Në Shqipëri shënohet 28-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha

Në Shqipëri sot shënohet 28-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi simbolikisht edhe rënien e diktaturës në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me këtë datë, institucionet shtetërore, por edhe organizatat e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare kanë organizuar disa aktivitete, që synojnë ndërgjegjësimin për pasojat e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri, forcimin e dialogut mbi të shkuarën komuniste, si dhe promovimin e veprave shkencore mbi diktaturën.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka hapur në Tiranë ekspozitën fotografike me temë “Qëndresa”, ku të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë, të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Tiranës.

Shënohet 28-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha
Foto Anadolu Agency

Në fjalën e saj në aktivitet, drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari, tha se kjo ekspozitë hapet me rastin e 20 shkurtit, dita e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Kjo ekspozitë nis me përkujtimin e tre kryengritjeve. Është kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1945, kryengritja e Postribës në vitin 1946, që ishin dy kryengritjet e para antikomuniste në të gjithë Evropën Perëndimore, jo vetëm në Shqipëri për të vijuar me atë të Zhapokikës në vitin 1948, që ishte një dëshmi që komunizmi në Shqipëri u kundërshtua me forcë jo vetëm në veri, por edhe në jug”, deklaroi Demollari.

Sipas saj, qëndresa antikomuniste e organizatave ilegale si dhe eliminimi i inteligjencës deri në vitin 1951 dhe fundi tragjik i saj pati një efekt të rëndë psikologjik për shoqërinë dhe bëri që të fashitej çdo formë rezistence pas vitit 1951.

Duke folur për ekspozitën, Demollari tha: “Në ekspozitë janë përfshirë trakte antikomuniste të vendosura në Tiranë dhe Korçë, që janë shembuj të akteve të revoltës ndaj udhëheqësve të regjimit komunist dhe vazhdon më tej me revoltën e burgut të Spaçit, Qafëbarit, me raporte të Ministrisë së Brendshme mbi demonstratat e vitit 1990 dhe përfundon me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Ky akt ishte simbol i shpresës së madhe që u ngjall atë ditë, shpresës se krimi dhe vrasjet politike kishin marrë fund.”

Ekspozita “Qëndresa” do të qëndrojë e hapur deri me datë 28 shkurt, ndërsa nëpërmjet fotografive pasqyrohen të gjitha përpjekjet, revoltat, kryengritjet e zhvilluara nga shqiptarët për përmbysjen e regjimit komunist nga viti 1945 deri më 20 shkurt 1991, kur mijëra qytetarë rrëzuan në Tiranë shtatoren e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ish-diktatori Enver Hoxha e udhëhoqi Shqipërinë komuniste me dorë të hekurt në vitet 1944-1985. Shtatorja e tij u rrëzua më 20 shkurt 1991, gjatë një demonstrate popullore në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button