Të nderuar vëllezër

Gjithë ne mundohemi të kuptojmë. Çfarë? Njëri –  tjetrin, natyrën që na rrethon dhe të ndalemi te realiteti jonë i shtrydhur nga dora e politikanit – dhunuesit, që bëhet sikur e do të mirën tonë. Vazhdojmë të besojmë… ka apo jo të drejtë, meritojmë këtë status apo jo? Mbetet fshehtësi e madhe. Po ai grusht politikanësh pa tru po na çon drejt humnerës. Ne bëjmë vetëm Amin, jemi vetëm për lutje! Do të gjykojmë se në të kaluarën gjithçka ka qenë e mundur ngase ka sunduar monarkia. Do të themi se Stalini vrau… gjithë ata që për te ishin kundërshtar apo që e rrezikonin postin e tij, bile vrau edhe qenin e kundërshtarit të tij politik. Shpirti jonë, në këtë rast do jetë më i rehatshëm se nuk jetojmë në monarki. Do të themi faleminderit Zot, nuk jetojmë në atë kohë! Po mjegullat që janë para nesh, këta aktor që ne i quajmë politikan çka bëjnë? Do ju them si Stalini edhe këta tanët kanë një veprim: bëjnë prova të pafundme. Nuk e kam ndërmend të përmendim viktimat e Stalinit, se në fund të fundit ajo i takon të kaluarës dhe një shoqërie tjetër, ne kemi problem tjetër, stalinët që kemi afër nesh. Ata që veprojnë si ai, që helmoi Leninin ngadalë deri në vdekje pa hetuar njeri. Të gjithë këta kanë një synim: pushtetin. Edhe ai, opozitari me vetëbesim të madh mundohet që të marrë pushtetin… dhe në vazhdimësi të jetë i korruptuar. Po mendja e njerëzve, atyre që bëhen se janë të pastër, që jetojnë pa mëkate dhe e ndjekin atë hap pas hapi e kanë pyetur zemrën se çfarë duan??? Me siguri se jo. Turma e njerëzve paraqet rrezik atëherë kur kërcen nën daullen e politikanit dinak. Në rregull, ja pushtetin dhe ja, i arrite të gjitha, mandej çfarë? Do ikësh? Nuk është i sigurt në veten e tij, do pushtet, mandej i etur për pushtet.

E njëjta ndodhi edhe në anën tjetër, të pjesës tjetër shqiptare, në Kosovë. Sa fjalë, sa goditje tavolinash… Keni dëgjuar ndonjëherë se nga dhelpra lind luani? E dhelprat tona bëhet sikur luana kur nuk janë në pushtet. Pushteti i korrupton, thjesht i bënë që të pranojnë natyrën e tyre të lindjes, pra se janë dhelpra. Punët e padobishme rriten nga dita në ditë dhe kalojnë çdo kufi të arsyes. Na erdhën me papuçe e po na shkelin me makina luksoze… në mendje kanë vetëm pushtetin. Po populli? Ai mbetet në varfëri, kështu më lehtë kontrollohet, lëvizet nga një vend në tjetër, gjithnjë në interes të pushtetarëve. Kështu ai shfrytëzohet e mandej… mandej vdes. Gjithandej mjerim, më shumë ikje. Për çka luftuan ata, për ikje?!! Është një e vërtetë se njeriu që brenda vetes ka errësirë, nga ai priten shumë gjëra, nga ata më shkatërruese. Jetë e brishtë, të gjithë jemi në rrezik…

E në Shkupin tim, çfarë bëhet? Ka një epërsi, lashtësinë e tij si kryeqendër. Sot, të shtrembëruar, përbuzur dhe të helmuar… nga darkat që jepen vetëm gjatë zgjedhjeve për këtë popull të uritur.  Shkrepen fotografi, rrjetet sociale të stërmbushura me fytyrat e politikanëve… gjithnjë me mbishkrimin “me të madhin” filan politikanin! Pra, vetë me vetëdije pranon se vetë është i vogël dhe fotografohet me “të madhin”. Eh, ju kujtohet edhe ai që u fotografua me “poetin shqiptar” …e në fakt ka qenë hajdut maqedonas! Tani e keni të qartë se çka dua të them? Ju do ta kuptoni edhe më mirë nëse shikoni më thellë, ata janë të paditurit që kanë pushtetin. Jo rastësisht fotografohet me hajdutin maqedonas, ngase nuk njehë njerëz të zëshëm që kanë dhënë mund për këtë popull, nuk e di historinë e popullit të tij. Mundohemi të largojmë mendimet e këqija, të mendojmë për punët e mira, ëndërrojmë për diçka mrekullueshme, mirëpo është e kot, ndjejmë rrezik afër. Nëse shkojmë kësaj rruge… për tu shtyrë edhe pak e për me qenë shoqëri e vdekur. Ata e duan këtë.

Ne ngushëllohemi me lutjen: o Zot mos na le në dorën e atyre që nuk frikësohen nga Ti e ndaj nesh nuk kanë mëshirë!

Shkruan: Agim Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button