Lamtumirë vendet e mija…

Gjergj Fishta u bë i njohur dhe çdoherë do ngelet në historinë e letërsisë  shqiptare si njëri ndër shkrimtarët dhe poetët më të shquar të letërsisë shqiptare (periudhës së pavarësisë) pikërisht  për atdhedashurinë e tij, për veprat dhe vargjet e shumta që i kushtoi mëmëdheut.

“Lamtumirë vendet e mija që po zhdukeni dalëngadalë….” janë vargjet e këtij poeti të jashtëzakonshëm, që atëbotë, jo vetëm që vërshuan trojet shqiptare anembanë, por edhe u shndërruan në himn të mërgimtarëve, në himn të atyre që largoheshin nga vendlindja të pikëlluar dhe të mërzitur. Po sot?! Jo vetëm që këto vargje janë të panjohura për brezin e ri por, është ironike, madje mbase edhe sarkazëm, që sot këto vargje kanë humbur edhe domethënien simbolike në përditshmërinë tonë. Sot, çuditërisht, më shumë se të pikëlluar të rinjtë tanë kur largohen nga atdheu për të ikur në vendet e largëta dhe të ftohta, ku ngrohtësia e atdheut është shumë e largët, duken të gëzuar dhe sikur lirohen nga ndonjë burg apo ndonjë barrë e rëndë. Është për të të ardhur keq që kjo dukuri ka kapluar rininë dhe çdo ditë e më shumë po rritet. Është e vështirë të shohësh se si të rinjtë kanë filluar të shohin shpëtim të vetëm perëndimin dhe çdoherë kanë synim kryesor që sa më shpejtë të ikin nga atdheu. Po vallë pse ndodh kështu? Pse është kaq e vështirë të krijohet ardhmëri për të rinjtë?

Kjo dukuri po përhapet aq shumë dhe shpejtë sa që të duket se edhe rrugët janë boshatisur. Ndihet mungesa e energjisë rinore gjithkund në rrugë, nëpër parqe, në kinema dhe teatër, gjithkund nëpër institucione madje edhe nëpër stacionet e autobusëve. Edhe ata që kanë ngelur këtu nuk kanë vullnet për punë dhe përparim dhe kanë filluar të krijojnë bindje që këtu nuk ka atmosferë jete dhe nuk ka ardhmëri.

Nëse në kohën e Fishtës mërgimi simbolizonte diçka të hidhur, gjendje të mjerueshme dhe gjinia mashkullore merrnin rrugën për mërgim vetëm nëse atë e kishin të domosdoshme kur nuk kishin rrugëzgjidhje tjetër dhe e bënin atë vërtet nga nevoja, sot ikja për në mërgim llogaritet si “fat” që nuk mund ta ketë gjithkush. Nëse atëherë kur dikush largohej kthente kokën prapa dhe i ngelnin sytë kah shtëpia, malet dhe nga vendlindja derisa treteshin në largësi dhe nuk ishin të qetë deri kur ktheheshin dhe sillnin me vete diçka të vlefshme në atdhe, sot largohen me gëzim madje, disa nuk e kthejnë kokën prapa sepse e shohin si ters që i bën të kthehen në mes të rrugës.

Sot shprehja “Lamtumire vendet e mija…” nuk është shprehje pikëllimi dhe shumë pak njerëz mbush me mallëngjim. Shumë pak po bëhet dhe po punohet sot për vendlindje dhe shpresat që një ditë do të bëhet mirë edhe këtu duket sikur po vdesin. Përpjekjet minimale për të ndryshuar këtë gjendje po shuhen. Tanimë askënd nuk e prek as gjuha, as flamuri, as gjaku, as toka e as dheu. Askush, qoftë subjektet politike qoftë forca rinore, nuk bën përpjekje për të ndryshuar këtë gjendje. Çdonjëri pret që dikush tjetër ta bëjë atë hap e askush nuk niset nga vetvetja. Sepse për të ndryshuar atë duhet forcë, e forcën e bën bashkimi e për bashkim duhet shumë punë vullnet dashuri dhe mbi të gjitha shumë sakrifica, sepse vetëm ashtu krijojmë një  bashkim të fortë, i cili mundet të bëjë ndryshime të mëdha por ajo duket larg, fatkeqësisht shumë larg…  askush nuk don që ta sakrifikojë veten për atë. Kështu neve do vazhdojmë të rijmë duarkryq dhe të presim duke shpresuar që dikush tjetër të vijë e të na i zgjidh problemet me të cilat po ballafaqohemi.

Në shekullin 21, atë të teknologjisë dhe internetit, edhe atdhedashuria ka humbur vlerën dhe kuptimin, ai po arratiset, ndërsa Fishta, nuk është më heroi  që u këndonte dhe shëronte apo zbuste plagët  mërgimtarëve… nuk është qëmoti.
Lamtumirë vëndet e mija që po zhduken dalëkadalë… lamtumirë për sa t’jet jeta!

Lajme të ngjashme

Back to top button