NJERËZILLËKU: S’KA DIPLOMË

“Nëse s’ke mend, humb shumë, nëse s’ke zemër, s’ekziston fare!”

(Rumiu)

Në bankat e shkollës së mesme, para 30 e ca viteve kishim një profesor të maqedonishtes, të nderuarin Ivan, që mes tjerash, një radhë, e  mbaj mend si sot, na e shpjegoi termin e sllavishtes së vjetër “человек”: njeri në kuptimin e racës njerëzore, qenie sociale, që posedon mendje dhe ndërgjegje. Që atëherë më është ngulitur koncepti etik i njeriut, të cilin na e lëkundin shpesh teoricienë dhe individë që  njeriun e trajtojnë si kafshë (animal, apo zoon) madje edhe nëpër tekste shkollore, që në fakt s’është e vërtetë. Njeriu është lloj në vete, i zgjedhur, është bebza e ekzistencës, e qeniesisë, më e zgjedhura prej krijesave, por… Por në mesin e kategorisë humane ka edhe të atillë që përbëjnë “komunitetin e jonjeriut”, të të pashpirtëve, të atyre që të bëjnë të distancohesh një soji të tillë, të kërkosh një botë tjetër, jashtë botës së tyre të keqësisë së papërshkruar, të lutesh të mos e kesh energjinë negative brenda tyre, që së pari dëmton shumë njerëz dhe në fund i vret vetë ata. Nëse gjeneron vetëm antivlera, më në fund cunami  i tyre të merr me vete.

Një aksiomë e jetës është edhe ajo se nëse s’je kultivuar dhe edukuar moralisht, s’të bën njeri kurrfarë shkolle as kurrfarë çertifikate e diplome, madje edhe sikur ta mbushësh një dhomë të plotë sa s’mbyllet dera prej tyre. Kjo gjë u vërtetua edhe këtyre ditëve kur një “akademike”, mësimdhënëse universitare me karrierë, e nxori në shesh unin e saj të vërtetë, shpirtligësinë, që s’ia kishin dëlirësuar as leksionet e as librat e shumtë që kishte lexuar, as konferencat ndërkombëtare. Me të gjitha thirrjet akademike, nga masteri deri te oridinariusi, por pa njerëzillëk. Në një ndodhi kur gjithë ishim në gjendje shoku, të tronditur nga fatkeqësia e rëndë e Llaskarcës, kur dhimbja “na futi të gjallë në tokë të gjithëve”, kur pranë ekranit dhe celularëve lotët rridhnin rrëke nga çdo njeri që e kishim pranë, kur tek ne punonte empatia, të bashkëndjerit e vuajtjeve të papërshkrueshme, u shfaq në rrjetet sociale “fundërrina akademike”, njeriu i pacipë, një femër, një nënë, një edukatore që s’e kishte marrë mësimin më të madh dhe më të rëndësishëm, atë të jetës, të të qenët njeri. U vërtetua edhe një herë se mund t’i kesh të gjitha apoletet, mund t’i arrish të gjitha titujt, por nëse s’e ke marrë hisenë e njerëzishmërisë je një hiç, një zero e madhe. Kur pamë postimin, fërkuam sytë dhe pyesnim  veten në ato çaste: mos është mirazh, mashtrim optik. Jo, ishte e vërtetë. “Profesoresha” ironizonte në tragjedi, satisfaksionohej me paragjykimin se autobusi ishte i një shqiptari, vendngjarja shqiptare, si rrjedhim, të gjithë udhëtarët duheshte të jenë shqiptarë. Viktimat dhe vdekja shqiptare. Dhe në fund doli që gjysma e udhëtarëve dhe të të vdekurve ishin joshqiptarë, ishin njerëz në fakt, shpirtra që meritojnë respekt, çdonjëri.

Çfarë pafytyrësie kjo, fundi i njerëzores. Një femër, që duhet të jetë më emocionale, një mësimdhënëse të cilës ia kemi besuar fëmijët, anëtare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, RECOM (Iniciativa për Komision Rajonal për të Vërtetën dhe Pajtimin), ligjëruese e lëndëve “Të drejtat e njeriut dhe politika e paqës”, “Organizatat ndërkombëtare dhe ndërtimi i paqës”. Pjesë e projekteve për vlerat qytetare (Oslo, 2011), për paqëbërien e vërtetë (genuine-peace-building, 2004). Postimi i saj në rrjetet sociale tregoi se brenda sistemit arsimor mund të gjenerohen dhe të afirmohen edhe mendje të sëmura, monstrumë. Në CV shkruan se e ka kryer fakultetin para kohe, për 3 vjet e gjysmë? (fzf.edu.mk) Ajme! Ç’rëndësi ka kjo? Edhe sikur për 1 vit ta kishte kryer, kur s’ke frymë e sedër, kur idiotizmin e ke në zemër s’vlen pesë pare. Një tru patologjik… I ngjashëm me ato të kriminelëve gjenocid-projektues si Biljana tjetër dhe shokët. Pllavshiq, profesoreshë e biologjisë në Universitetin e Sarajevës, e gjykuar për gjenocid,  e cila mes tjerash, kishte dhënë edhe këto deklarata: “Nuk them që nuk duhet të jetojmë me kroatët, por se nuk duhet t’iu lejojmë që të jetojnë me ne”, “Myslimanët janë material gjenetikisht i deformuar që e ka përqafuar islamin”, “Kur pash se ç’kishte bërë Arkani në Bijeljinë… thash ky është heroi serb… lloji i njeriut që na duhet!” Imagjinojeni këtë tip profesori! O sa tmerr. Këta tipa janë ekzemplarë për psikanalizë dhe për etiologjinë e së keqes.  Nga njëra anë “shkëlqim njohurish”, nga ana tjetër dryshk dhe mbetje dreqërie, djallëzie, antihumanizmi. Këta njerëz jetën na hyrje të portës humane e vendosin  titulli e albumit të grupit muzikor anglez të metalit ektrem, “Venom” (1981): “Welcome to hell” (Mirë se erdhët në ferr). Në fakt, ferri janë vetë. Lumturi s’ka as do të ketë për ta sepse s’e kanë merituar. S’kanë investuar në të. Kanë parë vetëm karrierën, paratë, vetërealizimin material. S’mund të dalin jashtë shpellës së vet. Janë shpellarë, ndonëse jetojnë në civilizim dhe në shekullin XXI. Kështu është dhe këtu të çon inteligjenca e pashpirt. Të inspiruar nga Thanatosi frojdian, nga motivi i territ dhe vdekjes.

Në fakt, siç thotë Andre Lalande, “qoftë punëtor krahu, qoftë intelektual, zanatçi, tregtar apo nëpunës publik, çdokush, duhet që funksionin shoqëror ta kryejë në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme”. Mendimtari D. Cundioğlu, në kopertinën e librit të vet Motto ka vënë një fjali të shkurtër: “O sa mirë me qenë njeri!” Nëse je njeri s’ke nevojë për kurrfarë diplome, e ke atë më të rëndësishmen, atë të jetës, të dashurisë ndaj çdo krijese, ndaj qenies. Firma dhe vula e këtij dokumenti janë të një instance superiore, që ta jep vetëm nëse e meriton vërtetësisht! Kësaj diplome s’i del boja kurrë, është e përjetshme. Sa të jesh gjallë, madje edhe pas, përtej. Çertifikatat janë mjet, jo objektiv. Kur vegla shndërrohet në pikësynim, punët kthehen së prapthi! Në fund një pyetje për Zonjën B: Что ты за человек профессор? (Ç’njeri je ti profesoreshë?)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button