Këta janë emrat që ndër vite kanë menaxhuar me Kodrën e Diellit (FOTO)

Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” që në vitin 1924 ishte destinacion për alpinistët e Jugosllavisë së atëhershme, për t’u shndërruar më vonë edhe në qendër me nam botëror. Por, ndonëse dikur në të është investuar shumë, sot ajo është shndërruar në fushë shterpe, shkruan Portalb.mk.

Mungesa e investimeve, mungesa e teleferikut me gjashtë ulëse, mungesa e vendeve për parkim, infrastrukturë e parregulluar si dhe grumbullimi i mbeturinave, janë arsyet e “shkatërrimit” të kësaj qendre turistike megjithatë, arsyeja kryesore e tërë rënimit të saj është keqmenaxhimi i kësaj qendre për vite me rradhë.

Të parët që panë dhe filluan të shfrytëzojnë potencialin e Kodrës së Diellit ishin Shoqata e Malorëve “Mali Sharr” (Shar Pllanina) që në vitin 1934 krijuan edhe asociacionin e parë të skijimit. Gjithashtu, ata menaxhuan këtë qendër deri në vitin 1963.

1934-1963 – Shoqata e Malorëve “Mali Sharr”

Investimet e para në Kodrën e Diellit datojnë që nga viti 1934 ku u ndërtua shtëpiza e parë malore me 4

Shtëpiza e parë malore në Kodrën e Diellit

dhoma e 20 shtretër, e cila u dha në përdorim më 11 Nëntor të po këtij viti. Më pas, në vitin 1936 ky objekt u zgjerua dhe kishte 60 dhoma e 198 shtretër.

Gjatë periudhës kur kjo shoqatë menaxhoi u organizuan edhe garat e para lokale dhe ato ndërkombëtare, si dhe kurset e para të skijimit, që më vonë do nxirrnin skijatorë shumë të suksesshëm.

Teleferiku me dy ulëse filloi të ndërtohet në vitin 1947, me gjatësi 3 kilometra. Ky teleferik punoi dy vite, shkaku i shtyllave që kanë qenë të ndërtuara prej druri, dhe pas dy viteve fillojnë të devijojnë. Andaj, ndërpritet funksionimi i këtij teleferiku dhe i njejti shkurtohet deri në 1 kilometër e gjysmë, i tillë funksionon deri në vitin 1955.

Nga pjesët e mbetura të këtij teleferiku ndërtohet një ski-lift i vogël përballë hoteleve në shtegun Jellak i Vogël.

Në vitin 1962, u ndërtua dhe filloi me punë edhe teleferiku Tetovë-Lisec në gjatësi 3209 metra.

Kodrën e Diellit, në vitin 1963, e merr ne menaxhim organizata hotelerike “Nov Zhivot” Tetovë.

1963-1968 – “Nov Zhivot” Tetovë

Teleferiku i parë në Kodrën e Diellit

Tre vite pas vënies në punë të teleferiku Tetovë-Lisec, në vitin 1965 u lëshua në përdorim edhe pjesa e dytë e këtij teleferiku Lisec-Kodër Dielli, në gjatësi 2991 metra.

Teleferiku kishte 100 kabina, me kapacitet për 400 persona. Koha e udhëtimit ishte 40 minuta, transmeton Portalb.mk.

103 000 udhëtarë përdorën teleferikun nga data 8 Mars kur filloi me punë deri në dhjetor të të njejtit vit.

Pas kësaj në vitin 1965 filloi ndërtimi i një ulëses për skijim drejt Ceripashinës, i cili ndërtim përfundoi në vitin 1968. Gjatësia e një ulëses ishte 1700 metra me kapacitet 370 skijator në orë.

Organizata hotelerike “INEX” Beograd e merr në menaxhim qendrën e skijimit në vitin 1968.

1968-1976 “INEX”  Beograd

Gjatë menaxhimit të kësaj organizate hotelerike ju kushtua më shumë rëndësi hotelerisë, andaj dhe nuk ka pasur investime në terren, në ski-lifte apo teleferikë. Objekti i ndërtuar nga Shoqata e Malorëve “Mali Sharr” në vitin 1934, që më pas u zgjerua në objekt me 60 dhoma, u rindërtua nga fillimi për tu shndërruar në hotelin e quajtur “INEX”.

1976-1999 Jugohrom

Investimi më i madh në Kodrën e Diellit është bërë gjatë periudhës kur ka menaxhuar kompania Jugohrom.

Në vitin 1976 është ndërtuar teleferiku dy ulëse deri në Ceripashinë me kapacitet deri në 1000 skijatorë në orë. Është investuar në dy makina për shtypjen e borës dhe dy të tjera për pastrimin e saj. Gjithashtu, është investuar në riparimin e ski-lifteve që deri në atë periudhë kishin pësuar dëmtime të ndryshme.

Duke pasur parasysh periudhën tetë vjeçare ku nuk u investua asgjë, pos në objektin hotelerik, këto investime për Kodrën e Diellit ishin një mënyrë rilindjeje.

Në vitin 1998 emërohet drejtori gjeneral i parë shqiptar i Kodrës së Diellit, Menan Memedi.

Një vit më pas, në vitin 1999 shkaku i borxhit të rrymës që kompania Jugohrom kishte ndaj kompanisë “Elektro Ekonomia” Shkup, Kodra e Diellit i jepet si kompensim kësaj kompanie.

1999-2005 “Elektro Ekonomia” Shkup

Në periudhën e tranzicionit kur Kodra e Diellit i kaloi në menaxhim kompanisë “Elektro Ekonomia” Shkup, punëtorët që punonin në Kodrën e Diellit u shpërndanë, disa kaluan në kompaninë Jugohrom dhe disa ngelën nën ombrellën e menaxhimit të Kodrës së Diellit.

Restoranti Teleferiku në Tetovë,1999

“Kur mora detyrën si drejtor i Kodrës së Diellit, u angazhova menjëherë në riaktivizimin e restorantit të TeleferikutTetovë, pasi ishte lënë gjatë kohë pas dore. Gjithashtu, i riparuam makinat për shtypjen dhe pastrimin e borës. Jam munduar që me kushtet që kisha të investoj në gjëra të vogla që kishim mundësi”, u shpreh ish drejtori i Kodrës së Diellit, Menan Memedi.

Problem asaj kohe ishte edhe një përrua që kalonte në gjatësinë e teleferikut dhe pengonte skijatorët, andaj prej stacionit të dyulëses që shkon në Ceripashinë, deri në dyulësen te Lugina që shkon për në Aerodrom, janë vënduar gypa për mbledhjen e ujërave atmosferike dhe ujërave të zeza, që edhe sot tregojnë efikasitet. 

U riparuan dy hotelet, “Inex” dhe “Slavija”, ndonëse jo me investim shumë të madh, por për probleme bazike, si ndërrimi i ndonjë dere ose dritareje, ndërrimi i tepisonave, karrikeve ose të ngjajshme, lyerja e hotelit.

Rruga e kalimit nga hotelet për në terrenet e skijimit ishte shumë e ngushtë dhe shkaktonte problem si për kalimin e turistëve ashtu edhe të makinave, andaj dhe u zgjerua rruga. Gjithashtu, u zhvendos shtylla e rrymës e cila gjendej në mes të rrugës.

Në bashkëpunim me ekspertë të erozionit u bë rrafshimi i disa pjesëve që ishin të pakalueshme dhe të pa prekshme, si dhe u hap një rrugë prej dy ulëses deri te rruga kryesore që turistët të mos detyrohen të vijnë deri të hotelet por të zbresin direkt te pistat e skijimit.

U ble makinë për shtypjen e borës, si dhe një minibus që është shfrytëzuar për grupe të caktuara të misafirëve.

Në atë kohë mbaheshin seminare dhe aktivitete të ndryshme në Kodrën e Diellit, që organizoheshin nga organizata të vendit dhe të huaja. Gjithashtu, u organizua në vitin 2000 gara “Beka Cup”.

Në emblemat e Kodrës së Diellit filloi të vendoset emri edhe në shqip, pasi deri atëherë shkruhej vetëm në gjuhën maqedonase “Popova Shapka”.

“Kemi pasur probleme edhe atëherë, të njejtat që janë aktuale edhe sot. Ski-liftet kishin nevojë për riparim, atëherë ato ski-lifte ishin të vjetra 20 vite, nuk u investua në to, sot kanë kaluar edhe 17 vite tjera dhe ato janë në të njejtën gjendje. Teleferiku ndonëse funksiononte nuk ishte rentabil, pasi nuk i konvenonte as udhëtarëve as organizatës, harxhonte shumë rrymë dhe nuk kishte shumë kapacitet. Gjatë kohës kur isha unë drejtor, më shumë përdorej për bartjen e punëtorëve”, tha Menan Memedi.

Në luftën e vitit 2001 ky teleferik u dëmtua dhe që atëherë nuk është riparuar dhe nuk është më funksional.

“Asokohe kishim punëtorë me orar të rregullt, 55 punëtorë, dhe sezonal, që arrinin deri në 120. Unë me 30 punëtorë tjerë që arritëm t’i mbajmë me kontratë edhe jashtë sezonës mundoheshim t’i kryejmë punët e nevojshme në terren”, tha Memedi.

Sipas Menan Memedit, arsyeja përse sot Kodra e Diellit nuk është në nivelin e Banskos apo Borovecit është mosinvestimi në infrastrukturë, pasi po ta kishim infrastrukturën e duhur në Kodrën e Diellit do mund të organizoheshin edhe gara botërore.

2005-2012 ELEM

Kompania “Elektro Ekonomia” Shkup në vitin 2005 u nda në tre kompani, ku njëra ndër to, ELEM, e mori në menaxhim Kodrën e Diellit. Megjithatë, amortizimi i makinave, ski-liftet e vjetërsuara, teleferiku jofunksional dhe shumë probleme të tjera vetëm se e kishin parajmëruar gjendjen në të cilën edhe sot është Kodra e Diellit.

Në vitin 2012, për të përmirësuar gjendjen e Kodrës së Diellit, u krijua kompania ELEM TURS e cila duhej të menaxhonte me Kodrën e Diellit.

Sipas Menan Memedit, që kur u krijua ELEM TURS, drejtorit ju morrën kompetencat dhe mundësia për vendimarrje dhe u bë edhe më i vështirë investimi në Kodrën e Diellit.

2012-sot ELEM TURS

Që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njejta me të cilat përballet Kodra e Diellit, megjithatë asgjë deri sot nuk është ndërmarrë.

ELEM TURS nga viti 2012 e deri tani ka ndërruar pesë drejtorë: Konstantin Ciriviri, Jovanka Stojanova, Ivica Tomovski, Nikolçe Karovski, dhe drejtori aktual, Xhemail Jusufi.

Iniciativa Qytetare “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” këtë vit ka realizuar dy protesta. Gjithashtu, ata u takuan me kryeministrin Zaev dhe kërkuan që kompania ELEM TURS të tërhiqet nga menaxhimi me këtë qendër skijimi.

Kodra e Diellit, 17.01.2019

LEXO: Ajo që sot është Bansko dhe Borovec, mund të ishte dhe Kodra e Diellit
LEXO: Shkëlqimi dhe rënia e Kodrës së Diellit: Nga qendër me nam botëror në fushë shterpe
LEXO:Shkup, sot do të realizohet takimi mes kryeministrit Zaev dhe “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”
LEXO:Aleanca për Shqiptarët: Plani Urbanistik i Komunës për Kodrën e Diellit ka mangësi (VIDEO)
LEXO:Kryeministri Zaev ka kërkuar takim me Iniciativën Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”
LEXO:Tetovë, aksion gueril i mëngjesit nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” (FOTO)
LEXO: Kodra e Diellit, pasuria natyrore e Sharrit e cila degradohet nga viti në vit (FOTO-VIDEO)
LEXO: Në Komunën e Tetovës u prezantua plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit i cili shkaktoi reagime negative
LEXO: “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”: Kërkojmë nga ELEM që të heqë dorë nga menaxhimi i Kodrës së Diellit (VIDEO)
LEXO: Mungesa e parkingut në Kodrën e Diellit, qytetarët detyrohen të ecin nga 3km
LEXO: Kodra e Diellit, ministri Bekteshi: Njëri opsion është të shkojmë në partneritet publik-privat
LEXO: Qeveria e Maqedonisë: Do të merret vendim për Kodrën e Diellit pasi të përfundojë analiza e ELEM TURS-it

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button