Në takim me kryeministrin Zaev, Iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” i dorëzoi kërkesat e saj(VIDEO)

Sot me fillim prej ora 17:00 është realizuar takimi ndërmjet kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Iniciativës Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, si dhe i janë dorëzuar kryeministrit Zaev shtatë kërkesa nga vetë iniciativa, transmeton Portalb.mk. Nga iniciativa lajmërojnë që kërkesa e tyre e tretë është pranuar menjëherë nga kryeministri, pra është ndalur procedura e propozim planit urbanistik të Kodrës së Diellit. Gjithashtu, pritet që së shpejti kryeministri Zaev të vizitojë Kodrën e Diellit.

Veç tjerash, nga iniciativa theksuan se për ta pika më me rëndësi është tërheqja e kompanisë “Elem Turs” nga menaxhimi me Kodrën e Diellit. Ata thonë që edhe kjo pritet të ndodh së shpejti, pa dhënë ndonjë datë se kur.

Sa u përket kërkesave që janë dorëzuar sot, se cilat do të plotësohen dhe cilave do t’u jepet përparësi, sipas tyre, do të bëhet e qartë vetëm pas vizitës së kryeministrit Zaev në Kodrën e Diellit.

Kërkesat që iu dorëzuan sot kryeministrit Zaev janë këto:

  1. Urgjentisht t’i merren kompetencat ELEM për qendrën turistike “Kodra e Diellit”.
  2. Qeveria të kërkojë përgjegjësi nga stafi drejtues i ELEM për keqmenaxhimin e qendrës.
  3. Fillimi i shpejtë i procedurës për miratimin e Planit Urbanistik për zonën e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, të anulohet dhe t’i jepet për analizë dhe përpunim të ri Agjencisë së Planifikimit Hapësinor.
  4. Qeveria të përgatisë, sa më shpejtë që të jetë e mundur, një thirrje publike ndërkombëtare për partneritet publiko-privat (koncesion).
  5. Nga momenti i tërheqjes së menaxhimit të ELEM me Kodrën e Diellit, ne kërkojmë nga Qeveria, që në të gjitha procedurat për përgatitjen e tenderëve publikë ose të ngjajshme të  konsultohet me sektorin civil.
  6. Ndërtimi i një Teleferiku të ri Tetovë-Kodër Dielli.
  7. Kryeministër, ju kërkojmë dhe ju ftojmë të gjeni kohë dhe të pranoni ftesën tonë për një vizitë joformale në Kodrën e Diellit.

Dje në faqen e tyre të facebook-ut, iniciativa paralajmëroi takimin e sotëm.

“Zyrtare, nesër më datë 12.02.2019 me fillim në orën 17.00, aktivistët e iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” do kenë mundësinë që të prezantojnë dhe shprehin pakënaqësinë rreth keq menaxhimit të resorit turistik Kodra e Diellit edhe atë përpara kabinetit qeveritar të Republikës Maqedonisë, nën prezencën e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev. Aktivistët drejtë qeverisë drejtohen me 5 kërkesa, të cilat do të prezantohen ne deklaratën e përbashkët me qeverinë”, njoftuan nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

LEXO: Shkëlqimi dhe rënia e Kodrës së Diellit: Nga qendër me nam botëror në fushë shterpe

Ky takim vjen pasi që kjo iniciativë kërkoi takim me kryeministrin Zaev për të shpalosur problemet me qendrën e skijimit në Tetovë, Kodrën e Diellit të cilat kryesisht kanë ardhur si pasojë e mungesës së investimeve dhe keqmenaxhimit të ndërmarrjes ELEM TURS.

Pararakisht nga Qeveria e Maqedonisë kanë njoftuar se është duke u realizuar analiza për funksionimin e mëtutjeshëm të kësaj qendre turisitike, ku ministri i Ekonomisë, Kushtrim Bekteshi ka bërët të ditur se është duke u shqyrtuar mundësia e funskionimit me partneritet publik-privat

Kodra e Diellit viteve të fundit përballet me probleme të shumta: mungesë investimesh, mungesë e teleferikut me gjashtë ulëse, mungesë e vendeve për parkim, infrastrukturë e parregulluar si dhe grumbullim i mbeturinave, gjendje kjo që shtyu Iniciativën Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” të realizojë protesta. Ata i venduan ultimatum kryeministrit Zoran Zaev dhe e ftuan të vizitojë nga afër këtë qendër skijimi që të njoftohet me problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button