Programi Kulturor, Ylber Nuredini: Vendimi s’mund të jetë “copy – paste”, rritni mjetet

Pas përgjigjes që anëtarit të Komisionit për veprimtari dramatike, Hismet Ramadani “se Festivali “Teatri Shqiptar i Maqedonisë” – Dibër nuk do të marrë më shumë mjete se 600 mijë denarë, se aq i janë ndarë edhe vitet e kaluara”, ka reaguar drejtori i Festivalit në fjalë, Ylber Nuredini, transmeton Portalb.mk.

Nuredini ka kërkuar që të bëhet ndryshim i mjeteve financiare, pasi që vendimi s’mund të jenë “‘copy – paste’ i vitit paraprak”, sepse “ujërat dhe kohërat kanë ndryshuar në Ministri të Kulturës”.

Më poshtë ua sjellim reagimin e plotë të drejtorit të Festivalit “Teatri Shqiptar i Maqedonisë” – Dibër, Ylber Nuredini:

“Festivali i Dibrës, eveniment i shumë sfidave, rrethuar nga shovenë, dashakeqë, hipokritë, xhelozë por nxitës dhe shtytës i vetëm i ngjarjeve të mëvonshme shqiptare në Maqedoni, kërkon frymën e ndryshimit.

Në vazhdimësi kemi kërkuar dhe njoftuar, pandalshëm, për çdo vit nga Ministria e Kulturës, e cila është në dijeni për të gjitha kërkesat e tona, që t’i jepet mbështetja e merituar Festivalit “Teatri Shqiptar i Maqedonisë” – Dibër, si evenimenti i parë teatror shqiptar në Maqedoni. Zyrtarisht përgjigjet jozyrtare po nga Ministria ishin se gjithçka ndodhët dhe vendoset në Kabinetin e ministrit.

Me ardhjen e ministrit Ademi u lumturuam të gjithë, se ujërat dhe kohët e pikëpamjeve shoviniste të ish-ministrave të Kulturës, kundrejt Festivalit tonë do të ndryshojnë, të bindur plotësisht në këtë që e shkruajmë, na vjen lajmi i themelimit të Teatrit të Gostivarit. Sigurisht e pritëm me shumë gëzim, sepse kjo e forconte bindjen tonë se vërtete ky ministër, do ta radhisë festivalin tonë në vendin dhe pozicionin e duhur.

Digresion – këtu kanë qenë edhe shfaqjet dhe aktorët më të mirë të “Vojdan Çernodskit” të Prilepit, dhe kanë deklaruara se festivali ynë është shumë herë më i mirë në të gjitha aspektet se vetë Festivali “Vojdan Çernodrinski”. Për të gjitha këto është njoftuar edhe Ministria e Kulturës, përmes mediave dhe regjistrimeve audiovizuele dhe të shtypit për çdo edicion.

Pikët i kemi maksimale, sigurisht. 17-të edicione të realizuara, të vlerësuara nga të gjithë të pranishmit, trupa teatrore, aktorë, regjisorë, dramaturgë, kritikë dhe sidomos nga 90.000 shikues, spektatorë dibranë, që rrallë publik mund të krahasohet për kulturën, shijen teatrore dhe qytetarinë e treguar për këtë eveniment të jashtëzakonshëm kulturor në qytetin e Dibrës.

Se si i kategorizon Komisioni i veprimtarisë së dramës këto pikë, edicioni i 3-të me 2.600.000 denarë, i 18-ti me 600.000 denarë, kjo më habit shumë, me shumë keqardhje, por me shumë herë më tepër dashuri për festivalet simotra që po i marrë si pikë referimi, por jo me arsyen qesharake dhe të paqëndrueshme të anëtarit të Komisionit që bën “copy – paste” të vitit paraprak, vendimin apo përkrahjen e mbështetjes së Ministrisë së Kulturës vetëm për Festivalin tonë.

Si mund të qëndrojnë, ose pse nuk bëheshkan të gjitha “copy – paste”. Pra ujërat dhe kohërat ndryshuan, ndaj kërkoj ndryshim të mbështetjes financiare dhe për Festivalin ““Teatri Shqiptar i Maqedonisë” – Dibër.

Ne nuk jemi lypës, as qytet jashtë këtij shteti. Kërkojmë të vlerësohet dhe radhitet në vendin e duhur evenimenti ynë. Ligji nuk mund të jetë për njërin nënë, e për tjetrin njerkë. Presim nga ministri i Kulturës, Asaf Ademi”, thuhet në reagimin e Ylber Nuredinit.

LEXO: Edhe pas reagimit, Festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” nuk do të marrë më shumë mjete

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button