Mbetet i panjohur fati i shumë dijetarëve ujgurë në Kinë

Një numër i madh i dijetarëve dhe akademikëve ujgurë në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang në Kinë dyshohet se mbahen nën arrest në kampe të koncentrimit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Supozohet se mbi një milionë turq ujgurë mbahen në kampe të koncentrimit ose në burgje të Kinës si të burgosur në mënyrë arbitrare me akuzën e “ekstremizmit fetar” që nga viti 2016.

Sipas të dhënave që AA ka përpiluar nga Parlamenti Evropian (PE), Amnesty International dhe Humans Rights Watch (HRW), në mesin e ujgurëve të shumtë të cilëve nuk u dihet fati dhe dyshohet të jenë burgosur gjenden akaemikë, artistë, sportistë profesionistë dhe shkencëtarë.

Prijësi fetar i komunitetit ujgur, si Muhammad Salih Hajim, si dhe akademikët Abdulnehed Mehsum dhe Ayhan Memet, kishin humbur jetën teksa mbaheshin në kampe. Përmes një vendimi në tetor të vitit 2018, PE shprehu shqetësim të madh nga vdekjet në fjalë.

Përkundër të gjitha thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar, akademikët si Eli Mamut, Hailaite Niyazi, Memetjan Abdulla, Abduhelil Zunun dhe Abdukerim Abduwel, emrat e të cilëve gjenden edhe në raportin e PE-së, ende mbahen në mënyrë arbitrare nga qeveria kineze.

Në mesin e të zhdukurve që kishin zgjuar reagim ndërkombëtar ishte edhe profesoresha Rahile Dawut, kryetare e një instituti ujgur për studime kulturore.

Amnesty International, në një raport të titulluar “Kina: Ku janë këta njerëz?”, kishte cituar vajzën e Rahile Dawut, Akeda, e cila ishte shprehur se që nga dhjetori i vitit 2017 nuk dihet asgjë për nënën e saj dhe se ndihet e shqetësuar se ajo mund të jetë në njërin nga kampet e koncentrimit.

Në mesin e figurave të shquara për të cilët diaspora dhe shoqatat ujgure beson se mbahen në kampe janë edhe profesorët universitarë dhe shkencëtarët Gulpina Taşmemet, Abdulkadir Celalettin, Ekber Omar, Taşpolat Teyip, Abdurrahman Bey, Gayretcan Osman, si dhe themeluesi i firmës teknologjike Uygursoft Alim Ahat.

Reagime ndërkombëtare ndaj Kinës

Mbajtja e ujgurëve në kampet kineze është aktualizuar nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, disa organizata të të drejtave të njeriut që morën pjesë në një takim në Gjenevë mbi komunitetet e diskriminuara në Kinë të organizuar nga Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor, thanë se autoritetet lokale në rajonin autonom ujgur Xinjiang i privojnë nga liria individët që i cilësojnë si persona me qëndrime politike problematike.

Ndërkaq, në një raport të publikuar së fundmi, HRW ka pohuar se qeveria kineze në dy vitet e fundit i dërgon pa vendim gjyqësor ujgurët që i cilëson si të rrezikshëm ne qendra arresti të emëruara si “qendra arsimore politike”.

Dy ditë më parë, Ministria e Jashtme e Turqisë u bëri thirrje autoriteteve kineze të respektojnë të drejtat elementare të ujgurëve dhe të mbyllin kampet e koncentrimit, duke i quajtur johumane politikat e asimilimit sistematik ndaj popullatës muslimane.

Një projektligj i cili ende nuk është miratuar dhe vazhdon të diskutohet në Kongresin e SHBA-së parasheh sanksione ndaj Kinës për shkak të shkeljeve të rënda ndaj komunitetit turk ujgur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button