Analizë: Sakrifica të vogla për reforma të mëdha që duhet të sjellin pensione stabile…

Rritje e përqindjes për kontributet, metodologji e re për harmonizimin e pensioneve aktuale, por edhe për pensionistët e ardhshëm. Pas rekomandimeve dhe paralajmërimeve të ekspertëve të vendit dhe institucioneve të huaja ndërkombëtare financiare, qeveria në fillim të vitit filloi ta zbatojë pakon e masave që duhen të paraqesin hyrje në reformën më të thellë të Reformës së sistemit të pensioneve. Të gjithë do të duhet të sakrifikojnë – biznesmenët, punonjësit dhe pensionistët. Qëllimi është të sigurohet një sistem stabil i pensioneve për pagimin e rregullt të pensioneve edhe për pensionistët aktualë edhe për ata të ardhshmit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Historia e sëmundjes” të FSPIM-së…

Në pako me reformën e sistemit të pensioneve në vitin 2007, e cila nënkuptonte futjen edhe të shtyllës private të pensioneve, qeveria e atëhershme ndërmori edhe disa hapa të tjerë – përqindjet e kontributeve që duhej të stimulonin punësime të reja u zvogëluan, ndërsa pensionet u rritën në mënyrë lineare – çdo vit edhe në ato vite kur ekonomia dha rezultate jo të kënaqshme. Këta faktorë, sipas ekonomistëve, kontribuan për përkeqësimin e pozicionit tashmë të paqëndrueshëm të sistemit shtetëror të pensioneve. Vrima në arkën e Fondit pensional rritej nga viti në vit dhe për një dekadë deficiti në FSPIM u rrit për 150%, që d.t.th. se tani është rreth 310 milionë euro – para që mbulohen nga buxheti. Ashtu siç rritej deficiti, rritej edhe varësia e FSPIM-së nga buxheti qendror. Këtë vit, për pagesën e rregullt të pensioneve nevojiten 917 milionë euro, ndërsa një pjesë e madhe e mjeteve do të mbulohen nga buxheti.

Vitin e kaluar, për pagesën e pensioneve janë shpenzuar 832 milionë euro, që është për 41 milionë euro më shumë se në vitin 2016. Të habitshme janë të dhënat se në vitin 2000 deficiti ka qenë 65 milionë euro, ndërsa tani e tejkaloi vlerën prej 400 milionë euro.

Shumat për pagesat e rregullta të pensioneve do të rriten bashkë me numrin e pensionistëve të rinj. “Portalb” tashmë njoftoi se në vitin 2020 do të nevojiten 968.5 milionë euro , ndërsa në vitin 2021 kjo shumë do ta kalojë vlerën prej 1 miliardë eurosh. Nga ana tjetër, do të rritet edhe numri i pensionistëve – vetëm në nivel vjetor ose në vitin 2019 në krahasim me vitin e kaluar, numri i pensionistëve do të rritet për 4,082 pensionistë të rinj. Projeksionet e bëra nga fondi shtetëror tregojnë se në vitin 2021 në Maqedoni do të ketë më shumë se 335,000 pensionistë.

Reforma e reformës – hapat e parë për stabilitet financiar të sistemit të pensioneve

Pas rekomandimeve të institucioneve të huaja ndërkombëtare, por edhe pas paralajmërimeve të ekspertëve vendas se sistemi aktual i pensioneve nuk është i qëndrueshëm dhe se vihet në dyshim pagesa e rregullt e pensioneve në të ardhmen – qeveria iu qas reformave. Janë ndërmarrë hapat e parë. Por, sipas politikëbërësve, kjo është vetëm hyrje në ndryshime më të thella që duhet të sigurojnë qëndrueshmëri të sistemit të pensioneve për të paktën 50 vitet e ardhshme.

“Portalb”-i ka bërë përzgjedhje të masave që janë ndërmarrë si pjesë e reformës së gjerë të paralajmëruar. Ja me cilat ndryshime filloi reforma:

-Kontributet e rrogave u rritën për 0.5 për qind, nga të cilat 0.4% janë kontribute për sigurim pensional, ndërsa 0.1% për sigurim shëndetësor. Sipas dinamikës së shpallur, këto përqindje do të rriten edhe në vitet e ardhshme.

– Të gjithë ata që kanë lindur para 1 janarit të vitit 1967 do të mund të kthehen dhe të marrin pension vetëm nga shtylla e parë – FSPIM-ja.

– Të gjithë ata të punësuar që shfrytëzojnë stazh të beneficuar të kthehen dhe të shfrytëzojnë pension vetëm nga shtylla e parë.

– Futja e pensionit social, që do t’i përfshijë qytetarët që kanë të paktën një ditë stazh pune dhe kanë mbushur 65 vjet. Shuma e saj do të jetë 40% e pensionit mesatar të paguar.  Sipas përllogaritjeve iniciale, pensioni social shtetëror do të jetë rreth 90 euro. Simulimi tregon se për pagesën e kësaj shume për 20,000 njerëz, çdo muaj do të nevojiten 1.8 milion euro, që në nivel vjetor do të paraqesë implikim financiar prej 21.6 milionë euro.

– Rritet përqindja e llogaritjes së pensioneve në sistemin dyshtyllësh. Për meshkujt, përqindja rritet nga 0.75 në 1 për qind, ndërsa për gratë nga 0.86 në 1.14 për qind – gjë që duhet të rezultojë me rritje të një pjese të pensionit – kursimeve në shtyllën e dytë private.

– Llogaritja e pensioneve në bazë të rritjes së shpenzimeve (dy herë në vit) dhe në bazë të rritjes së PBB-së, nëse përqindja e rritjes ekonomike tejkalon 4%.

Me gjithë këtë pako masash, sipas qeverisë duhet të hapet rrugë për një situatë të qëndrueshme financiare të sistemit të gjithmbarshëm të pensioneve, para së gjithash, zvogëlim të minuseve të thella në FSPIM.

“Me qëllim të stabilizimit gradual të sistemit të pensioneve dhe për ta siguruar qëndrueshmërinë e tij, në buxhetin për vitin 2019 është planifikuar rritje e përqindjeve të kontributeve sociale, edhe atë rritje e përqindjes së kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor për 0.4 për qind dhe rritje e kontributit për sigurim shëndetësor për 0.1 për qind. Efektet pozitive të rritjes së kontributeve në buxhetet e fondeve përkatëse arrijnë në 1.1 miliardë denarë. Përveç kësaj, janë planifikuar masa për ta trajtuar problemin e pabarazisë së pensioneve të pensionistëve aktualë dhe atyre të ardhshëm dhe për zgjidhjen e problemit të shpërndarjes së pabarabartë të të siguruarve në sistemin dyshtyllësh të pensioneve”, thuhet në dokumentin buxhetor.

Ekonomistët një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se me vendosjen aktuale të sistemit të gjithmbarshëm të pensioneve, qëndrueshmëria është në këmbë “të qelqta” dhe se reformat do të jenë të pashmangshme në një të ardhme të afërt.

“Të gjithë aktorët në shoqërinë tonë, duke i përfshirë edhe politikëbërësit, pajtohen se FSPIM-ja ka nevojë për reforma. T’i kujtojmë lexuesit se edhe kryeministri tha se nëse është e nevojshme, do të rritet kufiri i moshës për dalje në pension. Kjo situatë është shkaktuar nga fakti se pensionet – shpenzimet kryesore të FSPIM-së – në të kaluarën janë rritur ad hoc, ndërsa nga ana tjetër, janë zvogëluar kontributet pensionale  – të ardhurat kryesore të FSPIM-së. Me një trend të tillë, tani jemi në situatë në të cilën FSPIM-ja pothuajse gjysmën e mjeteve e merr nga buxheti qendror. Pra, pensione do të ketë gjithmonë, sepse buxheti qendror nuk do të shteret kurrë, mirëpo qëndrueshmëria e fondit është rrezikuar dukshëm për shkak të trendit rënës të të ardhurave burimore të tij” – deklaroi profesori Marjan Petreski për “Portalb”-in.

Në Maqedoni, raporti i të punësuarve me pensionistët është 2 ndaj 1, gjegjësisht në çdo dy të punësuar ka një pensionist, që nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe konsiderohet si trend i paqëndrueshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button