Stadiumet e urrejtjes

Si edhe tre monumentet e premtuara shqiptare në projektin bizar Shkupi 2014 – të padëshiruar por megjithatë të pranishëm në një shfaqje qeveritare të luksit të panevojshëm. Kjo duhet të ketë qenë ndjenja e këngëtarëve shqiptarë mbrëmjen e 8 shtatorit, kur urrejtja e tregoi nivelin e ulët të civilizimit shoqëror. Disa ditë më vonë, e njëjta urrejtje eksplodoi edhe në një stadium tjetër, atë të Lucernit, si ilustrim për primitivizmin ndër-shqiptar.  
 
Të shtunën, Maqedonia e festoi përvjetorin e vet të njëzetëenjëtë, datë kjo të cilës edhe nuk i jepet shumë rëndësi, meqë vitet jubilare zakonisht festohen në çdo pesë ose dhjetë vite. Përndryshe, ju humbet vlera nga inflacioni i festimeve pa dallim milionave të shpenzuar, si që rrezikon të ndodhë edhe tani. Simbolika ishte më pak habitëse për rrethanat tona, po aq sa edhe manifestimi i ndjenjës së ekskluzivitetit. Ndjenjë kjo ku disa këngëtarë nga trevat e ish-Jugosllavisë ia rrëmbyen primatin yjeve të estradës vendase, që u replikua edhe më keq kur një grup i të pranishmëve ia rrëmbeu dinjitetin njerëzor dhe momentin e famës këngëtarëve të paktë shqiptarë aty. Fatkeqësisht, duket se jemi bërë aq imunë ndaj klithjeve të urrejtjes, sa që lajmi për fishkëllimin e këngëtarëve shqiptarë as që u raportua në edicionet e lajmeve televizive. Për ta begatuar ndjenjën e rutinës dhe besnike ndaj injorancës së demonstruar, Qeveria mbeti e paprekur nga ky erupcion, duke e shprehur zemërgjerësinë e buxhetit të marketingut që tani do të angazhohet edhe me promovimin e tolerancës.
 
Irritimi dhe ndjenja e fyerjes, që shumica prej nesh me të drejtë e kanë përjetuar mbrëmjen e së shtunës, është shumë e kuptueshme dhe tejet e natyrshme. Edhe një herë, u tregua fytyra e shëmtuar e kësaj shoqërie, ku gjenerata dhe gjenerata ngriten në frymën e urrejtjes ndaj gjithçka që është ndryshe nga vetja. Heshtja sërish mbizotëroi, të paktën në nivel zyrtar dhe publik, meqë në realitetin virtual gjërat rrallë herë mbesin në harresë. Bizare si edhe shumë të tjera rreth nesh, nuk ishin të rralla thirrjet nga vetë shqiptarët se këngëtarëve të tyre jo vetëm që ju duhet fishkëlluar, por ju duhet edhe një dajak i mirë për ta kuptuar gabimin e bërë. Primitivizëm, se jo mahi. Në vend që të shprehet mbështetje për guximin dhe peshën e marrë nga këngëtarët e rinjë për ta vulosur me praninë e tyre manifestimin ultra të shtrenjtë dhe skandaloz, shprehet fishkëllimi përmes disa rreshtave on-line. Atëherë, si dallon kjo nga urrejtja dhe ekskluziviteti i egër i shprehur në stadium?
 
Mijëra kilometra larg, ndeshja futbollistike mes Shqipërisë dhe Zvicrës u parapri nga një sfond i larmishëm, duke pasur pesë shqiptarë në kombëtaren zvicerane. Për dallim nga stadiumi i Shkupit, ku shqiptarët u definuan si të padëshiruar nga disa bashkëqytetarë maqedonas, bashkëkombasit tonë në Zvicër u stigmatizuan me të madhe nga grupe të caktuara shqiptarësh. Zëri i arsyes që me të drejtë ngritet ndaj thirrjeve shoviniste në Shkup, u dëgjua shumë pak kundër racizmit të hapur ndaj lojëtarëve shqiptarë në fanelë zvicerane, aty ku janë rritur dhe financuar për sukses botëror. 
 
Si mund të definohen ndryshe thirrjet e hapura raciste ndaj shqiptarëve që tashmë janë pjesë e shoqërisë zvicerane, duke i përjashtuar ata nga si jo të denjë për të qenë shqiptarë? Me çfarë të drejte? Porositë e tipit se shqiptari nuk shitet për frankë e dollarë, dedikuar atyre në ekipin helvetik nuk janë asgjë më shumë se shprehje e makiato-superioritetit ndaj pesë njerëzve që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm. Ajo që tregohet, është vogëlsia dhe ndjenja e inferioritetit që tani shprehet jo vetëm nga adhuruesit e futbollit dhe sloganet e tyre neveritëse, duke kaluar kështu në një debat kryesor. Është dyftyrësi e skajshme të promovohen lojtarë me prejardhje shqiptare që kanë arritur suksese në Amerikë, Gjermani ose Turqi, duke i shfrytëzuar rezultatet e tyre si shtytje për lokal-patriotizëm, ndërkohë që kur vjen ballafaqimi me shqiptarët në fanelë të huaj – ata dënohen si tradhëtarë nga pronarët e pakontestueshëm të patriotizmit. Mbi të gjitha, është shumë më mirë që energjia për stigmatizimin e tyre të orientohet drejt përmirësimit të shumë-nevojshëm të imazhit kombëtar në Evropë, pjesë e së cilës me siguri janë edhe këta pesë lojtarë.
 
Pa dallim rehatisë që e jep ndjenja momentale e epërsisë, shndërrimi i saj në vegël të urrejtjes është dobësi dhe një simbol tjetër i zhvillimit të rudimentuar. Nga ana tjetër, me pak vetë-kritikë mund ta shohim veten në pasqyrë dhe të përgjigjemi se me çka dallohen fyerjet primitive intra-shqiptare nga refreni i zakonshëm i stadiumeve të Maqedonisë? Ironike si edhe fati i lojtarëve shqiptaro-zviceranë, manifestimet e këtilla vetëm e dëshmojnë rregullin që urrejtja nuk njeh kufij, por vetëm kërkon një viktimë ndryshe nga vetja. Për më keq, heshtja para urrejtjes vetëm që e shton atë, duke e bërë të kapshme para gjeneratave të reja, deri sa bëhet aq e pranueshme për të mos e raportuar aspak.  
 
Avancimin dhe tolerancën tonë për të cilën mendojmë se e kemi pjesë gjaku, nuk arritëm ta dëshmojmë gjatë javës së shkuar. Provimi i radhës do të jetë gjatë manifestimit të pavarësisë së Shqipërisë ose Kosovës, në rast se në skenë dalin këngëtarë joshqiptarë. Nëse e tejkalojmë momentin e fishkëllimës dhe tregojmë virtytin e pranimit të dallimeve, do të dëshmojmë para vetes dhe të tjerëve se jemi dukshëm më të mirë. Në të kundërtën, gjithçka do të mbetet vetë-pëlqim brenda oborrit, që rrallë herë rezulton me progres.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button