Paga minimale në Kosovë më e ulëta në rajon

Partia Socialdemokrate në opozitë, (PSD), organizoi sot një tryezë të rrumbullakët “Pagë për jetë”, në të cilën u diskutua mbi pagën minimale në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

PSD tashmë dërgoi një kërkesë në Kuvend për interpelancë lidhur me pagën minimale, dhe nga shkaku i kësaj, organizoi tryezën e rrumbullakët ku do të konsultohej me sektorin civil që më vonë të dilet me propozimet më të mira për zgjidhjen e kësaj çështjeje në Kuvend.

Zëvendëskryetari i PSD-së, njëherësh deputet në në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, tha se kjo çështje për një kohë të gjatë është lënë në harresë, duke përkujtuar se paga minimale nuk ka ndryshuar fare që nga viti 2011, ndonëse ka pasur shumë lëvizje ekonomike dhe ndryshime pagash në sektorin publik.

Siç tha ai, kjo çështje është aktualizuar sidomos pas miratimit të ligjit për pagat, i cili do të hyjë në fuqi në shtator, i cili si i tillë nuk do të përfshijë numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë, ata të sektorit privat.

“Bazuar në të gjitha raportet dhe analizat, rezulton se paga minimale në Kosovë është më e vogla në rajon, dhe jo vetëm ajo minimale por edhe paga reale në raport me fuqinë blerëse. Paga minimale aktuale në Kosovë është 170 euro për ata mbi 35 vjeç dhe 130 euro për më të rinjtë se 35 vjeç. Kjo pagë nuk mbulon as nga afër nevojat për jetë dhe i vendos punëtorët në pragun e varfërisë”, tha Ymeri.

Ndërkohë deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Punë Sociale, tha se në përgjithësi, në Kosovë ka një papunësi të madhe dhe se 80,7 për qind e grave në Kosovë nuk kërkojnë punë fare për shkak të gjasave të vogla për t’u punësuar.

Ajo tha se gratë diskriminohen si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat sepse edhe kur janë në punë, pagat i kanë më të vogla në krahasim me burrat.

“Gratë janë në një situatë të palakmueshme ekonomike, me paga të ulëta, kontrata të përkohshme dhe nuk janë të lira, atyre u shkelen të drejtat themelore të njeriut. Gratë në Kosovë janë pothuajse të përjashtuara nga jeta publike dhe politike, me çka rrezikojnë varfërinë edhe familjet e tyre”, tha ajo.

Baftiu është e mendimit se përcaktimi i pagës minimale duhet të jetë rezultat i një dialogu gjithëpërfshirës të cilës do të duhet t’i paraprijë një analizë e hollësishme e kushteve ekonomike në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button