EULEX konsulton kosovarët për mandatin e vet

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks ka thënë se ky mision, edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, do të mbetet në Kosovë për ta zbatuar mandatin. 

Ai, në një takim me gazetarë serbë, ka thënë se EULEX-i ka zhvilluar bisedime me autoritetet kosovare për të siguruar vazhdimin e aktiviteteve në përputhje me synimet e vendeve anëtare të BE-së, përkatësisht për të monitoruar, mentoruar dhe këshilluar autoritetet kosovarë në fushën e sundimit të ligjit.

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar një marrëveshje disa ditë para përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, përmes së cilës mundëson mbetjen e EULEX-it në Kosovë.

Sparks, ka folur edhe për pjesën veriore të Kosovës, në të cilën ka thënë se do të dëshironte të shihte ndryshime në të mirë të qytetarëve.

Ai ka theksuar se EULEX-i ka rrezikuar edhe jetët e personelit të vet në këtë pjesë, derisa incidente më të shpeshta në kohët e fundit ka pasur në rrethinën e Zubin Potokuit.

Sparks ka kujtuar se vendet anëtare të BE-së ia kanë zgjatur mandatin EULEX-it deri në qershor të 2014-ës, por, nëse do të mbetet më gjatë ose jo misioni në Kosovë, sipas tij, kjo do të bëhet në konsultime me autoritetet kosovare./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button