KOSOVA PAS KËSAJ FESTE

Kosova e festoi njëmbëdhjetëvjetorin e pavarësisë. Një fitore e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë popullin shqiptar, ngase u arrit pas një shekulli e më shumë përpjekjesh e mundimesh të papërshkrueshme të popullit shqiptar për ta hequr qafe zgjedhën koloniale serbe. Për fat të keq kjo liri e ka edhe një pengesë, që në fakt është një absurd: bisedimet me Serbinë për njohje të ndërsjellë. Kjo domethënë se ende kanë mbetur disa punë që duhet të pastrohen me okupatorin e dikurshëm, që për njëqind vjet ka bërë krime të papara mbi popullin e pambrojtur shqiptar: vrasje masive të vazhdueshme, djegie fshatrash, pastrime etnike, asimilim të dhunshëm, dhunë, dhunë, dhunë. Dhe, Serbia në vend se të japë përgjegjësi për gjenocid ndaj popullit shqiptar, shqiptarët duhet të merren vesh me të, që do të thotë se shqiptarët duhet të lëshojnë pe. Madje, rasti i ndjekjeve të ushtarëve të UÇK-së paraqet një absurd tjetër. Nuk kërkohen ata të cilët bënë kërdi mbi civilët shqiptarë nëpër tërë Kosovën, por dënohen mbrojtësit e njerëzve të pafajshëm dhe të atdheut të okupuar. Me një fjalë krimineli po shpallet viktimë.

Kosova festoi pavarësinë, por në këtë festë mbetet një shije e hidhët sepse faktori ndërkombëtar nuk bën presion të mjaftueshëm mbi Serbinë që të heqë dorë nga politikat shoviniste, nga e kaluara e saj e egër antishqiptare. E inkurajuar nga disa fuqi botërore Serbia vazhdon me avazin e vjetër dhe si e tillë, si gjithmonë, mbetet gjenerator i jostabilitetit në rajon. Makineria e saj propagandistike i mban të drejtuara tytat  kundër shqiptarëve dhe kundër demokracive perëndimore, veçmas kundër SHBA-ve. Parreshtur mediat, institucionet e saj, pastaj pjesa dërmuese e politikanëve dhe një pjesë e mirë intelektualëve, e nxisin urrejtjen e kundër të gjithë fqinjëve, veçmas kundër shqiptarëve, duke përhapur të pavërteta dhe duke i fyershumicën e fqinjëve. Të gjithë, sipas kësaj propagande janë të këqij. Vetëm serbët janë të mirë në rajon!

Natyrisht përpjekjet e makinerisë propagandistike serbe janë të dështuara dhe se ajo në mos sot, nesër do të pajtohet me realitetin, ngase shqiptarët dhe popujt tjerë të rajonit nuk kanë alternativë  tjetër përveç lirisë dhe aleancës me demokracitë perëndimore, që do të thotë se dominimi serb në rajon është një e kaluar që s’mund të përsëritet.

Tash pas kësaj feste pritet të fillohen projekte të cilat do të hapin vende të reja të punës dhe pengimin e shpërnguljeve të rinisë, të cilën e dëshiron dhe e nxit me propagandën e vet Serbia. Deri më tash Kosova është ballafaquar me pasojat e problemeve ekonomike që i ka lënë Serbia në Kosovë. Tash e tutje do të ndryshojnë punët. Dhe, sipas të gjitha gjasave së shpejti do të marrë hov zhvillimi ekonomik i cili për pak vite do ta lërë pas vetes zhvillimin e Serbisë, e cila po ballafaqohet me probleme të mëdha. Veç kësaj Serbia vazhdon edhe më tej t’i shkelë të drejtat e njeriut, veçmas të popullsive joserbe që numerikisht nuk janë pak.

Natyrisht Kosova duhet të vazhdojë me përpjekjet e saj që t’i nxjerrë para gjyqit të gjithë kriminelët të cilët vranë e prenë, dogjën e shkretuan nëpër Kosovë e sot e kësaj dite ecin të lirë nëpër Serbi. Dhe, ka gjasa që këta kriminelë të kenë poste të ndryshme nëpër institucionet e Serbisë. Kështu, udhëheqësit e Kosovës sot janë para një detyrimi të rëndësishëm që të mbledhin të dhëna për të gjitha krimet serbe të bëra në Kosovë në mënyrë që të gjenden viktimat e humbura dhe të sigurohet nxjerrja para gjyqit e të gjithë atyre që i kanë duart e përlyera me gjak. Kuptohet se  pas kësaj feste të madhe Kosova duhet të dëshmojë me punë se shtetësia e saj është zgjidhja më e mirë për rajonin, por edhe për vetë Serbinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button