Maqedoni: Formimi i Agjencisë për Gjuhën Shqipe, pas zgjedhjeve presidenciale

Emërimi i drejtorit dhe themelimi i Agjencisë për Gjuhën Shqipe në Maqedoni, sipas Kodit Zgjedhor është i ndaluar pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale deri në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Kjo mund të anashkalohet, nëse Komisioni për Antikorrupsion vlerëson se është “rast urgjent”, transmeton Portalb.mk.
Që Antikorrupsioni të japë vlerësim, Qeveria duhet të dërgojë parashtresë. 

Konkursi për drejtor të Agjencisë

Konkursi për drejtor të Agjencisë ka mbaruar më 13 shkurt, dhe në të kanë aplikuar 18-të persona. Shqyrtimi i aplikacioneve do të realizohet nga Komisioni Kuadrovik në kuadër të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë, në përbërje të ministrit për Punë të Brendshme, Oliver Spavoski, ministrit të Ekologjisë, Sadullah Duraki dhe zëvendëskryeministrit për Zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika.

Konkurs dhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve nuk ka afat se deri kur duhet të emërohet drejtori i Agjencisë. Edhe pse kemi 18 aplikantë, periudha e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorit, nuk mund të parashikohet as nga zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha.

“Nuk e di sa do të zgjasë shqyrtimi i aplikacioneve”, tha Hoxha.

Kodi Zgjedhor ndalon emërimin e funskionarëve shtetërorë

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni janë shpallur më 8 shkurt, ndërkaq neni 8 i Kodit Zgjedhor, parasheh që nga momenti kur shpallen zgjedhjet presidenciale e deri te shpallja e rezultateve, nuk mund të fillojë procedurë për emërim dhe shkarkim të funksionarëve shtetëror.

“Nga dita e sjelljes së vendimit për shpallje të zgjedhjeve, deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Maqedonisë, nuk mund: të fillojë procedurë për punësim të personave të rinj ose procedurë për ndalesë të raportit të punës në institucione shtetërore dhe publike, kurse procedurat e reja lihen në qetësi, përveç në rastet urgjente dhe të punëve që nuk mund të shtyhen”.

Admir Shabani

Kodi Zgjedhor nuk sqaron se cilat janë ato “raste urgjente dhe punë që nuk mund të shtyhen”, por sipas zëdhënësit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Admir Shabani kjo mund të definohet nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit. Në rastin konkret, nëse emërimi i drejtorit, me këtë edhe themelimin e Agjencisë është “rast urgjent dhe punë që nuk mund të shtyhet”, Komisioni i Antikorrupsionit do të vendos vetëm nëse të njëjtën e kërkon Qeveria e Maqedonisë.

Shabani: Formimi i Agjencisë është rast urgjent

Duke sqaruar më tej për Portalb.mk, zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani vlerësoi se në “rastet urgjente dhe punë që nuk mund të shtyhen”, mund të hyjë edhe formimi i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Sigurisht se aty mund të hyjë edhe emërimi i drejtorit të Agjencisë, por fillimisht institucioni që e emëron drejtorin duhet të kërkojë nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit që t’i japë leje për emërim”, tha Shabani.

Qeveria të martën do të vendos se a do të kërkojë leje për emërim

Muhamet Hoxha
Muhamet Hoxha

Se a do të kërkojë Qeveria e Maqedonisë nga Komisioni për Antikorrupsion leje për emërim të drejtorit të Agjencisë, kjo do të kuptohet në seancën qeveritare që do të mbahet më 19 shkurt.

“Në seancën e së martës (19 shkurt) do të vendoset se a do të kërkojë Qeveria nga Antikorrupsioni që ta emërojë drejtorin, apo kjo do të mbetet pas zgjedhjeve presidenciale”, tha Hoxha.

Në seancën e njëjtë qeveritare do të shpalosen edhe kandidatët për drejtor të Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi që paraprakisht të njëjtit do ta kalojnë filtrin e parë. Filtri i parë parasheh vlerësim të dokumentacionit të aplikantëve. Pas kësaj, do të vijojë përzgjedhja e kandidatëve nga Komisioni Kuadrovik. Drejtori i Agjencisë do të zgjidhet në seancë qeveritare.

Krahas Agjencisë, me Ligjin për përdorimin e gjuhëve parashihet edhe formimi i Inspektoratit i cili do të formohet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë ka formuar trup i cili do ta planifikojë dhe ndjekë zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Një pjesë e obligimeve që do t’i ketë ky trup janë: përgatitje të planit aksionar për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në afat prej 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi; ndjekje e dinamikës së realizimit dhe zbatimit të planit aksionar; dhënie të udhëzimeve institucioneve në funksion të koordinimit, organizimit, zbatimit dhe operacionalizimit të masave dhe aktiviteteve në pajtueshmëri me planin.

Në përbërjen të tij janë sekretarët shtetërorë të Ministrisë së Drejtësisë, të Ministrisë së Financave, të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të Sekretariatit për Ligjvënës dhe përfaqësues nga Zyra e kryeministrit dhe përfaqësues nga Kuvendi i Maqedonisë.

Ndryshe, Ligji për përdorimin e gjuhëve ka hyrë në fuqi, dhe zbatimi i tij në tabelat e institucioneve dhe të rrugëve shtetërore, do ta realizojnë paralelisht me emrin e ri të shtetit, Republika e Maqedonisë së VeriutEmri Republika e Maqedonisë së Veriut ka hyrë në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019-të.

LEXO: Ligji për përdorimin e gjuhëve: Për gjashtë muaj institucionet në Maqedoni duhet të flasin në gjuhën shqipe

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button