BE-ja edhe zyrtarisht është njoftuar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë

Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht është njoftuar se Maqedonia e ka ndërruar emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së veriut, kumtoi sot Shërbimi për Aksion të Jashtëm i BE-së (EEAS), njofton Portalb.mk.

“Sot BE u informua nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut për emrin e ri, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës. E përshëndesim ngrohtë këtë hap historik, që paraqet shembull për pajtim të rajonit të Ballkanit perëndimor dhe më gjerë”, thuhet në kumtesë.

EEAS, të cilën e udhëheq Federika Mogerini, dhe e ndërmjetëson dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, e ka uruar Maqedoninë e Veriut për suksesin e madh dhe hapjen e faqes së re të “ardhmërisë sonë të përbashkët evropiane”.

Përndryshe, paraprakisht Parlamenti i Republikës së Greqisë e ka miratuar Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, ndërkaq dje Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, për të njoftuar për ndryshimin e emrit, ka dorëzuar tre nota verbale: Notë verbale te Misioni i Përhershëm për Protokollin e Kombeve të Bashkuara (OKB), Notë verbale te Misioni i Përhershëm i Shteteve Anëtare dhe Shteteve Vëzhguese të Kombeve të Bashkuara dhe Notë Verbale te ministritë e Punëve të Jashtme. Këto nota verbale u janë dërguar të gjitha organizatave ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, duke i informuar ata për ndryshimet.

Sipas grupit ndër-resorial e obliguar për kryerjen e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, afatet për ndryshim të plotë lëvizin prej 3 ditë dhe deri në 5 vjet nga hapja e kapitullit relevant të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button