Basha: Rama, afat deri të premten. Të shtunën, populli do ta zërë në çark si minjtë

Pesë ditë nga protesta e 16 shkurtit, Policia e Shtetit dhe Partia Demokratike replikuan në distancë për atë që mund të ndodhë të shtunën. Policia ndau shqetësimin për përfshirjen e individëve me precedentë penalë, të cilët synojnë sipas saj destabilitetin e vendit, skenar që u hodh poshtë nga selia blu, transmeton Top Channel. 

“Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 shkurt. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi”, tha Bardhi.

Nga Elbasani reagoi edhe kryedemokrati.

“Do të jenë në krahun tonë edhe shumica e policëve të ndershëm. As policia s’ka për t’i mbrojtur ata minj, se policia është me popullin dhe s’mund të mbrojë kriminelët dhe politikanët e lidhur me ta”, tha Basha.

Në turin dyjavor të takimeve, udhëheqësi i opozitës ka zbuluar se, në protestë do të ketë më shumë aksion sesa fjalë. Në ndalesën e Pogradecit, Basha i vendosi si afat të fundit Ramës 15 shkurtin, duke e paralajmëruar me tone kërcënuese, për fatin që e pret.

“Deri të premten, 15 shkurt, ke kohë të hapësh rrugën, se më 16 shkurt, populli do të të trajtojë si kryeqen, kryehajdut dhe kryetrafikant. Populli do t’i zërë në çark si minjtë”, tha kryetari i opozitës.

Pogradecarët e kritikuan kryedemokratin se nuk ka bërë aq sa duhet për zgjidhjen e çështjes së pronave. Lulzim Basha, pasi fajin ua hodhi medieve, u premtoi anulimin e ligjit.

“Opozita pse nuk ka folur kaq vite për pronat? Nuk e keni ngritur zërin mjaftueshëm”, tha një qytetar.

“Spartak, arsyeja përse nuk e ke dëgjuar fjalën tonë është se mediet janë të kapura. Ligji që ata kanë bërë për të hequr kompensimin me vlerë tregu është rishpronësim. Atë që e bëri Enver Hoxha para 60 vitesh, e bën edhe ky ligj. Ne do ta rrëzojmë këtë ligj dhe ne do t’iu dëmshpërblejmë me vlerë tregu”, u përgjigj Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button