Kompleksi i origjinës së mohuar

Shovinisti i tërbuar ka vetëdije glorifikuese dhe mizore. Ai fsheh diçka. I tillë ishte akademiku Dobrica Qosiqi, ideologu i politikës hegjemoniste serbe, “babai i kombit serb”, kryetari i dikurshëm i RFJ, që shqiptarët i quajti “llumi moral i Ballkanit”.

“Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit fisnor dhe barbar hyn në aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”, ka thënë akademiku i pistë.

Marrëzira të këtilla shoviniste kundër shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, janë thënë nga goja e pistë e shumë intelektualëve. “Gonxhja e Arkanit“, Biljana Plavshiq, lidere e dikurshme e serbëve të Bosnjës, e dënuar nga Haga për krime lufte, i quante boshnjakët si “racë inferiore”. “Unë jam biologe dhe e di këtë”, thoshte ajo. Më 1992, Radovan Karaxhiqi, i cili, para se të bëhej lider politik, shkruante poezi dhe hiqej si malazez i madh, tha: “Çdo serb që punon për një jetë të përbashkët dhe për raporte të përbashkëta me pjesëtarët e kombeve të tjerë, do ta gjykoj si tradhtar”.

Qosiqi i urrente shqiptarët sepse udhëhiqej nga filozofia e çarshisë; sepse ishte “qenie ideologjike”, një herë komunist i përbetuar, pastaj nacionalist dhe adhurues i projektit shovinist serb të shekullit XIX. Nëse gjurmojmë më thellë, atëherë del edhe një shkak. Arkitekti serb, Bogdan Bogdanoviqi, intelektuali i parë që u kërkoi falje shqiptarëve për krimet serbe, flet për një shkak tjetër që e nxiti urrejtjen e Qosiqit.

“E njoh Kosovën, sepse për 17 vjet kam shkuar në Mitrovicë, kurse Dobrica Qosiqi atje ka shkuar vetëm dy ditë, për gjueti, edhe pse Qosiq është me origjinë shqiptare”, ka thënë ai.

Ndryshe nga akademiku i pistë, poeti i vdekjes, trishtimit dhe melankolisë, Marko Veshoviqi, ky pjesëtar i “vertikales morale të Ballkanit” dhe njëri nga kritikuesit më të rreptë të shovinizmit serb, nuk e fshehu se një pjesë e origjinës së tij ishte shqiptare, madje u mburr me të. Ata që nuk e fshehin origjinën mikste, i karakterizon toleranca. Ata që e fshehin një pjesë të identitetit, duke tentuar të asimilohen në mjedis të ri, bëhen mohuesit më të egër të origjinës së tyre. Të këtillët, në aspektin kulturor, janë ashtu si deklarohen, sepse, siç thoshte Kuteli, kombi është kulturë dhe nuk është biologji.

Shkrimtari Filip David, një kundërshtar i shovinizmit serb, i futur në listë të zezë likuidimi dhe përkrahës i njohjes së Kosovës nga Serbia, kur flet për shovinistët e tërbuar, thotë: “Mbajeni mend: cilindo që vëreni se është shovinist i tërbuar, sapo t’i gërryeni pak në biografi, do ta shihni se ndonjëri prej të afërmve të tij i përket kombit që ai e mohon dhe e kritikon. Kështu tentohet mjegullimi i origjinës dhe për të qenë më katolik se sa Papa”.

Shpesh është folur për origjinën kroate të radikalit serb, Voisllav Sheshel, që ishte zotuar se do të punonte për “dëbimin e kroatëve, shqiptarëve dhe gjithë të tjerëve nga toka e shenjtë serbe“. Sheshelët e Kroacisë janë kroatë të besimit katolik. Një pjesë e Sheshelëve të Hercegovinës lindore, ishin konvertuar në ortodoksë gjatë shekullit XVIII, kurse si shpërblim kishin fituar toka nga kisha ortodokse. Shesheli është njëri prej kroatofobëve më të mëdhenj. Ai ndikoi në ndryshimin e emrit të katundit Hrtkovci, në Srem, i themeluar dhe i banuar nga shqiptarët e fisit Kelmendi.

Kujdes, pra, nga shovinistët e tërbuar, qofshin edhe prej çarshisë sonë! Ata fshehin diçka. Ata kanë një kompleks dhe duan të na bëjnë pjesë të këtij kompleksi. Thirrjet mizore për zhdukjen e kombeve, janë të barasvlershme me thirrjet për zhdukjen e kombit tënd. Duhet të shikohen me neveri certifikuesit “e patriotizmit” dhe të “tradhtisë”.  Nëse ka qenie që nuk duhej të lindnin, janë shovinistët e tërbuar, të cilët, siç thotë një shkrimtar, “botën e bëjnë të padurueshme”. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button