Të gjithë e dinë gjendjen, në Shuto Orizare ende jetohet mes deponish dhe kanalizimeve të hapura

Shuto Orizarja është e vetmja komunë e romëve në botë, dhe një ndër më të pazhvilluarat në Maqedoni. Rrugët janë të paasfaltuara, nuk ka plan urbanistik, as ajër të pastër, sepse shpesh herë digjen deponi. Banorët jetojnë mes deponish dhe kanalizime të improvizuara aty për aty. Fëmijët romë të kësaj komune, por edhe të komunave tjera të Maqedonisë, janë jashtë procesit arsimor, prandaj shihen rrugëve të Shkupit duke kërkuar lëmoshë, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Avokati i Popullit, deputetët romë dhe Ambasada e Bashkimit Evropian, janë të informuar për gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë romët. Në konferencën “Ndalimi i diskriminimit të fëmijëve romë” të gjithë premtuan se nuk do të ketë diskriminim dhe se do të investohet për romët, por pamjet që i siguroi Portalb.mk, dëshmojnë se gjendja e mjerueshme do të vazhdojë edhe gjatë kohë.

Për mungesën e infrastrukturës alarmoi edhe Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti.

“Ne vazhdojmë të shohim romë që jetojnë në vende pa infrastrukturë të zhvilluar, pa rrjet të ujësjellëst dhe pa rrjet të energjisë elektrike por edhe pa të drejta të lirive”, tha Mehmeti.

Pjesëtarja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa tha se romët jetojnë në varfëri dhe papunësi.

“Vërejtjet janë se romët vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe papunësi”, tha Mustafa.

Konferenca “Ndalimi i diskriminimit të fëmijëve romë”

Ambasadori i Bashkimi Evropian, Samuel Zhbogar shprehu habinë se si është e mundur që vetëm 40 për qind e fëmijëve romë të ndjekin procesin parashkollor.

“Si është e mundur vetëm 40 për qind e fëmijëve romë të ndjekin arsimin parashkollor, ose të ketë mungesë të shkollave fillore? Problemi me të cilin përballen romët, është kompleks dhe prandaj na duhet qasje integruese, politika shtetërore dhe lokale që të zgjidhen problemet. Duhet të përputhen qëllimet me ligjet, koordinimet politike dhe gjetjen e fondeve”, tha Zhbogar.

Megjithëse problemet janë ekzistenciale, prioritet mbetet mungesa e dokumenteve personale të romëve.

“Në seminarin që u mbajt një vit më parë, u dakorduam se lista e prioriteteve janë fëmijët, mungesa e dokumenteve personale dhe të pastrehët”, tha Zhbogar.

Kryeministri Zoran Zaev premtoi se derisa ka edhe një rast të diskriminimit të romëve, nuk do të ketë “Jetë për të gjithë” në Maqedoninë e Veriut.

“Derisa të kemi edhe një rast të diskriminimit në shtetin tonë, mbetet detyrë dhe obligim i yni që të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, mbetet në nivelin më të lartë në agjendën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Askush nuk do të jetë i diskriminuar. As i anashkaluar. Më së shumti jo ndonjë fëmijë, e veçanërisht fëmijë të kategorive të prekura”, tha Zaev.

Dy deputetët romë asnjëherë nuk alarmuan për gjendjen e romëve

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë dy deputetë të përkatësisë rome, Amdi Bajram dhe Samka Ibraimoski, të cilët në seancat e pyetjeve të deputetëve nuk janë parë duke alarmuar për gjendjen e mjerueshme të romëve. Madje që të dy pretendojnë që të kandidojnë për president të shtetit të Maqedonisë, për siç janë shprehur ata, sepse duan të dëshmojnë votën e romëve.

Konferenca “Ndalimi i diskriminimit të fëmijëve romë”, në fokus Samka Ibraimoski

Megjithëse deputet për vite me radhë dhe lideri i partisë Lidhja e Romëve, Amdi Bajram është i vetëdijshëm se diskriminimi i romëve ka qenë dhe vazhdon të jetë i pranishëm. Ai iu falënderua organizatave joqeveritare, pasi që kanë detektuar rastet e diskriminimit të romëve në Maqedoni.

“Ne kemi hy në BE, dhe romët nuk duhet të jenë të diskriminuar”, tha Bajrami.

Ndërkaq deputeti tjetër dhe lideri i partisë për Emancipimin e Romëve në Maqedoni, Samka Ibraimoski njoftoi se së shpejti në Kuvendin e Maqedonisë do të votohet Rezoluta për zgjidhjen e probleme të romëve.

“Për ata që nuk e dinë, ne në Kuvend veç më kemi formuar grup parlamentar interpartiak për avancim të romëve. Ky grup është duke punuar për integrim të romëve në shoqëri dhe për përmirësim të statusit të tyre. Kemi përpiluar Rezolutë, dhe së shpejti do të votohet në Kuvend. Rezoluta do të mundësojë që shumë shpejtë do të zgjidhen problemet e romëve”, tha Ibraimoski.

Kurto Dudush
Kurto Dudush

Ironike, në agjendën e konferencës nuk ishte kryetari Dudush

Në konferencën “Ndalimi i diskriminimit të fëmijëve romë” që u mbajt sot në Shkup, fjalim nuk mbajti kryetari i Komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush. Dudush nuk ishte paraparë as në agjendë.

Përndryshe, për të mundësuar integrim në procesin parashkollor të fëmijëve romë, Qeveria e RMV-së ka sjellë vendim që nga participimi i çerdheve të lirohen 450 fëmijë të përkatësisë kombëtare rome, të moshës prej 3 deri 6-vjeçare. Komunat duhe të lirojnë nga participimi 450 fëmijë romë, për qëndrim në çerdhe gjatë periudhës kohore 01.12.2018 – 31.12.2019.

Rezultatet nga regjistrimi i fundit që u bë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2002, japin popullsinë rome me 53,879, ose 2.7% të popullsisë në tërësi. Ndërsa vlerësimet jozyrtare zakonisht janë dyfishi i shifrave zyrtare. Romët janë të shpërndarë në të gjitha 85 komunat në territorin e Maqedonisë së Veriut, por afërsisht një e katërta e popullsisë rome është e përqëndruar në komunën më të madhe rome Shuto Orizari.

Papunësia në RMV: 5.2% e të gjithëve janë romë

“Raporti rajonal mbi antidiskriminimin dhe pjesëmarrjen e romëve në vendimmarrjen lokale”, i OSBE-së në vitin 2013-të, tregoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), 5.2% e papunësinë e përbëjnë qytetarët romë.

Në një analizë të kryer në vitin 2010 vlerësohet se shkalla e papunësisë në mesin e Romëve në vitin 2008 ka qenë 75 për qind, ndërkohë që mesatarja kombëtare ishte rreth 30 për qind. Sondazhi rajonal i vitit 2011 mbi Romët, në anën tjetër, vlerëson shkallën e papunësisë në mesin e Romëve në mes të moshës 15 dhe 64 vjeç në 53 për qind, që është pak më pak se dyfishi i shkallës përkatëse në mesin e popullsisë jorome që jeton pranë vendbanimeve rome. Ndërsa analiza e vitit 2010 vlerëson varfërinë e bazuar në të ardhura në mesin e romëve në 63 për qind (krahasuar me 27 për qind për maqedonasit etnikë dhe 29 për qind për shqiptarët etnikë), rezultatet e sondazhit të vitit 2011 japin shkallën e varfërisë të bazuar në të ardhura në 41 për qind në mesin e romëve dhe 14 për qind në mesin e joromëve.

Arsimi fillor: 60% e romëve

Në mungesë të të dhënave zyrtare të ndara sipas përkatësisë etnike, një studim i vitit 2011 vlerëson shkallën e përfundimit të shkollës fillore në mesin e romëve në rreth 60 për qind, në krahasim me mbi 90 për qind midis maqedonasve etnikë. Ky vlerësim duket se përshtatet mirë me rezultatin e sondazhit rajonal mbi romët të vitit 2011 që jep shkallën 74% e romëve të moshës 7 deri 15 vjeç që shkojnë në shkollë.

Arsimi i mesëm: 27% e romëve

I njëjti studim konstatoi se shkalla e regjistrimit në nivelin e lartë të shkollës së mesme tek romët e moshës 16 deri 19 është 27%, në krahasim me 65 për qind në mesin e popullsisë jorome që jetojnë pranë vendbanimeve rome.

Gjendja rëndohet edhe më tej, sepse sipas të njëjtit Raport, një e treta e të gjithë fëmijëve të regjistruar në arsimin fillor për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore, janë romë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button