BE: Vendimi për mandatet pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri

Vendimi i partive opozitare në Shqipëri për të djegur mandatet parlamentare ka shkaktuar reagime si brenda vendit, ashtu dhe të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian(BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri, në një deklaratë të përbashkët kanë theksuar se vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

“Kuvendi është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, jo të bojkotohen. Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minojnë progresin që ka bërë vendi në udhën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e tyre, të publikuar nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Më tej në deklaratën e përbashkët thuhet se Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të “marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat provokuese.”

Ndërkohë, ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, i cili në deklaratën e tij i bën thirrje opozitës në Shqipëri të qëndrojë në parlament.

“Në një demokraci legjislatori është shkalla e parë ku çështjet politike që prekin të gjithë vendin duhet të debatohen dhe ku duhet të kërkohen zgjidhjet. Opozita shqiptare nuk duhet të braktisë parlamentin. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika e dhunshme dhe dhuna në rrugë”, ka theksuar Jagland në reagimin e tij, publikuar nga zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Partitë opozitare mbajtën sot një protestë para selisë së sallës së seancave të Kuvendit të Shqipërisë që zgjati disa orë, për të kërkuar “përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve, respektimin e të drejtave të qytetarëve, garantimin e proceseve zgjedhore të lira dhe krijimin e një qeverie tranzitore”.

Kujtojmë se Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), vendosën djegien e mandateve parlamentare dhe insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa seanca e sotme parlamentare u anulua.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, edhe në rastin kur ai heq dorë nga mandati, ose kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Në rast se mandatet shpallen zyrtarisht të pavlefshëm, sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një vendim politik, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosin se si do të realizohet procedura për plotësimin e vakancës së deputetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button