Krahu i Afrim Gashit në Lëvizjen BESA u riemërua në “AlternAtivA” (VIDEO)

Kuvendi Qendror i krahut të Afrim Gashit në Lëvizjes BESA ka vendosur që rrugëtimin e saj politik ta vazhdojë me emër të ri –  “AlternAtivA” për arsye që siç thonë ata të mos mbeten ende peng kontestit juridik për pronësinë e partisë, njofton Portalb.mk.

“Kuvendi Qendror e autorizoi Sekretarin e Përgjithshëm që ta organizojë përpjekjen për betejën e mëtejme juridike deri në arritjen e plotë të drejtësisë. Kuvendi Qendror vendosi që organizata politike Autoktone, Autonome dhe Autentike, e cila është pranë autorëve të saj burimorë dhe pronarëve të saj ideorë, ideologjikë dhe legjitimë, tash e tutje të quhet AlternAtivA, duke u shkëputur kështu nga kurthi në të cilin kanë dashur ta fusin kundërshtarët e saj politikë dhe argatët e tyre. Në këtë mënyrë AlternAtivA do të vazhdojë ta ndjekë kursin e saj tradicional politik, atë që e kanë ndërtuar projektuesit e saj, t’i përfaqësojë strukturat e saj besnike dhe të vazhdojë ta bëjë betejën për vlerat në të cilat ajo beson dhe për të cilat angazhohet, tha sekretari i partisë, Skender Rexhepi – Zejdi.

Sipas tyre, kontesti gjyqësor për çështjen e pronësisë së partisë do të vazhdojë, por thonë se ka forca politike që ndikojnë në këtë proces.

“Ashtu siç u njoftua opinioni, gjykatësi i njëjtë, në gjykatën e njëjtë dhe për lëndën e njëjtë i merr dy vendime të ndryshme në data të ndryshme, që flet se në vendin tonë ka ende forca politike që vazhdojnë të ndërhyjnë brutalisht në institucionet e drejtësisë. Pa dashur të ndërhyjmë në motivet se pse ato forca politike kanë kaq interes që ta ndihmojnë dhe favorizojë një grup që është konstatuar si falsifikues i dokumentacionit të Lëvizjes BESA, Kuvendi Qendror, njëzëri, mori vendim që: Kërkimi i drejtësisë të vazhdojë në instanca të tjera derisa drejtësia të vendoset plotësisht dhe mashtruesit ta marrin ndëshkimin e merituar”, thonë nga AlternAtivA.

Ndryshe, Lëvizja BESA u përça pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2017 dhe kulminuan kur fraksioni i Afrim Gashit e shkarkoi nga posti i kryetarit Bilall Kasamin dhe në vend të tij, si ushtrues detyre të kryetarit të partisë e vendosi deputetin e kësaj partie, Nexhbedin Karemani.

Më pas, fraksioni i Kasamit e publikoi vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2 në të cilën thuhet se refuzohet ankesa për të bërë lider të përkohshëm partie, Nexhbedin Karemanin. Ndaj kësaj reagoi fraksioni i Gashit duke thënë se kontesti për të fituar legalitetin e lëvizjes nuk ka përfunduar.

Kjo parti hapi edhe seli të reja, njëra u hap në Tetovë nga fraksioni i Gashit dhe tjetra në Shkup nga fraksioni i Kasamit.

Përçarjet në BESA ndikuan edhe në grupin parlamentar të kësaj partie, fraksioni Gashi ka dy deputetë, ndërsa fraksioni Kasami ka tre deputetë. Megjithatë, të dy grupet në opinion thonë se veprimtaria e tyre në Kuvend do të jetë e përbashkët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button