Me shkas…

Të nderuar lexues,

Fjala e urtë popullore thotë “Prite punën pa u bë, se kur t’bëhet, mos bën zë!”

Me keqardhje e morëm lajmin e hidhur për aksidentin e tmerrshëm që mori jetë njerëzish e që la edhe të tjerë në gjendje ‘më mirë vdekur se sa gjallë’. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave duke e lutur Zotin t’ju japë durim në këto momente makthi për ta. Të mbijetuarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë me sa më pak pasoja…

T’i kthehem asaj për të cilën edhe mora të shkruaj.

Në lajmet e ditës së djeshme e të sotme, ka filluar të flitet për realizimin e kontrolleve teknike të jashtëzakonshme të kompanisë së autobusëve, njëri prej të cilëve u aksidentua. Ajo që vërtet më huton totalisht në këtë rast është se ku qëndron poenta e kësaj ndërmarrjeje: të hetohen pasojat, problemet “e mundshme” teknike, gjendja psiko-fizike e vozitësit, gjendja e autostradës, shpejtësia e mjetit… çka? Mbasi vdiqën 15 vetë? E dini ju se sa kompani të këtilla me gjithçka brenda tyre të dyshimtë ka në Maqedoni? Të gjitha ato kryejnë aktivitete të përditshme transporti qeniesh njerëzore – nxënës shkollash, punëtorë, etj. Tani, mos vallë duhet të presim të ndodhin te secila prej atyre nga një aksident si ky, që më pas t’i fusim në “kontrolle teknike të jashtëzakonshme” për të konstatuar parregullsitë e tyre??? Zot na ruaj. Kësaj i thonë përtallje me ndjenjat njerëzore, kësaj i thonë hipokrizi, kësaj i thonë KRIM. Kjo që po na ndodh neve është KRIM. Dhe ky KRIM del përtej aksidentit në fjalë. Ky KRIM vërehet edhe te qentë endacakë nëpër rrugët e qyteteve tona; ky KRIM vërehet te ndotësit e ambientit (nga uzina pa asnjëfarë lloj licence a standardi ekologjik) që çdo ditë të Zotit po na ngulfatin nëpër vendbanimet tona (personalisht i kam fotografuar dhe i kam raportuar rastet në faqen zyrtare të komunës sonë (http://tetova.gov.mk/ereport/) pa asnjë lloj reagimi a ‘feedback-u’ siç do të thoshin anglezët.

Të nderuar, edhe sa viktima duhet të ketë që të mbusheni me mend më në fund që masat duhen marrë përpara se të ndodhë tragjedia e jo pastaj të tregoni pallavra e të shtirreni sikur bashkëndjeni me familjet e viktimave dhe të të aksidentuarve të tjerë. Sikur vërtet ta kishit pasur këtë ndërgjegje, ndryshe do i kishim punët.

Edhe sa fëmijë duhet të kafshohen nga qentë që më në fund t’ju kujtohet se diçka duhet bërë edhe më këtë problematikë?

Edhe sa qytetarë duhen sëmurë që më në fund t’ju kujtohet se ndotësit e paskrupullt duhen ndëshkuar rreptësisht?

Edhe sa qytetarë duhen helmuar që më në fund t’ju kujtohet se automjetet e regjistruara dhe teknikisht të kontrolluara (pa mos qenë fare në pikat e kontrollit teknik) duhen ndaluar njëherë e përgjithmonë;

Edhe sa njerëz duhet të vuajnë që më në fund t’ju kujtohet se jeni zgjedhur prej tyre dhe jeni aty ku jeni për t’i mbrojtur e për t’i përfaqësuar ata?

Lexues të nderuar, mua s’më mbetet gjë tjetër përpos që të lus të madhin Zot që t’ju mbrojë nga KRIMET e përmendura dhe t’ju japë shëndet e lumturi, sepse vërtet nuk ka mbetur askush tjetër për t’iu drejtuar e për t’i kërkuar të kontribuojë sadopak në mirëqenien e kësaj shoqërie e të kësaj popullate.

Autor: Kujtim Ramadani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button