Në Shkup filloi Java e FIlmit Iranian

Në organizim të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në bashkëpunim me Kinotekën e Maqedonisë, sonte në Shkup filloi Java e Filmit Iranian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e Javës së Filmit Iranian, mori pjesë ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Shkup, Husein Karim dhe një numër i madh i adhuruesve të filmit iranian.

Duke filluar prej mbrëmë, 18 shkurt deri më 23 shkurt, adhuruesit e filmit do të kenë mundësi që të vijojnë filma të ndryshëm të kinematografisë iraniane.

Bëhet fjalë për filma të produksionit më të ri iranian, nga regjisorë të njohur, drejtorë fotografish dhe emra të shquar të aktorëve iranianë që kanë pozitë të rëndësishme në kinematografinë botërore dhe kanë fituar shumë çmime festivalësh.

Ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Shkup, Husein Karim, në deklaratë për mediat duke përkujtuar se populli në Iran para 40 vitesh rrëzoi regjimin diktatorial të shahut tha se programi i sivjemë organizohet pikërisht gjatë përvjetorit të fitores së revolucionit islamik.

“Vlera më e madhe e revolucionit tonë është ajo se revolucioni bazohej në vlerat njerëzore dhe morale. Për këtë shkak ne jemi dëshmitarë se 40 vitet e fundit vendi ynë ka përparim të shkëlqyeshëm në sferën e artit veçmas në sferën e kinematografisë”, tha Kerim.

Karim theksoi se Irani momentalisht konsiderohet si një nga pesë vendet më të rëndësishme në botë në sferën e filmit dhe se në vit në Iran xhirohen mbi 100 filma të zhanreve të ndryshme.

Java e Kinomatografisë Iraniane filloi me projeksionin e filmit “Fëmijët e parajsës (1997) në regji të Maxhid Maxhidi. Kritikët e filmit e përshkruan këtë film të Maxhidit si version iranian të “Vjedhësve të biçikletave” (1948) të De Sika-s.

Në kuadër të programit filmik do të shfaqen edhe filmat: “Kafiteria në kufi” (2005) në regji të Kambuzia Partovi (19 shkurt), “Mos e vrit mendjen!” (2003) të Mohsen Garai dhe Afshin Hashemi (20 shkurt), “Ku i kam këpucat?” (2016) në regji të Kiumars Porahmad (21 shkurt), “Mos u turpëro” (2018) në regji të Reza Magsudi (22 shkurt) dhe “Ku është shtëpia e mikut tim?” (1987) në regji të Abas Kijarostami (23 shkurt).

Në kuadër të Javës së Filmit Iranian me rastin e 40 vjetorit të fitores së revolucionit islamik në Iran, në Kinotekën e Maqedonisë u ekspozuan edhe fotografi të vendeve të vjetra dhe moderne të Iranit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button