Kosovë, ekipi negociator ka shtuar aktivitetet për të finalizuar platformën për dialogun

Paraditja ka mbledhur në një takim urgjent liderët shtetërorë e anëtarët bashkë me Ekipin negociator.

Me ftesë të Kadri Veselit, në zyrën e tij ishin presidenti Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, zëvendëkryeministrat, Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj, si dhe Visar Ymeri, këta tre të fundit, pjesë e Ekipit shtetëror për dialog, raporton KTV.

Në këtë takim u tha se temë kryesore ishte platforma shtetërore për dialogun me Serbinë, por jo edhe taksa.

I vetmi që foli pas takimit ishte Fatmir Limaj një nga kryesuesit e Delegacionit shtetëror për dialog, që tha se po punojnë maksimalisht që platforma të jetë sa më shpejt në Kuvend.

Ky dokument pritet t’i dërgohet Presidencës, Qeverisë, Kuvendit e liderëve të partive opozitare që nuk janë pjesë e këtij procesi.

Pasditja ka qenë sërish me takime, por këtë herë vetëm për Ekipin negociator.

Ata në Kuvendin e Kosovës u mblodhën për të punuar në draftin e platformës.

Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj nga Deçani sërish ka dërguar porosi për temat e dialogut.

“Nëse ne i hapim kufijtë e kësaj Kosove, atëherë i hapim edhe varret e atyre për të cilët jemi ardhur, për t’i kujtuar sot, plagët dhe vuajtjet e tyre. Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, java pritet të jetë e ngjeshur me takime.

Ekipi negociator ka paralajmëruar se takimet do t’i vazhdojë edhe të martën deri në finalizimin e plotë të këtij dokumenti.

Limaj: Puna për platformën e dialogut do të vazhdojë edhe nesër e pasnesër

Ka përfunduar takimi i Ekipit negocitaor të Kosovës, që është thirrur për të harmonizuar e finalizuar platformën për dialog.

Pas takimit, bashkëdrejtuesi i këtij Ekipit negociator Fatmir Limaj, tha se delegacioni ka takime të përditshme.

“Sot kemi vazhduar me disa detaje rreth këtij dokumenti. Do të vazhdojmë punën edhe nesër e pasnesër”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar tutje se beson që deri në fund të javës ky dokument do t’i drejtohet Kuvendit me këtë dokument.

“Po punojmë maksimalisht, është një dokument i rëndësishëm”, ka thënë Limaj.

Takohet Ekipi negociator, synohet harmonizimi e finalizimi i platformës për dialogun

Ekipi negociator i Kosovës për dialog ka nisur takimin në ambientet e Kuvendit të Kosovës për harmonizimin dhe finalizimin e platformës për dialogun me Serbinë.

Në takim janë parë të kenë hyrë Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Avni Arifi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot më herët ka folur rreth platformës së dialogut, për të cilën tha se ajo gjatë ditëve në vijim do t’i dorëzohet parlamentit.

Kreu i qeverisë ka theksuar se nëse i japin përkrahje platformës, atëherë do të jenë unik të gjithë, ndërsa i ka ftuar partitë opozitare që të kontribuojnë dhe të jenë pjesë e kësaj platforme, pasi vetëm në këtë formë do të jenë fitues të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button