Problemi mes dy gjimnazeve, nuk ekziston

Në lidhje me problemet artificiale të cilat dolën si pasojë e shkëputjes së paraleleve të gjimnazit të Negotinës nga Shkolla e Mesme Komunale “Gostivar”, në konferencë për shtyp, u prononcua kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili theksoi se problemi inekzistent krijohet nga struktura të caktuara të komunës së Vrapçishtit.

“Orari për shpërndarjen e profesorëve ka qenë dhe mbetet kompetencë burimore e drejtorit aktual të gjimnazit të Gostivarit konform ligjit në fuqi dhe ndërrimi është bërë në harmoni mes drejtorit të gjimnazit dhe sektorit përgjegjës për arsimin, duke u përpjekur që në gjimnazin e Negotinës të dërgohen kuadro cilësorë me përvojë dhe nuk bëhet fjalë për ndërrim të kuadrit”, theksoi Osmani, duke sqaruar se gjimnazi i Negotinës është derivat i gjimnazit të Gostivarit dhe kuadri që është pranuar në gjimnazin e Gostivarit në fazën paraprake, i është dedikuar nxënësve të komunës së Vrapçishtit.

Sipas Osmanit,  Komuna dhe gjimnazi i Gostivarit si qëndrim parimor kanë bashkëpunimin korrekt të bazuar në dispozitat ligjore dhe se pa pëlqimin e Komunës së Gostivarit vis a vis gjimnazit të Gostivarit ky gjimnaz nuk mund të jetë funksional.

“Kjo do të thotë se jemi për atë që ky rast të mos politizohet, ndërsa jemi të përgatitur që konform ligjit në fuqi, të përpilohet një bilanc i ndarjes i cili do të respektojë interesat dhe prioritetet reciproke dhe personat të autorizuar të Komunës së Vrapçishtit duhet ta kenë të qartë se pa përkrahjen jo vetëm kuadrovike, por edhe financiare, teknike etj. ky gjimnaz nuk mund të funksionojë” nënvizoi Osmani.

Ai ftoi të gjithë faktorët e përfshirë në këtë çështje që të bëjnë përpjekje maksimale që ky rast të mbetet në korniza të çështjes arsimore dhe të mos lejohet politizimi i tij, sepse në të kundërtën, ai gjimnaz rrezikon të mbetet pa nxënës të komunës së Vrapçishtit duke qenë se nxënësit kanë filluar të kërkojnë të barten në gjimnazin e Gostivarit që nga viti i parë.

Kreu i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, gjithashtu hodhi poshtë dezinformatat e liferuara nga përfaqësues të Komunës së Vrapçishtit se gjimnazi  i ri mban e emrin e dëshmorit “Naser Ademi”.

“Gjimnazi i Negotinës është regjistruar më 05.09.2012 në Negotinë, përkatësisht në komunën e Vrapçishtit me emrin “Shkolla e Mesme Komunale” dhe jo me emrin e dëshmorit “Naser Ademi” siç kanë dezinformuar deri tani përfaqësues të kësaj komune”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button