21 Janari, kryeministri Berisha do sulmohej me snajper

Për afro një orë, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi rrëfeu në gjykatë për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër demonstrues në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë. Ndrea Prendi, i cili përballet me akuzën e vrasjes, i tregoi gjykatësit Besnik Hoxha dhe dy anëtarëve të trupit gjyqësor se Garda kishte marrë informacione se do të sulmoheshin institucionet, Parlamenti dhe Kryeministria.

Një tjetër detaj i rëndësishëm në dëshminë e Prendit ishte fakti se Garda kishte marrë informacione se persona të inkriminuar kishin porositur snajperë në Gjermani dhe do të qëllonin kryeministrin Berisha në momentin kur do të largohej nga Kryeministria për në shtëpinë e tij.

Prendi tha se Garda kishte gjithashtu dyshime se mjeti që tentoi të hynte në Kryeministri kishte eksploziv dhe, sipas tij, kur makina shpërtheu derën e Kryeministrisë gjendja u agravua, raporton BW.

Ai deklaroi se në momentin që ra kordoni i policisë, kontaktoi me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, për të rivendosur kordonin, që do të ndihmonte jo pak forcat e Gardës që ishin vendosur në brendësi të godinës së Kryeministrisë.

“Armët e zjarrit janë përdorur vetëm në zbatim ligjor të nenit 25 dhe në zbatim të nenit 7 të ligjit mbi përdorimin e armëve të zjarrit. Pasi kanë mbaruar fishekët manovër, është qëlluar me fishekë luftarakë në ajër.  Kam qëlluar në ajër edhe me armën time të brezit, por më pas jam goditur dhe kam rënë pa ndjenja”, deklaroi ish-kreu i Gardës.

Lajme të ngjashme

Back to top button