NJERËZ DHE SHTONA

13 shkurti i vitit 2019 do të mbahet mend si e mërkura e zezë, si ditë e kobshme që mbuloi me zi dhjetra familje për shkak të humbjes së më të dashurve në aksidentin tragjik në autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar.

Dhembja është e madhe, pa dyshim, sepse, deri në momentin kur po i shkruaj këto fjalë, raportohet për 14 viktima, kurse gjendja e disa të lënduarve vazhdon të jetë e rëndë.

Në kësi gjëmash më keq e kanë të afërmit e të aksidentuarve, veçmas ata të pasagjerëve tani më të ndjerë, por humbjen e ndjejmë të gjithë ne që ndihemi njerëz dhe që bashkëvuajmë sinqerisht me prindërit, bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit e motrat dhe të dashurit e viktimave që ikën para kohe nga kjo botë, pavarësisht përkatësisë së tyre racore, etnike, religjioze…

Mjerisht, fatkeqësitë e këtilla me përmasa tragjike, ku e pësojnë kryesisht shqiptarët, dikush i përjeton si ditë festash, si ditë hakmarrjeje ndaj “armiqve të rrezikshëm” të racës së tyre. Dua të besoj se të tillët nuk janë shumë, por tragjedia e djeshmë, në të cilën humbën jetën katërmbëdhjetë të rinj, zbuloi fytyra të reja kanibalësh të pangopshëm me vuajtjet e tjetrit, madje edhe në rastet kur në mesin e viktimave janë dhe bashkëkombasit e tyre. Gjer në këtë shkallë ka metastazuar urrejtja e qenieve mikroskopike, si puna e profesoreshës universitare, politikanes, analistes dhe ekspertes së moralologjisë, e cila lajmin e trishtë e festoi me komentin shtazarak, duke ndërlidhur tragjedinë me ngjarjen e njohur të vitit 2001, që ndodhi në rrethana konflikti të armatosur dhe që nuk ka asnjë lidhje të vetme me aksidentin e trembëdhjetë shkurtit.

Pas publikimit të këtij pisllëku, që përkeqëson në mënyrë plotësuese marrëdhëniet edhe ashtu të brishta ndëretnike, pasoi reagimi i kuptueshëm i njerëzve të prekur nga tragjedia, në adresë të profesoreshës, emrin e së cilës më vin gërdi ta përmend. Por, në vend se ta heqë pisllëkun nga faqja e saj dhe t’u kërkojë ndjesë njerëzve shpirtrazuar nga gjëma e madhe, ajo e la të mbushet me komente shoveniste që nxisin urrejte ndëretnike, ofendoi kritukuesit për injorancë e mungesë kapaciteti për të kuptuar gjuhën e saj ironike dhe mori rolin e viktimës së rrezikuar prej shqiptarëve!

Natyrisht, në situata dhembjesh të mëdha si kjo që shkaktoi aksidenti tragjik, njerëzit e irituar prej ngacmimesh idiote mund të thonë në afekt edhe gjëra që kurrë nuk e kanë ndërmend t’i bëjnë, po për gjithçka ekziston një shkak dhe një pasojë. Në rastin në fjalë, shkaku është profesoresha e frustruar albanofobie, me të cilën duhet të merren seriozisht organet e rendit dhe gjyqësia.

Sidoqoftë, përkundër të gjitha shtonave që shpërthejnë, sa herë që u ndodhin tragjedira shqiptarëve, është mençuri të mos bëjmë asgjë që bie ndesh me vlerat e qytetarisë dhe njerzillëkut, asgjë të ngjashme me bëmat e adhuruesve të komorave të gazit dhe shfarosjes sonë kolektive. Kjo është përgjigja më e mirë që mund t’ua japim të tillëve në ditë zie dhe më vin mirë që këtë po e bëjnë publikisht një numër i konsiderueshëm njerëzish të të gjitha përkatësive etnike të këtij nënqielli, veçmas shqiptarët.

Ngushëllime, pra, për të afërmit dhe miqtë e të ndjerëve: Onur Sadikut, Valdete Hamitit, Rametulla Abdurahimit, Besim Kamberit, Ajdën Ismailit, Zoran Davidovskit, Jovica Tërpenovskit, Esat Emrulit, Boban Avramovskit, Bejza Uzeirit, Besim Fetait, Tërpana Janevskës, Dejan Ristevskit dhe Pavle Kostoskit!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button