Arrestohet Sami Hamiti, kryesues i KK të Prishtinës

Nën dyshime për korrupsion, policia e EULEX-it ka arrestuar në paraditen e së mërkurës tre persona, në mesin e tyre edhe një zyrtar të lartë të komunës së Prishtinës.

Siç bëhet e ditur, në mesin e të arrestuarve është kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitin, i cili po ashtu është edhe zyrtar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zyrtarët e EULEX-it, thanë se të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se rasti është duke u hetuar nga një ekip i përzier i prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Gjatë një operacionit, sot policia e EULEX-it arrestoi tre persona, në mesin e tyre një zyrtar i lartë i komunës së Prishtinës. Të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin”, bëri të ditur Krasniqi.

Nga ana tjetër, në rastin e Hamitit është angazhuar avokati kosovar Tomë Gashi.

Ai tha se klienti i tij, i cili aktualisht është duke u mbajtur në njërin nga objektet e EULEX-it, në orët e pasdites do të merret në pyetje për një aferë të mundshme korrupsioni.

“Prokuroria e EULEX-it i ka hapur hetimet. Sot ata kanë kërkuar që ai të merret në pyetje dhe kjo do të ndodh pasdite”, tha avokati Gashi.

Ndryshe, deri më tash zyrtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, lidhur me arrestimet nuk kanë dashur të prononcohen. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button