhës shqipe” (1964), “Historia e gjuhës shqipe” (1969), “Probleme të historisë së gjuhës shqipe” (1971), “Studime gjuhësore në fushë të shqipes I-IV” (1982 – 1989), etj.

Akademik Idriz Ajeti qe njëri ndër ideatorët e hapjes së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës (1960), themelues i revistës së mirënjohur shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962), organizator i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huajt (1974), meritor për organizimin e Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë (1972)…

Thënë shkurt: Idriz Ajeti punoi një jetë të tërë (70 vite të plota) për ta bërë shqipen gjuhë të shkathtë shkence e kulture, për ta përparuar nëpërmjet saj etninë shqiptare. Pa kontributin e këtij Titani të albanologjisë, kultura shqiptare do të ishte më e varfër. Po, mjerisht, ne nuk e ndjejmë fatlumninë që patëm një personalitet si Idriz Ajeti në mesin tonë, sepse po ta kishim ndjerë, do ta përcillnim ndryshe në shtëpinë e tij të fundit.

Mjerisht dhe për paradoksin e paradokseve tona paradoksale, nuk është hera e parë që ne nuk u japim as varr për hor… bijve të zgjedhur të etnisë. Shqip flisnin shtazët që e zhvarrosën Homerin shqiptar – At Gjergj Fishtën. Të gjakut tonë qenë ata që nuk i dhanë 2 m varr Kampionit të shqiptarisë – Faik Konicës, të cilët edhe kur iu sollën eshtrat pas 50 vitesh në Atdhe, bënë yrish ta zhvarrosin… Parlamenti i Kosovës martire qe ai që nuk denjoi të mbajë një minutë heshtje për Odiseun shqiptar – Bekim Fehmiun. Të klasës akademike shqiptare janë gjetobashomujët e “shkencës dhe artit të madh” që nuk e lejojnë vendosjen e bustit të Plakut të pajtimit të gjaqeve – Anton Çettës para institucionit për të cilin kontribuoi një jetë të tërë…

Si është e mundur që edhe për Babain e albanologjisë – Idriz Ajetin të tregojë respekt vetëm Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës, që mbajti një mbledhje komemorative?

A nuk është turp për Republikën e Kosovës që nuk denjoi ta nderojë si e do rendi një personalitet gjigant shkence e kulture si Idriz Ajeti?

A nuk pati mundësi të organizojë një varrim ceremonial me protokoll shtetëror për të dëshmuar para botës një trohë qytetërimi?

Urtoje pak fisin tonë të madh, o Zot!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button