Punëtori i përjashtuar nga puna vret 5 persona në Illinois të SHBA-së

Policia amerikane ka njoftuar se pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar pasi një person i armatosur i qëlloi ata në një park industrial në Illinois. Policia e ka vrarë sulmuesin, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë plagosur.

Sulmi ndodhi në një fabrikë të Auroras, e cila ndodhet rreth 40 milje në perëndim të Çikagos. Policia e ka identifikuar sulmuesin si Gary Martin, 45-vjeçar, i cili ishte punëtor në kompaninë ku ndodhi sulmi dhe i cili ishte shkarkuar nga puna para disa ditëve.

Zyrtarët nuk e kanë komentuar motivin e sulmit, por një gazetë amerikane ka raportuar se familja e sulmuesit ka thënë se ai është ndier i stresuar nga fakti se është përjashtuar nga puna.

Emrat e pesë viktimave nuk janë publikuar. Ndërkaq, dy policë të plagosur janë transportuar me helikopter në qendrën emergjente.

Një dëshmitar ka thënë se e ka parë kolegun e tij, i cili ishte i armatosur me një armë me laser. “Njëri nga punëtorët erdhi në zyrë dhe na tregoi se ky person po gjuan me armë. Ai vraponte dhe ishte shumë i gjakosur. Dëgjova edhe më shumë krisma dhe të gjithë dolëm nga ndërtesa”, tha John Probst.

Incidenti i së premtes ndodhi vetëm një ditë pas njëvjetorit të sulmit në Parkland të Floridas, në të cilin kishin humbur jetën 17 persona, shkruan “BBC”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button