PD vendosi pro “djegies së mandateve parlamentare”, kërkon qeveri tranzitore

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) ka vendosur pro propozimit të kryeartit të opozitës për djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat sot tha se grupi i deputetëve të partisë që ai drejton, “vendosi unanimisht djegien e mandateve”.

“Grupi parlamentar i PD-së vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017. Me vendimin e djegies së mandateve, grupi parlamentar mbështet zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka theksuar Basha.

Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike ka autorizuar Bashën të ndjekë hapat e mëtejshëm rreth vendimit të grupit parlamentar të PD-së.

Një ditë pas protestës së partive opozitare të mbajtur në Tiranë, Basha deklaroi se ka vendosur t’i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve të PD-së djegien e mandateve parlamentare.

Ndërkohë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, edhe në rastin kur ai heq dorë nga mandati, ose kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Në rast se mandatet do të shpallen zyrtarisht të pavlefshëm, sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.

Por në këtë rast, bëhet fjalë për një vendim politik, ndërsa në rast zyrtarizmit të nismës së partisë opozitare, institucionet, konkretisht Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosin se si do të realizohet procedura për plotësimin e vakancës së deputetëve.

Kujtojmë se më 16 shkurt u mbajt protesta antiqeveritare e partive opozitare në Tiranë, e cila u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve, ku protestuesit me sende të ndryshme dëmtuan selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë. Drejtuesit e opozitës pas protestës kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button