Ngjarja e 27-prillit, seanca për imunitetin e Veljanoskit do të vazhdojë nesër

 

19.00.- Nesër në mesditë vazhdon seanca e Komisionit kuvendor për Çështje të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve në rend dite të së cilës është kërkesa për miratimin e paraburgimit për deputetin Trajko Veljanovski, I akuzuar për përfshirje në ngjarjet e 27 prillit, përcjell Portalb.mk.

Kryetari i Komisionit Pavle Bogoevski, e ri caktoi mbledhjen për nesër për shkak të numrit të madh të deputetëve të cilët janë paraqitur për diskutim.

———————————————————————————————–

Seanca e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka nisur me akuza dhe mohim të faji nga ana e deputetëve Goran Misovski dhe Trajko Veljanoskit, transmeton Portalb.mk.

Në seancën ku po diskutohet heqja e imunitetit të deputetit i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, i dyshuar, se bashkë me Nikolla Gruveskin, Nikolla Boshkovskin, Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin kanë organizuar sulmin më 27 prill të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë, deputeti Veljanoski ka mohuar se ka pasur njohuri paraprakisht për sulmin.

“As në mendje nuk më ka shkuar se mund të ndodhë ndonjë rast i tillë”, ka thënë Veljanoski.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i Partisë Popullore Social Demokrate (PPSD), Goran Misovski i cili ka vlerësuar se tërë ngjarja është organizuar në Pallatin e Bardhë (selinë e VMRO-së).

“Tërë sulmi është organizuar dhe koordinuar nga Pallati i Bardhë. Ka pasur shumë spekulime për këtë ngjarje, por hetimi i ka sjellë në kahe tjetër. Ne nuk mund ta vlerësojmë aktin prokurorial”, tha Misovski.

Debati në Komision në disa momente ka qenë me tensione, dhe është diskutuar edhe për incidentin që ka ndodhur në burgun e Shuto Orizares ku fizikisht u sulmuan, dy të dyshuarit e tjerë Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, Komisioni ka afat dy ditë që ta shqyrtojë kërkesën e Gjykatës dhe ta dërgojë vendimin te kryetari i Kuvendit. Pas marrjes raportit nga Komisioni, Kuvendi për tre ditë duhet të caktojë seancë plenare, në të cilën, me shumicë të thjeshtë duhet të votohet për marrjen e imunitetit të deputetit, Trajko Veljanoski.

Debati për heqjen e imunitetit vjen pasi që Gjykata Themelore Shkupi, deri te Komisioni ka dorëzuar kërkesë për paraburgim të deputetit Veljanoski, sepse i njëjti është i dyshuar si organizator i ngjarjeve të 27-prillit, në kohën kur ka qenë kryesues i Kuvendit të Maqedonisë.

Prokurorja Villma Ruskovska ka sqaruar se arrestimet e ish kryeparlamentarit – T.V. (Trajko Veljanoski), ish ministrave – M.J. (Mile Jankieski) dhe S.R. (Spiro Ristovski), ish agjentit – N.B. (Nikolla Boshkovski) dhe ish kryetarit të partisë – N.G. (Nikolla Gruevski), vijnë pas realizimit të procedurës parahetimore.

Për N.G. dhe N.B. do të kërkohet ekstradim, pasi që i pari gjendet në Hungari, kurse i dyti në Greqi. Për M.J. dhe S.R. është kërkuar paraburgim, kurse për T.V. nuk është caktuar asnjë masë, pasi që fillimisht duhet t’i merret mandati prej deputeti. Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.

LEXO: Ngjarja e 27-prillit, Joveski dhe Ruskovska: Kërkojmë të respektohet prezumimi i pafajësisë
LEXO: Ngjarjet e 27-prillit, Prokuroria është duke përndjekur edhe Gruevskin e Boshkovskin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button