Djegia e deponisë në Shutkë: Banorët e Çairit, Butelit dhe Vizbegut po thithin helm(FOTO)

Deponia e egër (mbetjet e hedhura) në pjesën ndërmjet komunës Shuto Orizare dhe Vizbeg ka disa ditë që është djegur, edhe pse është shuar shtatë herë brenda dy ditësh. Qytetarët thonë se po thithin ajër i cili mban erë të pastikës së djegur, ndërkohë që shoqatat ekologjike vlerësojnë se pasojat e kësaj dukurie janë edhe vdekjeprurëse, transmeton Portalb.mk. Për të shmangur situatat, qytetarët ekzistimin e deponive të egra duhet ta denoncojnë në numrin 3216644 (Higjiena Komunale), e kurse djegien e tyre në numrin 193 (Qendra për Kundërzjarr). 

Aktivitete duhet të ndëmarrë Inspektorati i Komunës së Shuto Orizares.

Sikurse dy ditët paraprake, edhe mbrëmë qytetarët e Shuto Orizarës, Çairit, Butelit dhe Vizbegut thithën ajër që kundërmonte në plastikë të djegur. Ata thanë se nuk mund të hapin dritaret dhe dyert e dhomave të ndejës, sepse era shumë shpejtë depërton edhe në korridoret e shtëpive të tyre. Ata sqarojnë se kjo gjendje ka ndodhur kohë pas kohë edhe më parë.

“Ka disa ditë që është ajri i ndotur. Na hynë edhe në shtëpi. Digjen mbeturina, askush nuk ndërmerr asgjë. Ka ndodhur edhe më parë kjo. Ja mund ta shihni edhe vetë se të djeg fyti. Gjithmonë nis në orën 21:00 – 22:00, dhe vazhdon deri në mëngjes”, thanë për Portalb.mk banorë të Lagjes “Bërsjaçka Buna”.

Rasti është paraqitur edhe nga “Duam Çair të Pastër”, kurse nga iniciativa ekologjike “O2” alarmojnë se gjatë djegies së deponive, lëshohen substanca toksike (helmuese) dhe mutagjene (vdekjeprurëse).

“Një nga vatrat e Shkupit sot, Vizbeg – Shutkë ku po digjet deponi. Këso vatra kemi edhe në Saraj – Gjorçe, Karposh, Gazi Babë. Zgjidhja e këtij problemi do të jetë shenjë se gjërat janë duke shkuar në të mirë dhe se do të fillojë të funksionojë sistemi, institucionet në shtet. Kjo dukuri është e ndaluar me Ligj dhe dënohet, por është duke na ndodhur çdo ditë, gjatë tërë viti dhe jo vetëm në Shkup. Kjo dukuri është ndër më të këqijat, liron toksina, substanca mutagjene, të cilat mbeten gjatë kohë në ajër, dhe depozitohen në trupin tonë. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet në luftën për uljen e ndotjes së ajrit”, thonë nga “O2”.

Formimi i deponisë së egër – Higjiena Komunale Shkup

Aktiviteti i Inspektoratit të Qytetit të Shkupit në deponinë në Shuto Orizare, 20 shkurt 2019

Para djegies së deponisë, është një problem tjetër, ekzistimi i deponisë së egër ose i mbetjeve të hedhura. Këto lloj deponish nuk janë në kompetencë të Ndërmarrjes “Higjiena Komunale Shkup”, por nëse qytetarët, autoritetet lokale dhe mediat e raportojnë formimin e deponisë së egër, Higjiena Komunale e pastron të njëjtën.

“Ne nuk kemi kontroll inspektues në Higjienë Komunale që të dënojmë. Ne jemi të obliguar që ta mbledhim mbeturinën, por nuk e kemi për detyrë që t’i dënojmë shkelësit e Ligjit për higjienë publike. Kjo është shkelje direkte e Ligjit, kur digjet çfarëdo qoftë hapësirë publike. Te ne deponitë e egra nuk janë në kuadër të aktivitetit tonë të rregullt. Aktivitet i yni i rregullt është që t’i pastrojmë shportat e mbeturinave. Kur do të kemi denoncim, nga Qyteti, qytetarët ose edhe nga Komuna, ose të na shkruajnë shkresë, se aty ka deponi të egër, atëherë ne shkojmë e pastrojmë. Apelojmë të mos gjuajnë mbeturina në hapësira publike, por nëse vërejnë të tilla deponish, mund ta paraqesin në numrin 3216644”, thanë për Portalb.mk, nga Higjiena Komunale.

Çfarë pas denoncimit?

“Pas kësaj ne dalim në terren, e mbledhim deponinë. Por nëse në ndërkohë dikush e djeg doponinë, ne nuk mund ta dënojmë. Problemi qëndron se deponitë e egra vazhdimisht krijohet. Ka raste se sot e kemi pastruar, për dy ditë sërish është krijuar”, njoftuan nga Higjiena Komunale.

Djegia e deponisë  – Qendra për Kundërzjarr

Qendra Kundërzjarr 193
Qendra Kundërzjarr 193

Nga Shërbimi Kundërzjarr i numrit “193”, njoftuan se për dy ditë, shtatë herë kanë shuar zjarrin e kësaj deponie, mirëpo ajo sërish digjet. Ata shkojnë e shuajnë, dhe ikin.

“Ne nuk mund të ndërmarrim hapa. Ne shkojmë, i shuajmë dhe shkojmë. Kemi qenë aty. Ja në mëngjes kemi qenë. Gjatë këtyre dy ditëve kemi dalë shtatë herë, dhe digjet vazhdimisht. Inspektorati komunal duhet të ndërmarrë hapa, dhe të tregojë se çfarë do të bëhet me atë deponi”, thanë nga Shërbimi i Kundërzjarrit.

Deponitë e egra nuk janë nën kompetencë të Ministrisë së Ekologjisë

Inspektori ekologjik, Hisni Thaçi për Portalb.mk sqaroi se kompetente për deponinë në Shuto Orizare kompetente është inspektorati komunal, Ndërmarrja Publike Higjiena Komunale Shkup dhe Inspektorati i Qytetit të Shkupit, por jo edhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor (Ministria e Ekologjisë).

“Nuk kemi ndërmarrë aktivitete, sepse problemi qëndron se ne nuk jemi të autorizuar për deponitë nga mbeturinat e hedhura. Ato realisht nuk janë deponi, por janë mbetje të hedhura nga qytetarët. Digjen, ka inspektorati komunal, Ndërmarrja Publike për Higjienë Komunale, Inspektorati i Qytetit të Shkupit dhe ata i kanë kompetencat. Ata duhet t’i grumbullojnë mbetjet e hedhura. Këto janë përgjegjës për atë lloj të deponive. Ne nuk merremi me atë lloj të deponive, por me deponi që kanë të bëjnë me përmbushjen e standardeve”, tha Thaçi.

Përndryshe, në Shuto Orizare nuk është problemi vetëm me këtë deponi të egër, pasi të ngjashme shihen edhe afër shtëpive të banuara. Portalb.mk para disa ditësh alaramoi edhe për kanalizimet e hapura të kësaj komune dhe për mungesën e një plani urbanistik.

LEXO: Të gjithë e dinë gjendjen, në Shuto Orizare ende jetohet mes deponish dhe kanalizimeve të hapura

Deponi të tjera në Shuto Orizare

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button