Kosovë, janë anuluar tetë fluturime si pasojë e grevës në aeroport

Kontrollerët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kanë hyrë në ditën e tretë të grevës, me kërkesën e vetme të mospërfshirjes së tyre në Ligjin për paga, për shkak të, siç thonë, cenimit të pavarësisë së këtij institucioni.

Kryetari i Sindikatës së Kontrollerëve ajror, Artan Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë që greva të premten do të zgjasë tetë orë dhe planifikohet që të vazhdohet javën tjetër me 24 orë, nëse nuk rishikohet Ligji për paga.

“Ky ligj ndikon negativisht në autonominë tonë, është i sanksionuar edhe me ligjet e Bashkimit Evropian dhe Kushtetutën e Kosovës. E planifikuar është edhe greva e së shtunës 12 orë, të dielën pezullohet për shkak të përvjetorit të pavarësisë ndërsa të hënën mbahet grevë 24 orëshe”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Driton Hyseni, njoftoi përmes një komunikate në Facebook se janë anuluar dhjetëra fluturime për shkak të grevës.

“Gjithsejt të planifikuara kemi pasur 19 arritje e 19 shkuarje, por për shkak të grevës janë anuluar 8 arritje dhe 8 shkuarje. Aktualisht mbeten 11 arritje dhe 11 shkuarje në plan të realizohen. Kuptohet se disa nga fluturimet janë riprogramuar duke evituar kornizën kohore të grevës së paralajmëruar për sot”, tha Hyseni.

Të enjten, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës tha përmes një njoftimi se ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror.

“Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërkohë Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, iu ka bërë thirrje kontrollerëve të trafikut ajror që të ndërprejnë e grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.

“Përderisa bashkë ndjejmë shqetësimin e udhëtarëve të prekur nga greva, informojmë opinionin se kompanitë ajrore janë njoftuar me kohë mbi grevën dhe orarin në mënyrë që ato të kenë mundësinë e organizimit të tyre pa e cenuar sigurinë në asnjë mënyrë” thuhet në komunikatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button