CED: Komuna e Tearcës, Bogovinës, Jegunovcës dhe Mavrovo-Rostushes janë nën mesataren e transparencës

Hulumtim i realizuar në kuadër të projektit të organizatës CED, me mbështetje të shoqatës joqeveritare Transparencë Maqedoni, tregoi se komunat rurale të rajonit të Pollogut janë nën mesataren e transparencës së komunave në nivel shtetëror, njofton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit, pyetjes për informacion të karakterit publik lidhur me shpenzimet për reprezentim gjatë periudhës 2012-2017 iu përgjigjën vetëm komuna e Bogovinës dhe Mavrovo-Rostushes, kurse në afatin e caktuar 30-ditor munguan përgjigjet e komunës së Tearcës dhe Jegunovcës. Të katër komunat gjatë vitit 2018 kanë pasur faqe funksionale në internet, por nuk kanë publikuar detaje për shpenzimet për reprezentim, veturat zyrtare apo tenderët që kanë lidhur për shërbimet e ndryshme që u janë ofruar qytetarëve.

Komunat e Jegunovcës dhe Bogovinës shfrytëzojnë modelin e njëjtë të gatshëm, që kushton 64 dollarë amerikanë e që mundëson që përmbajtja të jetë në tri gjuhë, komuna e Mavrovo-Rostushës shfrytëzon një model të gatshëm pa pagesë, ndërkaq komuna e Tearcës ka një faqe të dizajnuar nga fillimi vetëm për këtë institucion.

I pakënaqur nga kualiteti i informacioneve që publikohen në faqet zyrtare të komunave është edhe Martin Todevski nga QMN dhe koordinator i projektit “Ndjekja e parimeve të administratës publike në ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”.  

“Komunat patjetër të kenë kanale të mjaftueshme për komunikim me palët ose t’i informojnë mjaftueshëm si duhet të mbarojnë një punë të caktuar. Në kuadër të projektit tonë i vizituam të gjitha komunat që të informohemi se si jepen këto shërbime në teren. Të dhënat treguan se vetëm 17 për qind e komunave i publikojnë informacionet në një vend të dukshëm, vetëm 28 për qind kanë publikuar se si paguhen taksat administrative dhe 25 për qind kanë formularë për ato taksa”, thotë ai.

SA SHPENZUAN KOMUNAT PËR REPREZENTIM?

Sipas shpjegimit zyrtar, reprezentimi është një shpenzim që parashihet në buxhet që të shfrytëzohen për përfaqësim të institucioneve gjatë ngjarjeve apo takimeve me palë.

Nga rezultatet e hulumtimit shihet se Komuna e Bogovinës, që numëron afër 29 mijë banorë, ka shpenzuar mbi 105 mijë euro për reprezentim gjatë një periudhe gjashtëvjeçare – prej vitit 2012 e deri në vitin 2017. Për fatura në restorante dhe kafene në vitin 2012 janë shpenzuar afër 19 mijë euro, në vitin 2013 – afër 18 mijë euro, në vitin 2014 – afër 24 mijë euro, në vitin 2015 – afër 28 mijë euro, në vitin 2016 – afër 8 mijë euro, po aq edhe në vitin 2017.

Për një periudhë prej gjashtë vitesh, pra nga 2012 e deri më 2017, Komuna e Mavrovo-Rostushës që numëron 8.6 mijë banorë, ka shpenzuar afër 90 mijë euro për reprezentim. Kjo i bie se çdo banorë ka paguar nga afër 11 euro për harxhimet e kryesisë së komunave për ushqime apo pije. Në përjashtim të vitit 2012, kur harxhimet për reprezentim kanë qenë vetëm 0.2 për qind, në pesë vitet pasuese kjo shumë ka prekur gati 1 përqindëshin e shpenzimeve të përgjithshme të komunës.

Sipas hulumtimit, Komuna e Jegunovcës duket të ketë qenë më dorëmbledhur kur bëhet fjalë për shpenzimet në restorante të bartësve të këtij institucioni. Për një periudhë pesëvjeçare, nga viti 2012 e deri më 2016, kjo komunë ka shpenzuar rreth 22 mijë euro për reprezentim. Kjo njësi e pushtetit lokal numëron 10.790 banorë, që i bie se çdo qytetar për këtë periudhë ka ndarë vetëm 2 euro për të gjitha gostitë e kryetarit dhe funksionarëve tjerë komunalë.

Nga hulumtimi shihet se për dallim nga Jegunovca, Tearca nuk ka grafë buxhetore ku mund të shihen mjetet e planifikuara apo të realizuara për pagesa të faturave nëpër restorante apo kafene. Në fakt, kjo komuna ka disa grafa në buxhet të cilat nuk janë të definuara qartë si “transferta të tjera”, “transferime të ndryshme”…Si grafë që deri diku pasqyron shpenzimet e reprezentimit figuron e titulluar si “shpenzime tjera rrjedhëse”.

Së këndejmi, në një periudhë pesëvjeçare – nga viti 2012 e deri më 2016 – vetëm për këtë qëllim kjo komunë ka shpenzuar afër 91 mijë euro.

KOMUNAT DUHET T’I HAPIN TË DHËNAT PËR QYTETARËT

Jo vetëm Tearca dhe Jegunovca, por një pjesë e konsiderueshme e komunave në Maqedoni nuk përgjigjen në pyetjet e gazetarëve apo organizatave joqeveritare, që parashtrohen duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik. Në bazë të përvojës së deritashme, nga Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP-Maqedoni thonë se njësitë e pushtetit lokal janë më të mbyllura kur bëhet fjalë për dhënien e informacioneve. Në tri hulumtimet e tyre që kanë të bëjnë me shpenzimet për reprezentim, derivate të naftës dhe për numrin e veturave zyrtare asnjë përgjigje nuk kanë kthyer komuna e Karposhit, Sarajit, Demir Kapisë, Sopishtes, Ilindenit, Zelenikovës, Debarcës, Strumicës, Negotinës, Studeniçanit, Tearcës dhe Vrapçishtit. Komuna e Bogovinës dhe Mavrovo Rostushës është përgjigjur për shpenzimet e makinave zyrtare, por jo edhe për reprezentimin dhe për shpenzimet e derivateve të naftës. Komuna e Jegunovcës, ndërkaq, për këtë organizatë është përgjigjur me të dhëna konkrete për të tri temat e hulumtimit.

Nga pushteti qendror paralajmërojnë se do të bëjnë çdo gjë që është në kompetencë të tyre që komunat në Maqedoni të jenë më llogaridhënëse dhe më të hapura në drejtim të qytetarëve.

“Patjetër t’i hapin të dhënat, të jenë më të hapur për opinionin publik. Nevojitet shumë më tepër të publikojnë të dhëna dhe të njëjtat të jenë shumë më të kapshme për qytetarët, si ato në ueb-faqe ashtu edhe në lokalet e komunës”, thotë Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

Sipas hulumtimit, që nga ardhja e kësaj garniture qeverisëse ajo publikon faturat e bartësve të institucioneve që tregojnë shpenzimet e tyre për reprezentim apo për udhëtime zyrtare. Por, shtojnë mosfunksionimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe e Komisionit për Qasje të Lirë deri te Informacioni i Karakterit Publik (KQLIKP), që vjen si pasojë e moskompletimit të përbërjes së tyre, ka bërë që institucionet të mos i ndajnë me opinionin informacionet, për të cilat i obligon Ligji.

Burimi: Center for Education and Development

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button