Retorika ushtarake kundrejt retorikës akademike

Në skenën politike ballkanike, falë tregimeve heroiko-epike të së kaluarës, edhe në kushte të paqes, mbisundon retorika e fjalorit ushtarak të hiperbolizimit dhe madhërimit të luftëtarit të shpatës dhe sot të pushkës, të cilët kanë qenë dhe janë të gatshëm të japin edhe jetën për mbrojtjen dhe lirinë e atdheut dhe sigurimin e ardhmërisë për gjeneratat që vijnë.

Në skenën politike evropiane, falë distancës së largët të tregimeve të heroizmave kalorësiakë dhe të heronjve të luftërave të fundit botërore, dhe falë zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, fjalori i tillë i hyjnizimit të luftëtarëve të pushkës, shërben vetëm si literaturë shkollore për mësimin e lëndës se historisë dhe letërsisë, por nga ana tjetër mbisundon hyjnizimi dhe mitizimi i shpikësve më të mëdhenj të teknologjisë që nga makina e avullit dhe energjia elektrike deri te anijet kozmike dhe mjetet e udhëtimit me destinacion Planetin e marsit.

Në një situatë kur një popull lufton për mbijetesë dhe formimin e shtetit nacional, deri diku edhe mund të ketë qenë i arsyeshëm përdorimi i fjalorit ushtarak si inspirim për të luftuar për të drejta nacionale, por kur një luftë e tillë të mbarojë, pushka ia lëshon vendin lapsit dhe shkencës.

Jo rastësisht në vende të përparuara demokratike, ushtarakët nuk janë të lejuar të ndërhyjnë në punët e shtetit por vendin e kanë në ushtri dhe polici për të bërë karrierë profesionale, ndërsa pushtetin politik e ka në dorë vetëm pushteti civil, në mënyrë që të kontrollohet keqpërdorimi i mundshëm i pushtetit ushtarak për nevoja personale.

Nëse ndonjë ushtarak i dalluar vendos të bëjë karrierë politike, është i detyruar të heq dorë nga uniforma dhe karriera luftarake dhe t’i nënshtrohet rregullave të lojës dhe garimit jo vetëm në bazë të vlerave të luftës, por edhe në bazë të aftësisë së tij personale profesionale që ka për të ofruar, për të udhëhequr me punët e shtetit.

Për të konkurruar në fushëbetejat e politikës, kërkohet vizioni i tij se si mendon ta avancojë shtetin në aspektin e ekonomisë dhe mirëqenies, në aspektin e strukturës politike dhe juridike të shtetit dhe sigurimit të drejtësisë së paanshme me qasje të barabartë për të gjithë, pastaj në aspektin e zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së vendit, si partner i barabartë dhe konkurrues me vendet në rajon dhe më gjerë.

Në një situatë të tillë, kur kërkohet një profesionalizëm i skajshëm shkencor dhe një përgatitje superiore profesionale, për të çuar vendin më tej drejt zhvillimit  teknologjik dhe industrial, drejt sigurimit të investimeve të mëdha ekonomike dhe vendeve të reja të punës, përgatitja profesionale e ushtarakut është gati e papërfillshme për të garuar në beteja që kërkojnë njohje të mirëfillta të funksionimit të ekonomisë, drejtësisë dhe teknologjisë shkencore.

Vendet e Ballkanit janë jo rastësisht importues të gatshëm të prodhimeve teknologjike nga jashtë, sepse brenda nuk kanë kuadro dhe mjete të mjaftueshme për të prodhuar produkte të tilla teknike për eksport. Edhe produktet bujqësore dhe blegtorale mezi arrijnë t’i plasojnë brenda dhe lëre më jashtë, falë fuqisë së vogël pagesore të konsumatorit, pasi që fundja edhe nuk kanë çka të ofrojnë tjetër përveç fjalorit të heroizmave të kohës së mesjetës, ku edhe kemi mbetur,  krahasuar me periudhën e zhvillimit të tejavancuar ekonomik dhe teknologjik të shteteve më të përparuara botërore.

Është fakt se realiteti është i hidhur, por është edhe burrërore të pranohet, në mënyrë që të shkëputemi nga e kaluara dhe të hapërojmë guximshëm drejt të ardhmes për t’i mbërritur ata që janë shumë përpara nesh!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button