Ligji për “Branitellat” patate e nxehur për lojëra të ndyra politike

Intervistë me kryetarin e shoqatës “Dostoinstvo” Stojançe Angellov 

PORTALB: Problemi me ish pjesëtaret e forcave te sigurisë se Maqedonisë ashtu siç pretendohet edhe nga shqiptaret, për ish pjesëtarët e UÇK-së, mbetet i pazgjidhur për një kohë të gjatë. Mund të na thoni se çfarë është bërë në të kaluarën dhe çfarë bëhet tani për të drejtat e tyre?

S. ANGELLOV: Ne gjithmonë kemi konsideruar se problemi kryesor për të drejtat tona si ish pjesëtarë te luftës qëndron në dhënien e dëmshpërblimit për shkaktimin e dëmit jo – material, apo dhënien e ndihmës financiare për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve te luftës. Ish Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski, ne kohën e tij akordoi një shumë prej 4 mijë euro për të dëmshpërblyer familjet që pësuan nga lufta. Këtë e konsideruam një shumë jo të mjaftueshme dhe kërkuam nga Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqej nga Ljube Boshkovski, një zgjidhje më të favorshme të çështjes tonë, ndonëse gjetëm mirëkuptimin e tij, kërkesat tona u bllokuan nga Nikolla Gruevski i cili ishte Ministër i financave, me pretekstin se ne shumë kërkonim. Në atë kohë bëhej fjalë për shumë disa milion marka gjermane, duke pasur parasysh numrin e evidentuar prej 200 të lënduarve dhe 20 persona të vrarë nga forcat e sigurisë.

Me ardhjen e LSDM-së në pushtet në vitin 2002, ata jo vetëm që nuk  na trajtuan si duhet, por edhe i  nënçmuan  “ Branitellat”,  duke u ofruar punë ne pozita të ulëta. Zgjidhjen e këtij problemi e kërkuam në radhët e VMRO – DPMNE-së, pjesëtarë të së cilës isha edhe unë në atë kohë, duke shpresuar njëkohësisht se rilindja ekonomike e Gruevskit, do ti  korrigjojë padrejtësitë që na i bëri LSDM-ja. Me ardhjen në pushtet, Nikolla Gruevski filloi te sillej më keq me “ Branitellat”, ata kërkuan që ti kthejmë parat që kishin marrë. Nëse një invalid kishte marrë 10 mijë euro si dëmshpërblim, ai u detyrua që ti kthejë 12 mijë euro duke llogaritur edhe kamatën, gjithnjë nën pretekstin se jemi pasuruar pa bazë.
Në vitin 2001 në Maqedoni nuk u shpall gjendje lufte dhe policët që morën pjesë në luftë nuk e kishin për detyrë të luftojnë. Të ishte shpallur lufta nuk do kërkonim të drejta tani.  Ndërsa dalja në luftë nga MPB ishte 30 % me këtë fakt prishet dhe morali i luftës. Për fat që edhe ato të UÇK-së, janë të pakënaqur dhe ndjehen të mashtruar nga komandantët e tyre, nga Ali Ahmeti si komandant.

PORTALB: Mendoni se gjatë vitit 2001 duhej të ishte shpallur gjendje lufte në Maqedoni?

S. ANGELLOV: Po, u duhej  të ishte shpallur  gjendje lufte dhe të ballafaqoheshim deri në fund me ekstremistët, ky është mendimi im si luftëtar. Megjithatë më mirë do të ishte të mos kishte pasur  luftë, disa herë e kam thënë edhe sikur të mos  kishte luftë shqiptarët do ti kishin fituar të drejtat e tyre ndoshta disa vite më vonë,  sepse Lupço Georgievski dhe Arben Xhaferi  e thyen akullin dhe ne maqedonasit filluam të kuptojmë se disa gjëra që iu dhanë shqiptarëve nuk janë dhe aq të këqija. Me dialog politik pa luftë e nisën mirë. 

PORTALB: Ligji i vitit 2002, nuk rregulloi statusin tuaj, çfarë konkretisht keni përfituar nga ky ligj?

S. ANGELLOV: Gjatë vitit  2002 u miratua ligji i cili na ofroi disa benificione dhe të drejta. Përkujdesja e miratuar me ligjin e vitit 2001 kishte të bënte kryesisht me  invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, ndërsa  për ato që nuk janë lënduar,  por kanë marrë pjesë në luftë janë parashikuar vetëm dy të drejta: përparësi në punësimi në institucione buxhetore dhe mundësinë për studim falas në fakultet. Ne kemi thënë gjithnjë publikisht se trajtimi i shtetit ndaj familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës nuk është i keq, përpos në pjesën e dëmshpërblimit. Për të tjerat jemi të kënaqur dhe nuk themi gjë. Beneficionet janë se: familjet e dëshmorëve kanë mundësi ti shkollojnë fëmijët e tyre falas, përparësi për të qëndruar në shtëpitë e studentëve, u punësuan nga një anëtar i familjes i të gjithë dëshmorëve , vëlla motër ose fëmijët e tyre, morën banesa të gjithë familjet e dëshmorëve , deri diku janë këto beneficionet. Duke pasur parasysh se jetojmë në Maqedoni kjo është e mjaftueshme. Çështje më senzitive ishte pjesa e dëmshpërblimit sepse ato i morëm përmes padive. Unë morra dëmshpërblim dhe s’jam paditur nga qeveria. Unë jam i kënaqur nga të drejtat që kam dhe nuk kërkoj për vete por si komandat i mbroj të drejtat e tyre. 

PORTALB: Çështja shtrohet për ata që nuk kanë marrë lëndime gjatë konfliktit të viti 2001. Çfarë prisni të rregullojë ligji i shumëfolur, mos është kjo një lojë politike e partnerëve te koalicionit qeveritar?

S. ANGELLOV: Propozim ligji i ri që thirret në rregullimin e çështjes së “ Branitellave” është dyfytyrësi e partnerëve të koalicionit qeveritar. Ata,  luajnë me fatet  dhe inteligjencën tonë për të fituar  politikisht. Të njëjtën gjë është duke e bërë edhe  dhe BDI-ja,  për fat të keq. Të dyja palët thirren në emër të patriotizmit, por në të vërtetë ndodhë e kundërta. Patriotizëm nënkupton të kujdesesh për familjet e dëshmorëve, për invalidët. Fatkeqësinë e viti 2001 e përjetuam edhe ne por edhe ato të UÇK-së. 
Përkundër shushurimave të vazhdueshme nuk ofrojnë asgjë të re me ligjin e ri , për të pa lënduarit, vetëm një të drejtë: pranim të përvojës së punës në kohëzgjatje të dyfishtë. Me këtë ligj deri diku kanë pranuar dëmshpërblimin,  por na kanë përgjysmuar sasinë e parave që kërkojmë. Kreditë e parapara për banesa nuk janë të nevojshme sepse te gjithë morën banesa.  Nëse ndryshon qeveria do të kërkojmë dhe më shumë, të jetë njëjtë për të gjithë.

PORTALB: Partia shqiptare në pushtet,  BDI-ja, nuk do të lejojë miratimin e ligjit. Cfarë pasojash mund të sjell mosmiratimi i ligjit?

S. ANGELLOV: Ligji e ka mbështetjen e LSDM dhe VMRO, qoftë eshë pas një viti do të vijë në rend të ditës. Kalkulimet e tanishme i vlerësojmë si lojë politike  të VRMO-së dhe BDI-së. As njëra  parti  nuk është e sinqertë me luftëtarët e tyre. Nëse VMRO vërtetë dëshironte ta zgjidhte problemin tonë atëherë do të dilnin me propozim ndryshim të ligjit. Ligji i vitit 2002 UÇK-në e definon si grupe paramilitare të armatosura ekstremiste, nëse do bënin ndryshime do të duhej mos i preknin definicionet për to.

PORTALB: Partitë shqiptare kërkojnë që i njëjti ligj të vlejë edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së, kjo paraqet ndonjë pengesë për ju?

S. ANGELLOV: Nuk kemi asgjë kundër, nëse ish pjesëtarët e UÇK-së marrin dëmshpërblim nga ata për të cilët luftuan. Këtë nuk duhet ta kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë, sepse gjatë vitit 2001 ata luftuan kundër shtetit. Ne “ Branitellat” kemi mbrojtur shtetit, ndërsa ata në krye me Ali Ahmetin kanë luftuar për të mbrojtur kauzën e Shqipërisë së Madhe. Jam i bindur se lufta nuk ishte për të drejta, por për shkëputjen e një pjese të Maqedonisë.  Ish ushtarët e UÇK duhet ti kërkojnë të drejtat e tyre nga Ali Ahmeti, diaspora dhe populli shqiptar. Gjithashtu,  mendoj se dhe mafia shqiptare është një nga më të fortat dhe mund tu ndihmojë, por këtë nuk duhet ta kërkojnë nga shteti.  

PORTALB: Shqiptarët nuk u shkëputën gjatë konfliktit  të 2001, ata derdhin shumë para në arkën e shtetit, kush duhet të kujdeset për ish pjesëtarët e UÇK-së?

S. ANGELLOV: Ali Ahmeti është dashtë të kujdeset për to, ishte në Qeveri me LSDM-në, tash me VMRO-në, është dashtë ta shfrytëzojë rejtingun dhe të mbledhë para nga shqiptarët për të dëmshpërblyer ish luftëtarët e UÇK-së.  Më sa duket Ali Ahmeti dëshiron të zgjidh çështjen e ish pjesëtarëve të UÇK-së, në rrugë institucionale, dukë u thirrur në atë se maqedonasit nuk na lejojnë të zgjidhim këtë çështje dhe është e vërtetë se nuk do lejojmë.

PORTALB: Kryetari i BDI-se, Ali Ahmeti ka premtuar zgjidhjen e statusit te ish pjesëtarëve të UÇK-së, në rrugë institucionale, sa mund të arrihet ky kompromis në Qeveri?

S. ANGELLOV: Çfarë institucionesh kërkon, Ali Ahmeti kur ato i sulmuan të njëjtat institucione gjate vitit 2001. Ata  Përdorën dhunë dhe njëkohësisht kërkojnë të  drejta. Dëmshpërblimi i tyre nënkupton legjitimin i dhunës. Aq shumë ishin duke vuajtur shqiptarët që e kishin patjetër të bëjnë luftë?Pajtohem me ju se nuk kishin të drejtat deri diku por s’kishte dhunë mbi to që do ti çonte në luftë.

PORTALB: Miratimi i Ligjit mund të çojë në prishjen e koalicionit qeveritar. Gruevski mund të tërheqë ligjin për të shpëtuar Qeverinë, nëse BDI-ja do të qëndrojë në pozicionet  e saja. Do te thotë kjo rahati për të dyja palët?

S. ANGELLOV: Jo nuk besoj se do të ndodhë prishja e koalicionit qeveritar. Nëse VMRO e tërheq ligjin do ti humbë zgjedhjet. Me lojëra politike ata vazhdojnë të mbajnë nivelet e larta politike, njëra palë dukë u marrë më “branitellat” dhe tjetra palë duke u marrë me ish pjesëtarët e UÇK-së.  Më lehtë do të kalonte ligji nëse do të ishte ndaras. Ndoshta  do të bënin ndonjë problem tjetër për të tërhequr vëmendjen dhe nga ana tjetër  do të kishin votuar. Si tani, që askush nuk flet për shtrejtimet por vetëm për ligjin e ish pjesëmarrësve të forcave të sigurisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button