fbpx

Mitrovica, qyteti i ndarë ku dhe një shkëndijë mund të ndezë zjarr

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Mitrovica ende mbetet një qytet i ndarë.

Në pjesën jugore të qytetit jetojnë shqiptarë, ndërsa në pjesën veriore të tij jetojnë kryesisht serbë. Pavarësisht se plani i Ahtisarit dhe decentralizimit të pushtetit qyteti është i ndarë në dy komuna dhe akoma ka pengesa fizike të cilat e ndajnë qytetin.

Sipas fjalëve të banorëve të Mitrovicës, tensionet ngadalë po zhduken, megjithatë shqiptarët dhe serbët thonë se Mitrovica është viktimë e “objektivave gjeostrategjike të fuqive të mëdha”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër është revitalizuar me para të Bashkimit Evropian (BE), por akoma nuk është lëshuar për qarkullim të automjeteve, prandaj aktualisht mund të kalohet vetëm në këmbë.

Edhe pse nuk ka pengesa betoni mbi urë, siç ishin më parë, në anët jugore dhe veriore të urës qëndron nga një automjet i karabinierëve italianë, ndërsa të rregullta janë edhe patrullat e policisë së Kosovës.

“Si shqiptarët, ashtu edhe serbët duan të jetojnë në paqe”

Pensionisti Dragan Iliq, i cili para luftës ka jetuar në pjesën jugore të Mitrovicës, për Anadolu Agency (AA) thotë se nuk mban kontakt të rregullt me ish-kolegët e tij shqiptarë, megjithatë vlerëson se tensionet po lëshojnë.

“Komunikimi, shëtitjet, shkuarje-ardhjet nga veriu në jug dhe anasjelltas tashmë janë shumë normale. Populli sheh ndryshe gjërat, situata është më e relaksuar në krahasim me vitet më parë”, thotë ai.

Iliq është i mendimit se e vetmja zgjidhje për Kosovën është demarkacioni, por siç thotë vështirë të arrihet një zgjidhje sepse në jug të lumit Ibër në Kosovë, jeton një numër i madh serbësh. Ai thotë se shqiptarët dhe serbët nuk pyeten për asgjë, sepse | “punët i kryejnë fuqitë e mëdha”.

Punonjësja e pensionuar e Trepçës, Sava Spasojeviq, jeton në Mitrovicë tashmë prej 40 vitesh. Situata e sigurisë nuk është e keqe, thotë ajo, për të shtuar se banorët lëvizin në veri dhe në jug, por problemi është se serbët ngadalë po braktisin vendin në pamundësi për të gjetur punë.

Sava rrëfen se serbët dhe shqiptarët bashkëpunojnë, shoqërohen por se shumë gjëra nuk varen nga populli. “Do të doja të jetë qetë, të mos ketë luftë, të mbesim këtu ku jemi, fëmijët të punojnë, të jemi më shumë, të mos na shqetësojnë, por çfarë do të ndodhë do të shohim”, thotë ajo.

Zymer Ismajli një tjetër qytetar i cili jeton te “mëhalla e boshnjakëve” në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas fjalëve të tij, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, nuk është dashur të nisë peticionin për bashkimin e qytetit, sepse dëshira e qytetarëve është kjo, për të shtuar se fillimisht është dashur të parandalohet ndarja.

Ai shprehet kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë, sepse siç thotë, atëherë nuk do të duhej të kishim luftuar.

“Përse të japim, atëherë nuk na duhet Evropa nëse do të duhet të japim territorin tonë. Do të thotë, duhet të japish territor në këmbim të njohjes. Evropa po luan lojëra të njëanshme, i bën dhuratë Serbisë e cila bëri masakra”, thotë Ismajli.

Gëzim Murati është një 28 vjeçar i papunë nga Mitrovica. Ai rrëfen për shumë varfëri dhe papunësi në qytetin e tij, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët, sipas tij, diskriminohen edhe nga institucionet qendrore dhe lokale.

Sipas fjalëve të tij, është e paqartë për të, nëse pjesa veriore e qytetit, institucionalisht i përket Kosovës apo Serbisë.

“Në këtë moment nuk shoh se diçka po zgjidhet. Këtu ndoshta kemi të bëjmë me një çështje gjeostrategjike amerikane dhe evropiane, të cilët mund të bëjnë diçka në këtë drejtim. Duket se qeveria ka dështuar të sigurojë një të ardhme më të mirë për këtë qytet”, thotë Murati.

Ai shton se familja e tij kishte një dyqan në pjesën veriore të qytetit para luftës, të cilin nuk e kanë shitur, duke menduar se do të jenë në gjendje ta rihapin, por kjo është e pamundur sepse serbët tani janë shumicë në pjesën veriore.

Ramiz Zekeria është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë, dhe jeton në pjesën veriore të qytetit, ndërkohë që thekson ndryshimet e shumta në të gjitha sferat e jetës, por që kryesorja thotë se mungon, që është sundimi i paqes që njerëzit të marrin frymë lirshëm.

Sipas tij, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi apo kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk janë fajtorët për këtë situatë pasi siç thotë, vendosin fuqitë e mëdha.

“Si shqiptarët, ashtu edhe serbët duan të jetojnë në paqe, siç kanë jetuar dikur, dhe ky supozoj është edhe qëllimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve të cilat nuk po japin rezultate pozitive, prandaj jetesa është ashtu siç është, por në përgjithësi njerëzit janë të pakënaqur. Politikanët po orvaten, por vështirë të ketë rezultate pozitive”, thotë Zekeria.

Radakoviq: Peticioni për bashkimin e qytetit kthen mbrapa Mitrovicën

Drejtori i qendrës për përfaqësimin e kulturës demokratike me seli në Mitrovicë të Veriut, Dushan Radakoviq, në një prononcim për AA thotë se gjatë procesit të decentralizimit qyteti është i ndarë në dy komuna, atë të Veriut dhe të Jugut.

Para decentralizimit, thotë ai, qyteti ishte nën bllokadë dhe në fazë të jofunksionalitetit, pasi shumë institucione të cilat kanë punuar deri në vitin 1999 mbetën në pjesën jugore të qytetit, siç janë Komuna, Ujësjellësi, Stacioni i Autobusëve, ndërsa në veri mbetën spitali dhe shtëpia e shëndetit. Radakoviq thotë se peticioni i fundit i kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri për bashkimin e qytetit, kthen Mitrovicën shumë mbrapa.

“Të jeni të sigurt se asnjë qytetar i Mitrovicës së Veriut nuk do ta nënshkruajë, dhe unë njoh edhe shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore, të cilët nuk janë në favor të kësaj nisme, dhe nga këtu them se është një ide e keqe sepse kthehemi tek disa gjëra të tjera, problemet, një histori konfliktuale, ku nuk do të flasim për demokracinë, për jetën, unitetin, për një të ardhme që duhet jetuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian ku synojmë të shkojmë”, thotë ai.

Radakoviq thotë se krahas nismës për bashkimin e Mitrovicës, pushteti në Prishtinë ka ndërmarrë edhe disa veprime tjera siç është rasti me taksat dhe gjykimi për krime lufte në mungesë, që pengojnë demokracinë dhe jetën më të mirë të qytetarëve.

“Shumë gjëra po shkojnë në të mirë këtu, dhe kjo nga shkaku se shteti i Serbisë financon një numër të madh njerëzish përmes pagave, përmes universitetit është një arteria e këtij qyteti, kemi 10 mijë studentë që jetojnë këtu, ushqehen, bëjnë pagesa. Megjithatë, qytetarët ende nuk i ndiejnë dobitë që do të duhet të vinin përmes institucioneve të Prishtinës”, thotë ai, duke shprehur skepticizmin për planin e bashkimit pasi siç thotë, nuk janë prezantuar planet e qeverisë se sa ndërtesa planifikojnë, sa shkolla, kopshte, fabrika etj.

Spahiu: Bashkimi i qytetit, një gjë joreale 

Analist politik, njëherësh pronar i një kanali televiziv në Mitrovicë, Nexhmedin Spahiu, për AA thotë se kanë kaluar 20 vjet nga lufta, dhe se plagët e luftës ngadalë po zhduken, ku nuk mungon bashkëpunimi mes njerëzve, megjithatë kjo është larg nga që duhet të jetë, jeta normale në një qytet.

Spahiu thotë se ende ka pengesa fizike, dhe se autoritetet lokale të komunës së Veriut të Mitrovicës përkujdesen që të ketë sa më pak kontakt mes banorëve shqiptarë dhe atyre serbë në të dyja komunat.

Analisti Spahiu vlerëson se qyteti është viktimë e lojërave politike në nivel rajonal dhe global, si dhe e neglizhencës të cilën e shfaq klasa politike të Kosovës, e cila ka lejuar Serbinë që përmes Mitrovicës të mbaj peng tërë Kosovën.

“Në Mitrovicë ndodhen të gjitha burimet natyrore dhe nga shkaku i pozitës së saj gjeostrategjike, e tërë Kosova varet nga ajo. Ndarja de facto e Mitrovicës, paraqet një mënyrë të zhvlerësimit të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Spahiu.

Ai shton se qyteti është i ndarë administrativisht dhe fizikisht, dhe se bashkimi i qytetit tani duket joreal.

Megjithatë, Spahiu përkujton se ka individë të cilët në vend të idesë për bashkimin e Mitrovicës, promovojnë idenë e ndarjes së Kosovës, që do të thotë se Kosova dhe Serbia do të mund të ndanin përgjysmë qytetin e Mitrovicës, liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.

“Një gjë e tillë do të ishte fatale për Kosovën prandaj shpresojmë që gjëra të tilla nuk janë dakorduar Amerika, Rusia dhe Serbia, dhe besoj se liderët politik të Kosovës janë në dijeni se çfarë po bisedohet. E vetmja që dihet është se amerikanët llogarisin se secila marrëveshje do të ishte nënshkruar nga presidenti Thaçi pa e lexuar fare”, thotë Spahiu.

Edhe Radakoviq thotë se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte vështirë e realizueshme dhe se në këtë kontekst përmendet mundësia që qyteti i Mitrovicës të marr statusin e distriktit, njëjtë si Brçko në Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas tij, problemi më i madh është se askush nuk i pyet qytetarët dhe se vendimet merren nga njerëz të cilët dinë shumë pak mbi Mitrovicën.

“Unë gjithmonë përkrah marrëveshjet. Marrëveshja nuk ka alternativë, marrëveshja duhet të arrihet përmes bisedimeve ndërmjet bashkësisë serbe dhe asaj shqiptare, të kemi marrëveshje me Qeverinë e Kosovës dhe me Qeverinë e Serbisë, sepse vendimet e njëanshme mund të kenë pasoja negative. Në gjithçka duhet të ketë një balancë”, përfundoi Radakoviq.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close